6 Shkurt 2026

“Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne vetë ia falim  kujtdo që na detyrohet…” LUKA 11:4

Në një shikim të shpejtë, kjo kërkesë mund të tingëllojë si një shkëmbim quid pro quo [më jep, të jap] — a thua se falja që u japim të tjerëve na fiton disi të drejtën për t’u falur. Megjithatë, nëse i lejojmë Shkrimet të flasin vetë, do të kuptojmë se e kundërta është e vërtetë. Perëndia fal vetëm të penduarit — ata që ndiejnë trishtim të perëndishëm dhe pendohen për mëkatet e tyre. Cila është një nga provat kryesore të të qenët i penduar? Një frymë falëse! Me fjalë të tjera, kur e falim njëri-tjetrin, ne nuk fitojmë falje; ne tregojmë se tashmë jemi transformuar prej hirit falës të Perëndisë.

Jezusi na mësoi se është e paimagjinueshme që ne të cilëve na është falur kaq shumë, të refuzojmë t’ua falim borxhet të tjerëve (Mateu 18:21-35). Megjithatë, ne jemi ende të tunduar që të mbajmë mëri, të qëndrojmë të zemëruar, “të falim, por të mos harrojmë”. Thuhet se D. L. Moody e ka krahasuar atë ide me dikë që e gropos sëpatën, por e lë dorezën të zbuluar.

Fryma mosfalëse është ndoshta vrasësi më i madh i jetës së vërtetë frymërore. Nëse në zemrat tona ushqejmë në mënyrë aktive armiqësi kundër vëllezërve dhe motrave, atëherë nuk duhet të pretendojmë se po e kërkojmë Perëndinë. Ky qëndrim do ta shuajë flakën e gëzimit të krishterë dhe do ta bëjë gati të pamundur të kemi dobi nga mësimet e Biblës. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Jezusi, në thelb, thotë: Ajo që po them për frymën falëse është një element themelor i lutjes me besim. Kontrolloni jetën tuaj dhe shihni nëse keni të njëjtin qëndrim.

A po mban mëri ose po e përsërit në mendje të keqen që të ka bërë dikush? A ka ndonjë person të cilin nuk e ke falur? Reflekto për faljen që ke marrë dhe kërkoji Perëndisë të të mësojë dhe të të aftësojë të falësh — sepse kur ua fal të tjerëve mëkatet që kanë kryer kundër teje, tregon se e kupton hirin e Tij dhe se je falur me të vërtetë prej Tij.

Si mundet falja Jote të arrijë dhe të bekojë  
   Zemrën që nuk fal,
Që gabimet bluan dhe nuk do ta lejojë  
   Hidhërimin e vjetër të shkojë?
Në dritë flakëruese kryqi Yt zbulon  
   Pak të njohurën të vërtetë,
Sa të vogla borxhet që të tjerët na kanë,  

   Sa i pamasë borxhi që të kemi Ty.
Zot, pastro thellësitë e shpirtit tonë,  
   Mërisë sonë jepi fund;
Pajtuar me Ty dhe me çdo njeri,  
   Paqen tënde jetët tona të shpërndajnë gjithkund.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

MATEU 18:21-35