“…njeriu e gruaja e tij u fshehën nga fytyra e Jahveh-ut Perëndi… Dhe Jahveh-u Perëndi i thirri njeriut dhe i tha atij: ‘Ku je ti?’.”ZANAFILLA 3:8-9 (BIBLA PRO, 2025)
Përtej kufijve etnikë, gjuhësorë dhe gjeografikë, fëmijët kudo e shijojnë kënaqësinë e të luajturit kukafshehtas. Kjo është një lojë universale dhe e pafajshme. Mirëpo loja e parë kukafshehtas në këtë botë nuk ishte as argëtuese dhe as e pafajshme. Ishte diçka tejet serioze.
Pas mosbindjes së Adamit dhe Evës në kopsht, ata u fshehën nga njëri-tjetri pas gjetheve të fikut dhe nga Krijuesi i tyre pas pemëve të kopshtit. Ata u përpoqën t’i mbulonin gjërat — dhe Perëndia erdhi dhe i kërkoi me një pyetje të thjeshtë: “Ku je ti?”.
Kjo pyetje e kthen kokëposhtë supozimin e zakonshëm se njeriu po kërkon Perëndinë, i cili po fshihet diku në gjithësi ose përtej saj. Përkundrazi, ne zbulojmë krejt të kundërtën: jemi ne ata që po fshihemi dhe Perëndia është Ai që vjen për të na kërkuar.
Kjo duket si një pyetje e çuditshme që Perëndia t’ua bënte këtyre njerëzve të parë. Në fund të fundit, a nuk i di Perëndia të gjitha gjërat? Mirëpo Perëndia nuk pyeti se ku ishin Adami dhe Eva që të mund të merrte informacione të reja, por sepse donte t’i ndihmonte ata që ta kuptonin situatën e tyre. Perëndia erdhi më shumë për t’i nxjerrë nga skuta ku ishin fshehur, sesa për t’i dëbuar.
Imagjinoni mënyrat e shumta se si mund të kishte reaguar Perëndia ndaj rebelimit të Adamit dhe Evës. Nëse do të kishte reaguar vetëm me gjykim, Perëndia mund të kishte dhënë menjëherë dënimin me vdekje, për të cilin Ai i kishte paralajmëruar (Zanafilla 2:16-17). Mirëpo është në natyrën e Perëndisë që gjithmonë të tregojë mëshirë; kështu që Ai erdhi me një pyetje të vetme. Kjo është rrezja e parë e hirit të Perëndisë pasi njerëzimi ia ktheu shpinën Atij. Perëndia nuk ua dha menjëherë atë që e meritonin me të drejtë; përkundrazi, nga dashamirësia e Tij e pamasë, Ai u dha atë që nuk e meritonin: një mundësi për të reaguar dhe për t’u kthyer tek Ai.
Asnjëri prej nesh nuk do të ndihej rehat nëse njerëzit tanë më të afërt do të mund t’i shihnin të gjitha mendimet tona më të thella dhe veprimet e mëparshme. Ne mund t’ia fshehim të vërtetën njëri-tjetrit, madje ndoshta edhe vetes. Por të fshihesh nga Perëndia është e kotë. Thjesht nuk ka asnjë mënyrë për t’u fshehur dhe nuk mund t’ia hidhni dot fajin askujt.
Ne nuk duhet ta besojmë gënjeshtrën se Perëndia nuk do t’i shohë mëkatet “e vogla”, të cilat i mbajmë fshehur nga të tjerët. Ai sheh. Në fund të fundit, Ai sheh brenda shpirtrave tanë dhe e di saktësisht se çfarë kemi bërë dhe se ku qëndrojmë. Fatmirësisht, nuk kemi nevojë që të shtiremi sikur mund të fshihemi. Ai vjen te ne me mëshirë, jo me gjykim, sepse “Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë që ta gjykojë botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij” (Gjoni 3:17). A je ngarkuar nga ndonjë mëkat kokëfortë ose turp i fshehtë? A po përpiqesh t’ia fshehësh Perëndisë atë që u ke fshehur të tjerëve? Nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për të hequr dorë nga të fshehurit prej Tij. Dil në dritë. Zbuloje atë që s’mund të mbetet e fshehur para Tij — që Ai ta mbulojë me gjakun e Tij, dhe kështu
të dish se Ai të njeh dhe të ka falur. Ai është një Perëndi i dhembshur dhe shpëtues, që dëshiron një marrëdhënie me ne.
