8 Mars 2026

“…por nuk dyshoi me mosbesim në premtimin e Perëndisë; përkundrazi, u fuqizua në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë.” ROMAKËVE 4:20

Përpara se Abrahami të kishte fëmijë, Perëndia i premtoi që pasardhësit e tij do të ishin të panumërt si yjet e qiellit dhe si rëra në brigjet e detit. Koha po kalonte dhe dukej sikur Abrahami dhe gruaja e tij, Sara, nuk do të kishin kurrë një pasardhës. Dukej sikur premtimi rrezikonte të mos përmbushej, prandaj, Abrahami dhe Sara vendosën t’i merrnin gjërat në duart e tyre. Sara i ofroi Abrahamit shërbëtoren e saj, Agarin, që t’i lindte një fëmijë. Agari i lindi atij një djalë, Ismaelin. Megjithatë, Perëndia e bëri të qartë se pasardhësit që Ai kishte premtuar, nuk do të vinin nga pasardhja e Ismaelit. Perëndia po i tregonte Abrahamit dhe Sarës se, nëse premtimi i Tij do të përmbushej, atëherë vetëm Ai mund ta bënte atë. Abrahamit iu dha një detyrë: të besonte në premtimin e Perëndisë — një premtim që u përball me vështirësi të jashtëzakonshme dhe që për këtë arsye duhej një Perëndi i gjithëfuqishëm për ta përmbushur.

Me kalimin e viteve, Sara ende nuk po mbetej shtatzënë. Perëndia erdhi përsëri tek Abrahami, duke e siguruar atë se, edhe në moshën e saj të madhe, ajo do të lindte një djalë. Më në fund, në moshën nëntëdhjetëvjeçare, Sara lindi një djalë, Isakun, emri i të cilit do të thotë “ai qesh”. Abrahami, i cili dikur qeshi i mahnitur nga mundësia e lindjes së Isakut (Zanafilla 17:17), tani me siguri që u pushtua nga habia.

Perëndia i mban premtimet e Tij. Është e pamundur që një grua nëntëdhjetëvjeçare të lindë, mirëpo Perëndia është në gjendje për ta bërë këtë gjë të ndodhë. Premtimi që iu bë këtij çifti të moshuar për një trashëgimtar nuk kërkonte asgjë tjetër veçse dhuratën e mbinatyrshme të jetës. Pa ndërhyrjen hyjnore të Perëndisë, nuk do të kishte pasur asnjë pasardhës; nuk do të kishte pasur asnjë lindje. Në mënyrë të ngjashme, nuk mund të ketë jetë frymërore pa ndërhyrjen e Perëndisë. Por me fuqinë e Tij mund të ketë jetë të re — jetë të vërtetë! Që në fillim, Perëndia po i mësonte popullit të Tij se duhet të ndodhë një mrekulli që ungjilli të zërë rrënjë në jetën e ndokujt.

Perëndia i mban premtimet e Tij. Premtimet e Tij për popullin e Vet janë të shumta, ato janë të mahnitshme dhe të gjitha janë “po” në Krishtin (II Korintasve 1:20). Pjesa jonë është të bëjmë atë që Abrahami mësoi të bënte: të besojmë në premtimet e Perëndisë, edhe kur ato duken shumë të largëta ose të pamundura. Në fund të fundit, një premtim që përballet me vështirësi të jashtëzakonshme, mund të përmbushet vetëm nga një Perëndi i gjithëfuqishëm — dhe ky është pikërisht Perëndia të cilin ju dhe unë e quajmë Atë.

A njihni dikë i cili sot ka nevojë që të kujtojë që Perëndia i mban premtimet e Tij? Le të tregohemi të sinqertë: kjo është një kujtesë për të cilën kemi nevojë të gjithë. Ashtu si Abrahami, vendoseni shpresën tuaj vetëm te Perëndia. Ai është në gjendje për t’i mbajtur premtimet e Tij, dhe ato do të përmbushen vetëm me fuqinë e Tij. Por ju tashmë e dini se Perëndia bën mrekulli, vetëm duke hedhur vështrimin në pasqyrë, sepse u desh e njëjta fuqi hyjnore që vendosi yjet në qiell dhe që e mban botën në ekzistencë, për të rilindur zemrën tuaj, për t’ju sjellë në besim dhe për t’ju dhënë jetën e përjetshme.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ZANAFILLA 15:1-21