9 Prill 2026

“…Dhe duke u gjendur në trajtë si njeri, ai e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, madje në vdekje kryqi. Prandaj dhe Perëndia atë e mbilartësoi dhe i fali atij emrin që është përmbi çdo emër.” FILIPIANËVE 2:7-9

Në njëfarë kuptimi, përmbledhja më e mirë e mesazhit të Biblës dhe e vërteta më themelore në këtë gjithësi është thjesht kjo: Jezu Krishti është Zot.

Shumica e teologëve pajtohen se “emri” të cilit Pali i referohet në vargun 9, mund të jetë vetëm emri “Zot” (Filipianëve 2:11). Këtu, fjala greke për “Zot” është kyrios, e cila përdoret gjithashtu si përkthim i emrit hyjnor të Perëndisë, Jahveh, mbi gjashtë mijë herë te Septuaginta (përkthimi në greqisht i Besëlidhjes së Vjetër) — emri që në shumicën e Biblave të sotme shkruhet ZOT. Përdorimi i nënkuptuar nga Pali i emrit hyjnor të Perëndisë thekson hyjninë e Jezusit, pikërisht pasi ai na ka kujtuar për përuljen e thellë të Jezusit gjatë kohës së Tij mbi tokë.

I përbërë nga katër bashkëtingëllore (YHWH), emri Jahveh është realisht i pashqiptueshëm në hebraisht — dhe kjo është me qëllim, sepse judenjtë nuk guxuan ta shqiptonin këtë emër hyjnor të Perëndisë me buzët e tyre. Megjithatë, Jahveh-u, Perëndia i papërshkrueshëm, erdhi në tokë si Krishti i mishëruar dhe ua zbuloi Veten burrave dhe grave. Ai shkoi me përulësi në kryq dhe më pas u lartësua në vendin më të lartë — në vendin që i takon Atij — dhe iu dha ky emër “që është përmbi çdo emër”. Një komentues thotë: “Ai e ka ndryshuar emrin e pashprehshëm në një emër të cilin njeriu mund ta shqiptojë dhe e gjithë bota mund ta dëshirojë.” Në Atë që e mban këtë emër, madhështia e Perëndisë “është e veshur e gjitha me rrobat e mëshirës”.

Profecia e Besëlidhjes së Vjetër e përforcon vazhdimisht këtë ide. Tek Isaia 45, Perëndia jep një përshkrim që vlen ekskluzivisht për Të: “Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje” (Isaia 45:21). Pali, i cili dikur ishte një kundërshtar agresiv i Krishtit dhe i ndjekësve të Tij, e përdor pikërisht këtë përshkrim për Krishtin, duke bërë një deklaratë mbresëlënëse për hyjninë e Tij. Ai thekson se Jezusi është lartësuar publikisht në pozitën që me të drejtë i përkiste Atij, edhe para se Ai të vinte në tokë, për të vuajtur poshtërimin për ne. Tani ai është ulur në të djathtën e Atit. Madhështia e Tij është aty, për t’u parë nga të gjithë ata që e njohin Atë si Shpëtimtar. Identiteti i Tij është plotësisht i qartë dhe i padiskutueshëm.

Perëndia është i vetmi Shpëtimtar — dhe Jezusi është ai Shpëtimtar, për të cilin u tha: “…ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do ta shpëtojë popullin e vet nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21). Edhe vite pasi Palit iu hapën sytë që ta shihte për herë të parë të vërtetën se kush është Jezusi, ende mund të dallojmë një ndjesi dashurie dhe nderimi plot drojë në fjalët e tij drejtuar filipianëve. Jezu Krishti është Zot. Ai zotëron emrin përmbi çdo emër. Pali nuk lejoi kurrë që familjarizimi me këtë të vërtetë të krijonte vetëkënaqësi brenda tij. Kjo nuk duhet të ndodhë as me ne. Ndalo tani dhe lejo që çdo fjalë të të shtyjë në një lavdërim plot drojë të këtij njeriu: Jezusi, Shpëtimtari i popullit të Tij… Krishti, Mbreti i premtuar shekuj më parë… është ZOTI, Perëndia i zbuluar dhe i papërshkrueshëm. Dhe ti
mund ta quash Atë “vëlla” (Hebrenjve 2:11).

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ZBULESA 1:9-20