priscilla du preez mcxesld2su unsplash

Dhjetor 2024


Njerëzit që kanë më tepër të drejta, mundësitë më të mira dhe ndikimin më të madh — për të mos përmendur përgjegjësinë biblike për t’i ndihmuar fëmijët të ecin në të vërtetën — janë prindërit e tyre. Lutja ime ndaj prindërve dhe gjyshërve është që ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë mundësi të përkohshme që kanë.

Në ditët e sotme, jeta e prindërve mund të rrëmbehet nga kaq shumë gjëra të mira, saqë mbetet pak kohë për gjërat më të rëndësishme. Prindërit nuk duhet të këmbejnë gjërat më të mëdha për më të voglat.

  • Çfarë përfitimi do të ketë një fëmijë po të bëhet pianist i arrirë, por jetën ta kalojë si i marrë?
  • Çfarë përfitimi do të ketë një fëmijë po të ketë gjithë miqtë e botë — edhe miq të mirë të krishterë — por të mos jetë mik i Jezusit në Ditën e Gjykimit?
  • Çfarë të mire do t’i sjellë një fëmije të martohet me një njeri të arrirë, por të mos ulet kurrë në festën e dasmës së qengjit?
  • Çfarë përfitimi do të ketë për fëmijën që arrin kampionatin kombëtar në rrugën e tij drejt shkatërrimit?
  • Çfarë përfitimi do të ketë një fëmijë po të fitojë gjithë botën, por të humbasë shpirtin e tij? (Marku 8:36)

Është thelbësore t’u japim fëmijëve të vërtetën, dhe ky duhet të jetë synimi edhe i shërbesës së fëmijëve, edhe i të rinjve. Megjithatë, edhe programi më i mirë dy orësh për fëmijët nuk mund të zëvendësojë përpjekjet e zellshme dhe të qëllimshme të prindërve për gëzim të përjetshëm për fëmijët e tyre. Kisha duhet të jetë e pajisur të inkurajojë, mbështesë, sfidojë dhe zhvillojë materiale për prindërit dhe punën e tyre dishepulluese me fëmijët.

George Barna, [në librin e tij “Transforming Children into Spiritual Champions”, shkruan se ai] i pyeti kishat në studimin e tij për mënyrën se si e matnin suksesin e shërbesës së fëmijëve dhe të rinjve. Pjesa më e madhe, tha ai, drejtoheshin te “rritja e numrit të regjistrimeve, pjesëmarrja e qëndrueshme, përfundimi i kurikulës në kohën e caktuar, kënaqja e prindërve, numri i ulët i problemeve me disiplinën etj.”. Megjithatë, Barna vë re se kishat më të efektshme, identifikonin tre tregues shumë të ndryshëm nga këta. Përmbledhja e tyre:

  • Përfshirja e prindërve në zhvillimin frymëror të fëmijëve. Të gjitha përpjekjet për t’i ushqyer fëmijët frymërisht, janë të paplotësuara, nëse vetë prindërit nuk janë pjesë e këtyre përpjekjeve, duke pasur bashkëpunim të afërt me kishën.
  • Pajisja strategjike e prindërve për t’i ndihmuar fëmijët të zhvillohen frymërisht. Ndoshta prindërit nuk kanë aftësi të natyrshme për dishepullimin e fëmijëve të tyre, ndaj kanë nevojë për informacion dhe për trajnim, dhe detyra e kishës është t’i sigurojë këto gjëra për ta.
  • Prova të dukshme të transformimit të jetës së fëmijëve. Përsëritja si papagall pas mësuesit nuk arrin të krijojë ndryshime që dëshmojnë ripërtëritje të thellë të zemrës dhe të frymës

Përkthyer me leje: https://truth78.org/blogs/blog/a-key-component-of-effective-children-s-and-youth-ministry

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

EtiketaT78

Postime të ngjashme