7 Mars 2026

“Dhe eunuku, duke iu drejtuar Filipit, tha: ‘Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për vetveten apo për dikë tjetër?’. Dhe Filipi, duke hapur gojën dhe duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli lajmin e mirë për Jezusin.” VEPRAT E APOSTUJVE 8:34-35

Teksa udhëtojmë nëpër faqet e Biblës, e dallojmë që Jezusi nuk erdhi papritur e papandehur. Nga fillimi e deri në fund, Bibla është një libër që ka të bëjë me Të. Në të vërtetë, edhe profetët e Besëlidhjes së Vjetër shkruan për Jezusin nën frymëzimin e Frymës. Nëse i largojmë sytë nga Krishti, atëherë, sado mirë që ta njohim Shkrimin, do të na mungojë qendra, çelësi dhe heroi i tij.

Tek Ungjijtë, Jezusi i drejtoi njerëzit te Besëlidhja e Vjetër për t’i ndihmuar ata që të kuptonin se kush ishte Ai. Në fillim të shërbesës së Tij, njëherë Ai ishte në sinagogë duke lexuar rrotullën e Isaias. Luka na thotë se kur mbaroi, Ai “filloi t’u thoshte” dëgjuesve të Tij: “Sot është përmbushur ky Shkrim në veshët tuaj” (Luka 4:21). Më vonë, kur po u fliste njerëzve që ishin veçanërisht të interesuar dhe i njihnin Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër, Jezusi i paralajmëroi ata: “Ju hetoni Shkrimet, sepse ju mendoni të keni në to jetë të përjetshme, dhe këto janë ato që dëshmojnë për mua” (Gjoni 5:39). Pas vdekjes dhe ringjalljes së Tij, kur takoi disa nga ndjekësit e Vet të dëshpëruar në rrugën për në Emaus, Jezusi, “duke filluar nga Moisiu dhe nga të gjithë profetët, u interpretoi atyre në të gjitha
Shkrimet gjërat që kishin të bënin me veten e tij” (Luka 24:27).

Me fjalë të tjera, Jezusi mësoi qartë se çdo pjesë e Besëlidhjes së Vjetër e gjen fokusin dhe përmbushjen e saj në Të.

Kur lexoni Shkrimet, ju takoni Jezusin, sepse ky libër dëshmon për Të. Edhe nëse studimet tona dhe të kuptuarit e fragmenteve të Besëlidhjes së Vjetër na japin të vërteta etike të mira dhe të rëndësishme për jetën, ekziston një rrezik i madh që të mos dallojmë vetë të Vërtetën, Jezusin. Qëllimi i çdo faqeje të Biblës suaj është që ju të takoni Jezusin, ta njihni Atë dhe të shpallni emrin e Tij madhështor, dhe e gjitha kjo është për lavdinë e Tij.

Në çdo predikim që dëgjoni, në çdo mësim që studioni dhe në çdo fragment të fjalës së Perëndisë që lexoni, pyesni veten: “A më solli te Krishti? A e zbulova Jezusin në këtë pasazh?”. Mos ndaloni së dëgjuari, së studiuari dhe së
lexuari, derisa të mund të përgjigjeni “po”, sepse vetëm në Të i gjejmë thesaret e shpëtimit, të së vërtetës, të urtësisë dhe të ngushëllimit.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 119:17-32