“…jam mbushur kur mora nga Epafroditi ato që u dërguan nga ju, një aromë erëmirë, një flijim i pranueshëm, i pëlqyeshëm për Perëndinë.” FILIPIANËVE 4:18
Nëse ndaloni për të menduar për të, këtu shihet një ide e mahnitshme: ju mund t’i sillni kënaqësi Perëndisë.
Ky është një mendim marramendës: Krijuesi ynë do të kënaqet me veprimet tona. Megjithatë, Shkrimi na inkurajon të shohim se ky është një realitet. Si të krishterë, ne përpiqemi të jetojmë nën buzëqeshjen e Atit tonë qiellor. Një nga nxitjet më të mëdha biblike për t’iu bindur Perëndisë është që mënyra se si jetojmë mund t’i pëlqejë “Perëndisë… edhe më tepër” (I Selanikasve 4:1) — dhe një nga mënyrat se si mund ta bëjmë këtë është përmes dhurimit tonë bujar, i cili është një flijim “i pëlqyeshëm për Perëndinë”.
Pali e përshkroi dhurimin e kishës filipiane me një terminologji që pasqyronte praktikën e Besëlidhjes së Vjetër për flijimin e kafshëve. Në Besëlidhjen e Vjetër, kur njerëzit e Perëndisë sillnin holokaustet e tyre, këto flijime shoqëroheshin me djegien e temjanit. Prandaj, flijimi lëshonte aromë të këndshme. Në njëfarë kuptimi, kjo përfaqësonte pranueshmërinë dhe ëmbëlsinë e ofertës në sytë e Perëndisë. Në të njëjtën mënyrë, Perëndia i thotë popullit të Tij në shekullin e parë dhe në shekullin e njëzetenjëtë: “Kur dhurimi juaj buron nga një zemër që është në harmoni me zemrën time, ai prodhon një aromë të mirë dhe flijimi juaj më fal Mua kënaqësi.”
Kur marrim parasysh këtë lloj dhurimi, nuk duhet ta kalojmë shumë shpejt fjalën “flijim”. Dhurimi sakrifikues nuk është domosdoshmërisht i njëjtë me dhurimin bujar. Është shumë e mundur të jemi bujarë — siç janë, në fakt, shumë besimtarë — pa ndier ndonjë ndikim në jetën ose rrethanat tona.
Duke theksuar pikërisht këtë gjë për dishepujt e Tij, Jezusi e tërhoqi vëmendjen e tyre te një vejushë nevojtare, teksa ajo po hidhte të dhjetën e saj në arkën e ofertës në tempull. Kur e pa këtë grua të hidhte dy monedha bakri, të cilat nuk vlenin kurrgjë, dhe i krahasoi me dhuratat e njerëzve të pasur pranë saj, Ai tha: “…kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se të gjithë. Sepse të gjithë këta hodhën në vendin për dhuratat prej tepricës së tyre, ndërsa kjo, prej skamjes së saj, hodhi gjithë atë që kishte për jetesën” (Luka 21:2-4). Të pasurit u treguan bujarë; e veja u tregua sakrifikuese. Ajo hoqi dorë nga ajo që kishte, me qëllim që të dhuronte. Dhe Zoti i saj e vuri re dhe u kënaq me atë që pa.
Prej natyre, ne nuk jemi sakrifikues. Mirëpo gjithë udhëtimi i krishterë — në marrje dhe në dhënie, në kujdes dhe ndarje — është i mbushur me hir nga fillimi në fund. Kur japim në mënyrë sakrifikuese nga një zemër që dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë, Ai premton që “të plotësojë çdo nevojë… sipas pasurisë së tij në lavdi në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:19). Kjo do të thotë se reflektimi mbi gjithçka që Perëndia na ka dhënë, mbi gjithçka që Perëndia po na jep dhe mbi gjithçka që Perëndia do të na japë, i hap zemrat tona dhe na mundëson të japim njëherazi me sakrificë dhe me gëzim. Atëherë kur e bëjmë këtë, i falim kënaqësi Perëndisë.
Veprimet e filipianëve dhe raportet e gjendjes së llogarive të tyre bankare treguan se ata e besonin vërtet këtë gjë. Deri në çfarë mase tregohet kjo edhe nga veprimet dhe gjendja e llogarive të tua bankare?
