“Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë…” MATEU 11:29
Çfarë pyetjesh u bën një prind fëmijëve të vet pasi ata kthehen nga shkolla? Disa pyesin: “A mësuat ndonjë gjë sot?”. Por shumë të tjerë thonë diçka si: “A u argëtuat sot?”.
Për sa i përket shkollimit, ndoshta nuk ka shumë rëndësi se cila pyetje bëhet dhe, si rrjedhim, cila është përparësia që po zbulohet përmes saj. Megjithatë, për kishën bëhet shpesh e njëjta pyetje: A u argëtuam sot në kishë? A u kënaqëm në kishë?
Përkundrazi, ne duhet të pyesim: “Çfarë po mësojmë për Jezusin dhe prej Tij?”. Jezusi na jep privilegjin e madh që të kemi mundësinë për të mësuar prej Tij. Në të gjithë Ungjijtë, Ai flet në një mënyrë që trajton pyetjet e mëdha të jetës: Kush jam unë? Nga kam ardhur? Pse jam këtu? Ku po shkoj? A ka vërtet rëndësi kjo jetë?
Njohja e Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar personal ndryshon mënyrën se si dikush mendon për këto pyetje të rëndësishme. Ajo e transformon këndvështrimin e besimtarëve për kohën, burimet, karrierën, për llojin e personit me të cilin duan të martohen ose për llojin e bashkëshortit/es që duan të jenë. Kjo ndodh sepse ta njohësh Jezusin me të vërtetë, do të thotë ta ftosh Atë që të jetë autoriteti në jetën tënde. Gjithçka ndryshon teksa mësojmë
prej Tij.
Ardhja te Jezusi fillon me të mësuarit se Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për mëkatet, i drejti (Krishti) për të padrejtët (që jemi ne), për të na pajtuar me Perëndinë (I e Pjetrit 3:18) — dhe me reagimin ndaj kësaj. Të kesh njohuri vetëm në mendje për këtë, nuk është e njëjtë me të besuarit e kësaj, me të zënët besë dhe me të qenët të lumtur nën të njëjtën zgjedhë me Atë që na i ofron të gjitha këto.
Të gjithë ne njohim njerëz që po përpiqen të zgjidhin enigmën e jetës së tyre, duke i bashkuar copat e formueses sa më mirë që të munden, dhe të gjithë ne kemi qenë në të njëjtën pozitë. Mirëpo, derisa të jemi të gatshëm për të mësuar nga Perëndia, copat nuk do të përputhen. Por tani ne mund ta njohim me të vërtetë Perëndinë, jo për shkak të
aftësive tona intelektuale, por sepse Perëndia zgjedh që ta bëjë Veten të njohur nëpërmjet së vërtetës së Fjalës së Tij.
A je i gatshëm për të mësuar nga Jezusi në çdo fushë të jetës sate? A e sheh si një privilegj, dhe jo si barrë, ndjekjen e mësimit të Tij dhe vendosjen e vetes nën autoritetin e Tij? Sigurohu që ta shfrytëzosh çdo mundësi për të mësuar të vërtetën e ungjillit, dhe përjetofsh se si ajo do të t’i kënaqë dëshirat e zemrës sate dhe do ta transformojë jetën tënde ditë pas dite!
