“Pandehni se erdha për të sjellë paqe në tokë? Jo, jo, po ju them,
përkundrazi, erdha të sjell përçarje.” LUKA 12:51
A erdhi Jezusi për të sjellë paqe në tokë, siç kënduan engjëjt në Krishtlindjen e parë (Luka 2:14)? Apo mos erdhi për të sjellë përçarje, siç thotë Ai Vetë në këtë varg?
Po.
Së pari, le të nxjerrim në pah kontradiktën e dukshme. Mënyra se si Jezusi i përgjigjet pytjes së Tij në këtë varg — “Pandehni se erdha për të sjellë paqe në tokë? Jo…” — duket sikur nuk përputhet as me shpalljen e engjëjve dhe as me udhëzimin që Jezusi u dha ndjekësve të Tij për të qenë paqebërës (Mateu 5:9). Në të vërtetë, duket sikur Jezusi po hedh poshtë theksin e gjithë shërbesës së Tij tokësore, duke e lidhur Veten e Tij me përçarjen dhe ndarjen. Prandaj, si duhet t’i pajtojmë deklaratat e Jezusit që Ai do të sjellë edhe paqe, edhe përçarje?
Ajo që Jezusi donte të thoshte, kur foli për të sjellë përçarje, lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën që Ai përfundoi për të sjellë paqe. Me fjalë të tjera, kur ne e kuptojmë lajmin e mirë — që “Atë që nuk njihte mëkat, Perëndia e bëri mëkat për ne, me qëllim që ne të bëheshim drejtësi e Perëndisë në atë” (II Korintasve 5:21) — nuk mund të jemi më të njëjtët njerëz. Kjo është një punë shumë e madhërishme për të rezultuar në apati.
Kur zemra jonë ripërtërihet, gjithçka rreth nesh ndryshon — vlerat tona, fokusi ynë, qëllimi ynë, ëndrrat tona. Tani jemi pajtuar me Krijuesin tonë dhe jemi në gjendje për të jetuar në paqe me veten. Mirëpo, herët a vonë, ky transformim do të jetë përçarës. Kur tregojmë, kur flasim dhe kur e jetojmë mrekullinë e pajtimit tonë me Perëndinë, ne do të përballemi me përçmim, armiqësi dhe gjykim, madje ndonjëherë kjo do të vijë edhe nga anëtarët e familjes sonë, siç vazhdoi të na paralajmëronte Jezusi (Luka 12:52-53).
Ardhja e Jezusit për të sjellë paqe e nxori në pah përçarjen dhe konfliktin mes Krijuesit dhe krijesave që mbajnë shëmbëllimin e Tij, gjë e cila ka ekzistuar që nga rebelimi i parë i Adamit dhe Evës. Fjalët dhe veprat tuaja, duke qenë se drejtohen nga urdhërimet e qiellit dhe jo nga udhët e kësaj bote, do ta nxjerrin në shesh këtë përçarje. Për shumë prej nesh, përçarja e shkaktuar si rezultat i besimit në Krishtin është një realitet sifdues dhe i dhimbshëm i jetës.
Megjithatë, ka shpresë të madhe për të gjithë ne: synimi përfundimtar i Jezusit nuk është përçarja, por harmonia. Bibla është absolutisht e qartë për faktin që Princi i Paqes një ditë do të mbretërojë përjetë. Ndërkohë, mos u gënjeni nga asnjë iluzion: ndjekja e Jezusit ka një çmim — një çmim të cilin mund ta paguani me fuqinë e Frymës së Shenjtë, madje ta paguani me gëzim, teksa rrezikoni përçarjen, në mënyrë që ta mbani lart ofertën hyjnore të paqes.
