“Kush prej jush ka një mik dhe ky shkon tek ai në mesnatë e i thotë: ‘Mik, më jep
hua tri bukë, ngaqë më erdhi një miku im nga rruga dhe nuk kam çfarë t’i vë para’
… Unë po ju them se edhe nëse nuk ngrihet t’ia japë për shkak se është miku i vet,
do të çohet, gjithsesi, për shkak të paturpësisë së atij e do t’i japë gjithë sa ka nevojë.
Dhe unë po ju them: lypni dhe do t’ju jepet…” LUKA 11:5-9
Është joshëse të mendosh se të folurit për Perëndinë është shprehja kryesore e marrë-
dhënies sonë me Të. Megjithatë, është e mundur që të flasim për Perëndinë pa pasur
ndonjë njohje të thellë se kush është Ai në të vërtetë. Dëshmia e marrëdhënies sonë perso-
nale me Perëndinë shpesh nuk gjendet në fjalët tona publike, por në lutjet tona private
— jo në atë që themi për Të, por në atë që i themi Atij. Në të vërtetë, siç thuhej se vuri në
dukje Robert Murray M’Cheyne-i: “Ky është njeriu dhe asgjë më tepër: rob i gjunjëzuar
para Perëndisë.”
Këtu qëndron sfida! Sepse po të tregohemi të sinqertë, shumë nga lutjet tona pasqyrojnë
një marrëdhënie statike ose të largët, dhe jo gjallërinë që duhet të karakterizojë një miqësi
të përzemërt. Mirëpo, nëse kjo është e vërtetë për ne, atëherë mund të jemi të sigurt se
nuk jemi vetëm. Dishepujt e Jezusit, gjithashtu, dëshironin të rriteshin në një marrëdhënie
të ngushtë me Atin e tyre qiellor, por e dinin se kishin nevojë që Zoti t’u mësonte se si ta
bënin këtë (Luka 11:1) — dhe si përgjigje, Jezusi, pasi u përshkroi atë që u quajt “Lutja e
Zotit”, u tregoi atyre një shëmbëlltyrë për kërkesën e guximshme të një miku.
Jezusi e fillon ilustrimin e Tij duke paraqitur marrëdhënien e dy burrave brenda historisë
së Tij: ata janë miq. Pastaj ai vazhdon të shpjegojë se si njëri prej tyre, duke dashur që ta
mirëpresë mysafirin udhëtar, shkon në shtëpinë e tjetrit në mesnatë për të marrë bukë
hua. Ai, madje, rrezikon që ta zgjojë gjithë familjen e mikut të vet vetëm për të paraqitur
kërkesën e tij. Jezusi thotë se, për shkak të këmbënguljes së tij të guximshme, burri i dytë
ngrihet dhe i jep të parit atë që i nevojitet.
Nga historia e Jezusit duhet të kuptojmë këtë: nëse një miqësi e sinqertë njerëzore pro-
dhon një reagim kaq bujar, atëherë mund të jemi të sigurt se, kur të shkojmë te Perëndia
në lutje, Ai nuk do të na e refuzojë kurrë asgjë për të cilën kemi vërtet nevojë. Kërkesa e
burrit është e guximshme, por sado kërkuese që mund të duket, ajo dëgjohet nga një mik
dhe plotësohet për shkak të këmbënguljes së tij. Prandaj, sa më e madhe mund të jetë
siguria jonë që Ati ynë qiellor është gati të na përgjigjet, atëherë kur i afrohemi Atij me një
zemër të sinqertë e të përulur.
Siguria përpara Perëndisë nuk është domosdoshmërisht mendjemadhësi. Përkundrazi,
ne mund të kemi besim përpara fronit të Tij, për shkak të miqësisë që Ai ka krijuar me ne
nëpërmjet Jezusit. Për shkak të Tij, ne mund t’i flasim Krijuesit tonë me “paturpësinë” e
një miku të ngushtë. Çfarë mendimi i mahnitshëm! Nuk ka mesnatë me Perëndinë, as nuk
do të ketë kurrë ndonjë çast kur Ai të bezdiset nga fakti që ne vijmë tek Ai që është Miku
ynë. Gjithë sa duhet të bëjmë, është të trokasim.
