6 Janar 2026

“Biri im, mbaji fjalët e mia dhe ruaji urdhërimet e mia në veten tënde. Mbaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; dhe ligjin tim si bebja e syve të tu. Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi rrasën e zemrës sate.” FJALËT E URTA 7:1-3

Më duket e rrezikshme të shkoj për të blerë ushqime kur jam i uritur. Atëherë shoh se tundohem për të blerë ushqim që, në rrethana normale, nuk do të më pëlqente aspak. Sipas mbretit Solomon, nuk jam i vetëm: “Kush është i ngopur, e përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri, çdo gjë e hidhur është e ëmbël” (Fjalët e Urta 27:7).

I njëjti parim mund të zbatohet për ndjekjen tonë të pastërtisë. Ka një rrezik real kur i kalojmë ditët tona të uritur frymërisht, sepse nuk jemi ushqyer mirë me fjalën e Perëndisë.

Nëse do të bëjmë ndonjë përpjekje kuptimplotë për të ruajtur pastërtinë tonë, është e domosdoshme që jo vetëm ta lexojmë fjalën e Perëndisë, por ne, gjithashtu, duhet ta çmojmë atë. Solomoni — mbreti i Izraelit, të cilit Perëndia i dha urtësi që ia tejkalonte asaj të kujtdo tjetër (I i Mbretërve 3:3-14) — përdor një gjuhë që nxjerr në pah konceptin e çmuarjes së fjalës së Perëndisë, kur i thotë të birit që t’i “mbajë” fjalët e tij, t’i “ruajë si thesar”, t’i ruajë “si bebja e syve”, t’i “lidhë” dhe t’i “shkruajë” mbi zemrën e tij.

Për të pasur një marrëdhënie të tillë me fjalën e Perëndisë, ne duhet të shkojmë përtej përdorimit të Biblës thjesht si një libër me mësime për të studiuar, si një libër me tekste që na shërbejnë si prova për argumente ose si një libër me premtime të cilit i drejtohemi herë pas here. Çmuarja e fjalës së Perëndisë kërkon që të kemi këndvështrimin e psalmistit, i cili, duke u larguar nga krenarët dhe tallësit e kohës së tij, thotë këtë për njeriun që po ecën me Perëndinë: “…gjen kënaqësinë e tij në ligjin e ZOTIT dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij” (Psalmi 1:2).

Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes gjetjes së kënaqësisë në fjalën e Perëndisë — kur e lejojmë atë të kontrollojë dhe të drejtojë jetën tonë — dhe ruajtjes së zellit për pastërti. Po të mos arrijmë ta çmojmë Shkrimin, pyetja nuk është nëse do të pengohemi në çështjen e pastërtisë, por kur.

Secili prej nesh mund ta mbajë rrugën e vet të pastër duke e fshehur fjalën e Perëndisë në zemër (Psalmi 119:9). A keni një plan për ta mësuar Shkrimin përmendsh? Më lejoni t’ju sfidoj të zotoheni për të mësuar përmendsh një varg nga Bibla, qoftë kjo një herë në dy ditë, çdo ditë, çdo javë ose sido që të vendosni. Bëni një plan dhe zbatojeni. Ushqehuni me fjalën e Perëndisë dhe jini të kënaqur. Çmojini Shkrimet dhe jini të pastër.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 119:1-16