“Nëse është e mundur, për çfarë varet prej jush, jini në paqe me të gjithë njerëzit. Mos merrni hak për veten tuaj, o të dashur, por jepini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja; unë do të shpaguaj’, thotë Zoti… Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.” ROMAKËVE 12:18-19, 21
Imagjinoni një fëmijë që kthehet nga shkolla në shtëpi thellësisht i mërzitur nga diçka që i ka thënë ose i ka bërë një fëmijë tjetër. Tani që mezi po i mban lotët për një lëndim që i duket shumë i madh, ai do ta kishte të lehtë të mendonte se nuk do t’i fliste më kurrë personit që i shkaktoi lëndimin, ose të niste e të planifikonte se si do t’ia rikthente një ditë.
Megjithatë, imagjinoni sikur prindërit e tij t’i sugjerojnë të shkruajë një pusullë, ku të ofrojë njëherazi falje dhe miqësi. Të nesërmen, pasi ta ketë bërë këtë, ai mund të kthehet dhe të thotë me gëzim: “E bëra! E çova pusullën në shkollë dhe funksionoi. U përqafuam dhe tani jemi shokë. Ishte fantastike!”.
Kështu i bindemi thirrjes së Palit për të jetuar në paqe “për çfarë varet” prej nesh. Ndonjëherë, paqja do të jetë e paarritshme, por nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo të jetë për shkakun tonë. Mos qoftë kurrë sepse jemi duke kërkuar ose duke komplotuar hakmarrjen. Hakmarrja është një pjatë që duhet të serviret vetëm nga Perëndia, por kurrë nga populli i Tij.
Sinqerisht, shumica e mosmarrëveshjeve tona në të vërtetë janë versionet e të rriturve për ato që ndodhin në fëmijëri. Reagimi ynë përballë padrejtësisë tregon shumë për atë që besojmë vërtet. A do ta kthejmë “të keqen me të keqe” (I e Pjetrit 3:9), dhe kjo është mënyra e botës, apo do të reagojmë sipas mendjes së Krishtit?
Të gjitha konfliktet dhe lëndimet tona nuk mund të krahasohen me atë që u përball dhe ndjeu Jezusi. Megjithatë, kur Jezusin e shanë, Ai nuk e ktheu sharjen. Kur vuajti, nuk mallkoi dhe as nuk kërcënoi. Nuk duhet të bëjmë gabimin e madh që ta pranojmë shpëtimin e Jezusit, por ta shpërfillim shembullin e Tij, duke e kaluar jetën në përpjekje për të pastruar emrin tonë, duke i mbrojtur motivet tona dhe duke u justifikuar, duke kërkuar shpagim për çdo gabim
dhe hakmarrje për çdo shpërfillje. Kjo është ajo që na vjen natyrshëm; dhe ajo që na çliron nga ky shteg është të kujtuarit se mund t’i besojmë Perëndisë për ta lartësuar popullin e Tij në kohën e duhur. Drejtësia do të vendoset, por jo nga ne. Prandaj, a ka ndonjë njeri të cilit duhet t’i afrohesh me paqe? A ka ndonjë njeri të cilin, në njëfarë mënyre, po e lejon të përjetojë zemërimin tënd në vend të dashurisë sate? Shumë i dashur, lërja hakmarrjen Perëndisë dhe munde të keqen me të mirën! Bëje këtë sot!
