“Atëherë Eliseu i dërgoi një lajmëtar për t’i thënë: ‘Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër’. Por Naamani u zemërua dhe iku…” II I MBRETËRVE 5:10-11
Edhe një lexim i shkurtër i historisë dhe i sociologjisë zbulon paaftësinë e njerëzimit për ta rregulluar botën tonë të shkatërruar. Jo shumë kohë më parë, na thuhej se njerëzit bënin gjëra të këqija ngaqë ishin të varfër; nëse do ta trajtonim nevojën materiale, atëherë do të shihnim sjellje më të mirë. Tani, në disa nga vendet më të pasura të botës, disa sociologë shpjegojnë se lakmia, korrupsioni dhe vrasja vijnë si pasojë e të pasurit më shumë se na nevojitet. Ekspertët dhe udhëheqësit botërorë qëndrojnë të hutuar përpara këtyre forcave të jashtme, duke kërkuar përgjigje në të gjitha vendet e gabuara.
Naamani kishte një sëmundje që e bënte të palumtur dhe që ishte shumë e vështirë për t’u trajtuar. Ai i kishte burimet për të provuar çdo kurë që të dëshironte dhe, me sa duket, ishte i përgatitur të bënte gjithçka. Problemi ishte se ai po kërkonte në vendet e gabuara. Statusi, pasuria dhe lidhjet e tij mbretërore nuk ia sollën ilaçin që dëshironte. Kur shkoi te mbreti i Izraelit për lehtësim, kërkesa e tij shkaktoi shqetësim; mbreti grisi rrobat ngaqë e dinte se nuk mund ta ndihmonte dot (II i Mbretërve 5:7).
Përgjigjja e mbretit ishte i njëjti lloj reagimi që ka të ngjarë të tregojnë shumë nga udhëheqësit tanë botërorë teksa udhëtojnë rreth globit, duke kërkuar të bëjnë atë që munden në shërbimin publik. Me siguri që, gjatë orëve të natës, edhe ata duhet të ndihen përbrenda sikur duan t’i shqyejnë rrobat e tyre dhe të thonë: “Si mund ta përballoj këtë dhe të sjell një ndryshim? Si mund të sjellim paqe? Si mund të sjellim një kurë?”.
Mirëpo atë që mbreti nuk mundi ta bënte dot, profeti i Perëndisë mundi. Megjithatë, lebrosit i dukej fyese kura! Naamani po kërkonte diçka madhështore — diçka që do t’i përshtatej pozitës së tij të lartë dhe do t’i jepte atij një ndjesi edhe më të fortë për rëndësinë e tij. Ai mendonte se kura nuk duhej të ishte kaq e thjeshtë, por duhej të ishte më mbresëlënëse. Ai e konsideroi kurën e Eliseut si poshtëruese dhe qesharake.
Edhe pse lebra e vërtetë pothuajse është zhdukur, ne të gjithë ende vazhdojmë të jetojmë me atë sëmundjen e shëmtuar dhe vdekjeprurëse të quajtur mëkat. Megjithatë, shumë njerëz nuk janë më të gatshëm se Naamani për të dëgjuar për kurën. Mesazhi i Krishtit të kryqëzuar, si kura e vetme dhe e mjaftueshme për mëkatin tonë, ishte “nga njëra anë shkandull për judenjtë, nga ana tjetër marrëzi për kombet” (I Korintasve 1:23), dhe kështu vazhdon të jetë edhe për shumë njerëz sot. Edhe besimtarët nuk janë të imunizuar ndaj tundimit për të menduar se, kur bëhet fjalë për një kurë për mëkatin, ne duhet të bëjmë diçka.
Duhet që çdo ditë të hapim sytë për të parë kurën që na nevojitet dhe të dorëzohemi me përulësi, siç veproi Naamani në fund (II i Mbretërve 5:14). Sepse vetëm ai person që e bën këtë, mund ta dijë se fjalët “do të jesh i pastër” i përkasin së shkuarës. Ai mund të gëzohet që Jezusi e sheh dhe i thotë: “Ju jeni të pastër” (Gjoni 13:10-11; 15:3). Mos u shiko në pasqyrë dhe mos mendo se kura gjendet te kush je ti vetë apo te çfarë bën ti; përkundrazi, hidhe vështrimin përmes dritares së besimit, shiko kryqin dhe dije se Jezusi bëri gjithçka.
