7 Janar 2026

“Vetëm jetoni si qytetarë në mënyrë të denjë  për ungjillin e Krishtit…” FILIPIANËVE 1:27

Mënyra se si vishemi, mënyra se si buzëqeshim ose ngrysemi, mënyra se si e paraqesim veten, toni dhe përmbajtja e të folurit tonë… Çdo ditë, ne u bëjmë vazhdimisht deklarata njerëzve që na rrethojnë në lidhje me atë që ka vërtet rëndësi për ne dhe se ku qëndron me të vërtetë jeta.

Për të krishterët, deklarata të tilla duhet të jenë në harmoni me ungjillin. Kështu, Pali u bëri thirrje filipianëve për të mbushur hendekun mes besimeve të tyre dhe sjelljes së tyre — mes kredos që rrëfenin dhe sjelljes që shfaqnin. Thirrja e Krishtit për ne sot nuk është e ndryshme. Megjithatë, sado të pjekur të jemi në besim dhe sado ta mbushim hendekun, ka gjithmonë më shumë për të bërë.

Fraza e Palit “jetoni si qytetarë” vjen nga folja greke politeuesthe, e cila përkthehet si “silluni”. Rrënja e kësaj fjale vjen nga polis, që do të thotë “qytet”, dhe na jep fjalë të tjera si polici dhe politikë. Në një kuptim shumë real, Pali është i shqetësuar për qytetarinë dhe sjelljen e krishterë. Kur kuptojmë se jemi banorë të qytetit të Perëndisë, mësojmë se ç’do të thotë të jetojmë si të huaj dhe ambasadorë në atë qytet tjetër, në qytetin e njeriut. Kur e mbushim hendekun mes besimit dhe sjelljes, të tjerët do të parashijojnë qiellin përmes ndërveprimeve të tyre me ne.

Pra, ç’lloj deklarate duhet të shpallin veprimet tona? Thjesht këtë: ungjilli i Krishtit është ungjill dashurie. Ne e shohim këtë në fjalët e Gjonit: “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si shlyerje pajtuese për mëkatet tona. Të dashur, nëse Perëndia na deshi kështu, edhe ne e kemi për detyrë ta duam njëri-tjetrin” (I e Gjonit 4:10-11). Me fjalë të tjera, ashtu si Perëndia na do ne, kështu duhet t’i duam edhe ne ata që na rrethojnë — madje edhe ata që ne ose të tjerët priremi për t’i parë si antipatikë ose jotërheqës — dhe këtë duhet ta bëjmë me shpresë dhe gëzim! Ky mesazh dashurie është sfida që na jep Pali.

Jo thjesht në fjalët që thua,

Jo thjesht në veprat që tregon,

Por në më të pavetëdijshmen mënyrë

Jeta jote është për Krishtin pasqyrë.

Prandaj ndaloni dhe mendoni se si do të visheni sot, se kur do të buzëqeshni dhe kur do të ngryseni sot, se si do të silleni sot dhe cili do të jetë toni dhe përmbajtja e të folurit tuaj sot. Ç’lloje deklaratash po i shpallni botës? Qofshin ato të denja për ungjillin e dashurisë!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

I E GJONIT 4:7-21