Çelësi i përgjigjeve—Rëndësia e shenjtërisë
PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI
Çfarë mendoni?
Këto janë pyetje personale. Përgjigjet duhet të bazohen te njohuria dhe përjetimi juaj.
Leximi i Shkrimit
Cili ishte reagimi i parë i Isaias në takimin e tij me Zotin trefish të shenjtë?
Isaia shpalli një mjerim mbi veten e tij, kur u takua me Zotin trefish të shenjtë në vizionin e tij. Edhe kur ishte gati të caktohej si profet i Izraelit Isaia klithi “unë jam i humbur” dhe shpalli që ishte “një njeri me buzë të papastra”. Dr. Sproul do ta eksplorojë më tej përjetimin e Isaias, të cilin e përshkruan si “shpërbërje” në mësimin e dytë të kësaj serie.
Mbret sovran
Pse përkthimet e Besëlidhjes së Vjetër në anglisht shpesh e shkruajnë fjalën Zoti si
ZOTI?
Shumica e përkthimeve anglisht të Biblës përdorin si Zot ashtu edhe ZOT për shkak se secila prej tyre përkthen një fjalë të ndryshme hebraisht. Fjala ZOT përdoret për të përkthyer emrin hyjnor Jahuej. Fjala Zot përdoret për të përkthyer termin hebraisht Adonai, një titull i lartë për Perëndinë që do të thotë “Sovrani”.
Si nxirret kuptimi i frazës “dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin” duke kuptuar kontekstin kulturor të Isaias?
Në kohët e lashta, veshjet e monarkëve ishin standardi i statusit të tyre. Madje monarkët vlerësoheshin në bazë të materialit të rrobës së tyre, nëse ishte lëkurë hermine, baldose, nuselale apo thjesht stof. Kur Isaia pa cepat e mantelit të Perëndisë që e mbushën krejt tempullin, pati një përjetim pamor të madhështisë së rrobave të Tij, të cilat ishin të pakrahasueshme me ato të ndonjë mbreti tokësor.
Prania e zbuluar e Perëndisë
Pse serafimët në vizionin e Isaias ishin krijuar me disa palë krahë?
Perëndia i krijoi këto krijesa me disa palë krahë në mënyrë që të mund të shërbenin në vetë praninë e Tij. Përveç krahëve që i shërbenin qëllimit të zakonshëm, serafimët kishin nevojë për krahë që të mbulonin fytyrat e tyre nga lavdia verbuese e pranisë së zbuluar të Perëndisë si dhe për të mbuluar këmbët, të cilat ndoshta simbolizonin faktin që ata ishin thjesht krijesa.
Çelësi i përgjigjeve—Rëndësia e shenjtërisë
Çfarë është domethënëse rreth përsëritjes së trefishtë të serafimëve “i shenjtë, i shenjtë, i shenjtë”?
Serafimët në vizionin e Isaias dëgjohen që i thërrasin njëri-tjetrit: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij.” Në Bibël përsëritja përdoret për të tërhequr vëmendjen te diçka, e cila ka një rëndësi unike. Shenjtëria është atributi i vetëm i Perëndisë për të cilin përdoret kjo përsëritje e trefishtë dhe kjo del nga buzët e engjëjve.
Cila është domethënia e vizionit të Isaias në kontekstin historik të Izraelit? Për kë është i bindur Dr. Sproul se pa Isaia në vizionin e tij?
Isaia 6:1 na thotë se Isaia e pati vizionin e tij për Zotin “në vitin e vdekjes së mbretit Uziah”. Kjo është domethënëse, sepse me vdekjen e mbretit Uziah Izraeli hyri në një periudhë pasigurie dhe vajtimi, e megjithatë, Isaia pa Sovranin mbi gjithë krijimin. Dr. Sproul është i bindur se Isaia pati një vështrim të kurorëzimit të Krishtit në gjithë madhështinë e Tij.
Si e përdor Dr. Sproul episodin e fytyrës së zbuluar të Moisiut për të demonstruar pse serafimët në vizionin e Isaias duhej t’i mbulonin fytyrat e tyre në praninë e Perëndisë?
Dr. Sproul demonstron, pse serafimët kishin nevojë të mbulonin fytyrat e tyre në vetë praninë e Perëndisë, duke na kujtuar si reaguan Izraelitët kur panë fytyrën e zbuluar të Moisiut, pasi ai kishte parë thjesht shpinën e Perëndisë. Perëndia nuk ia tregoi Moisiut fytyrën e Tij, sepse asnjë njeri nuk mundet ta shohë fytyrën e Perëndisë dhe të mbetet gjallë (Eksodi 33:20). Nëse Moisiu kishte nevojë ta mbulonte fytyrën e tij, atëherë serafimët që banojnë në vetë praninë e Perëndisë kishin edhe më tepër nevojë që ta mbulonin veten e tyre.
Si na informon vizioni, që Isaia pati për shenjtërinë e Perëndisë se si t`i afrohemi Perëndisë në adhurim?
Përgjigjet për këtë pyetje janë të shumta. Dr. Sproul vuri në dukje se si edhe vetë themelet e tempullit u drodhën nga prania e shenjtërisë së Perëndisë (Isaia 6:4). Për këtë arsye, vizioni i Isaias mund të na ndihmojë për mënyrën se si ne si krijesa të bëra në shëmbëllimin e Perëndisë duhet t’i afrohemi Atij në adhurim. Kurdoherë që vijmë në praninë e Perëndisë, vizioni i Isaias duhet të na shërbejë si kujtim i shenjtërisë së Perëndisë, në mënyrë që t’i afrohemi Atij me drojën, mahnitjen dhe mirënjohjen e duhur.
Comments are closed.