Çelësi i përgjigjeve—Kuptimi i shenjtërisë

Çelësi i përgjigjeve—Kuptimi i shenjtërisë

PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI
Para videos
Çfarë mendoni?
Këto janë pyetje personale. Përgjigjet duhet të bazohen te njohuria dhe përjetimi juaj.


Leximi i Shkrimit
• Si na ndihmon kjo pjesë të kuptojmë shkallën në të cilën Perëndia e sheh emrin e Tij si të shenjtë?
Në këtë pjesë një izraelit dënohet me vdekje, për shkak se mallkoi emrin e Zotit. Kjo zbulon sa ofendim serioz është të mallkosh Perëndinë, në mënyrë të veçantë në praninë e Tij, si izraeliti që e bëri këtë “brenda kampit”. Perëndia ruan një konsideratë aq të lartë për emrin e Tij sa, nëse mallkoje Zotin, ndëshkimi ishte vdekja.


Përkufizimi i të shenjtës
•Cili është kuptimi më popullor i termit i shenjtë?
Kuptimi më popullor i termit i shenjtë është sinonim me pastërtinë dhe drejtësinë morale. Nuk ka asgjë qenësisht të gabuar, nëse e kuptojmë termin i shenjtë në këtë mënyrë, por ky është kuptimi dytësor i fjalës i shenjtë në Shkrime.


•Cili është kuptimi parësor i termit i shenjtë?
Kuptimi parësor i termit i shenjtë në Shkrime është “i veçuar”. Ajo që është e shenjtë është ajo që është tjetër, ajo që është e ndryshme nga diçka tjetër. Për këtë arsye, kur Bibla flet për shenjtërinë e Perëndisë më së pari është duke iu referuar transhendencës së Perëndisë.


•Sipas Dr. Sproul, çfarë e bën diçka të shenjtë?
Dr. Sproul mësoi se ajo çfarë e bën dikë të shenjtë apo të shenjtëruar është prekja e Perëndisë. Kur Ai, i cili është Vetë tjetër dhe i ndryshëm, prek atë që është e zakonshme, ajo bëhet e jashtëzakonshme. Perëndia mund ta veçojë diçka dhe ta caktojë si të shenjtë.
Shenjtëria e emrit të Perëndisë


•Cila është kërkesa e parë e Lutjes së Zotit?
Lutja e Zotit mund të ndahet sipas kategorive letrare, ku përfshihen adresimi formal, kërkesat dhe mbyllja. Është e rëndësishme të mbajmë mend se “U shenjtëroftë emri yt” është kërkesa e parë e Lutjes së Zotit. Ajo nuk është pjesë e adresimit formal: “Ati ynë që je në qiell.” Ndryshe, Jezusi do të kishte thënë: “I shenjtëruar është emri yt.”


•Si e ka zbuluar Perëndia zellin për emrin e Tij?
Perëndia e zbuloi zellin e Vet për emrin e Tij kur themeloi ligjin moral. Me Dhjetë Urdhërimet Perëndia e bëri ligj që emri i Tij të mos përdoret më kot. Blasfemia është një ofendim i lartë kundër shenjtërisë së Perëndisë.


•Çfarë zbulon mënyra se si e përdorim emrin e Perëndisë?
Mënyra si e përdorim emrin e Perëndisë zbulon qëndrimet tona më të thella ndaj Perëndisë. Nëse kemi një qëndrim indiferent dhe të shkujdesur ndaj emrit të Perëndisë, kjo zbulon se kemi një qëndrim mospërfillës ndaj vetë Perëndisë. Emri i Perëndisë duhet të trajtohet me druajtje nga njerëzit e Tij.

•Cilat janë disa nga zbulimet e antropologëve dhe sociologëve, të cilët kanë studiuar përjetimin fetar të njeriut në kultura të ndryshme?
Antropologët dhe sociologët, që kanë studiuar përjetimin fetar njerëzor, kanë dalluar se të gjithë popujt kanë një ndjesi rreth kohës dhe hapësirës së shenjtë. Rudolf Otto, një teolog dhe antropolog gjerman i shekullit të njëzetë, arriti në përfundimin se përjetimi i përgjithshëm i ndjesisë së njerëzimit për të shenjtën është një përjetim ndërdyshas, duke pasur emocionet e kundërta të tërheqjes dhe largimit ndaj shenjtërisë së Perëndisë.


•Në këtë leksion, Dr. Sproul bëri dallimin mes kuptimit parësor të shenjtërisë dhe kuptimit dytësor. Cili është mendimi juaj për mënyrën si kuptimi dytësor rrjedh prej kuptimit parësor?
Kjo pyetje kërkon reflektim mbi marrëdhënien mes kuptimit parësor të shenjtërisë si “veçim” dhe kuptimit dytësor të shenjtërisë si “drejtësi dhe pastërti”. Edhe pse mund të ketë përgjigje të ndryshme, është e rëndësishme të kujtojmë se Perëndia i thërret të krishterët të jenë të shenjtë, sikurse Ai është i shenjtë, dhe si rrjedhim, është detyra e të krishterit që të pasqyrojë dhe reflektojë karakterin e Perëndisë në botë.


•Sipas Dr. Sproul, cili është progresi logjik në dy kërkesat e para të Lutjes së Zotit?
Dr. Sproul është i bindur se ka një lidhje logjike mes dy kërkesave të para të Lutjes së Zotit, “U shenjtëroftë emri yt,” dhe “ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt në tokë, si në qiell”. Lidhja logjike është që mbretëria e Perëndisë nuk do të vijë, dhe as vullneti i Tij nuk do të bëhet, nëse së pari emri i Tij nuk nderohet nga populli i Tij si një emër i shenjtë. Si të krishterë, ne jemi thirrur të jemi të shenjtë. Një mënyrë themelore se si ne e demonstrojmë këtë, është përmes mënyrës se si e vlerësojmë emrin e Perëndisë.

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}