“Ju, burra, duajini gratë tuaja ashtu si edhe Krishti e deshi kishën dhe dorëzoi vetveten për të, me qëllim që ta shenjtëronte…” EFESIANËVE 5:25-26
Prej hirit të Perëndisë, çdo martesë e krishterë ka të bëjë me shumë më tepër sesa me vetë martesën. Qëllimi i martesës njerëzore nuk është që t’i drejtojë njerëzit te vetja, por te martesa përfundimtare e bërë në qiell: te martesa mes Krishtit, Dhëndrit, dhe Kishës, nuses së Tij. Pra, martesa ka të bëjë me qëllimin përfundimtar të Perëndisë, “që t’i përmbledhë të gjitha gjërat në Krishtin: ato në qiej dhe ato mbi tokë, në të” (Efesianëve 1:10). Ja pse Pali u ofron udhëzime specifike bashkëshortëve: që martesa e tyre të mund të shfaqë bashkimin që Perëndia ka për qëllim.
Në martesë, synimi parësor i burrit nuk është që të sigurohet që gruaja e tij të ketë mbështetje fizike dhe emocionale. Sigurisht që kjo është pjesë e përgjegjësisë — mirëpo synimi i tij përfundimtar duhet të jetë që gruaja e tij të përgatitet për të takuar Jezusin.
Prandaj, fjala që përdor Pali për “dashuri” këtu, agape, është e rëndësishme: ajo shpreh vetëflijim dhe vetëpërulje. Dashuria ka të bëjë me atë që japim dhe jo me atë që marrim. Ka të bëjë me atë që u detyrohemi të tjerëve dhe jo me atë që ata na detyrohen neve. Nuk ka të bëjë me kërkimin e asaj që është e mirë për ty; ka të bëjë me dhënien e vetes sate për atë që është vërtet e mirë për gruan tënde, që ajo të mund të jetë “e shenjtë dhe e patëmetë” (Efesianëve 5:27). Ky ishte qëllimi për të cilin Krishti e dha jetën e Tij për kishën e Tij; dhe, si tablo e kësaj, është edhe qëllimi pse burri duhet ta japë veten e tij për gruan e tij.
Mirëpo, nëse ti je një bashkëshort, si e tregon një dashuri të tillë në realitetin e përditshëm të jetës? Një hap praktik është që të kërkosh mungesën e “SHAM”-it. Domethënë, duhet të heqësh dorë nga shpërfillja, fizike, emocionale dhe frymërore — dhe nëse përgjegjësitë e karrierës, të klubit apo të kishës të bëhen pengesë për këtë gjë, atëherë mund të kesh nevojë që t’i rishikosh përkushtimet e tua. Ke nevojë që, gjithashtu, të heqësh dorë nga abuzimi, i cili edhe pse mund të përfshijë mëkate më të rënda, përfshin edhe nënçmimin e gruas sate, të folurin pa respekt, trajtimin e saj me shpërfillje ose të vepruarit sikur ajo është vërtet me fat që është martuar me ty. Përfundimisht, duhet të sigurohesh që të mos e marrësh kurrë martesën tënde për të mirëqenë, gjë që mund të ndodhë shumë lehtë me kalimin e kohës.
Megjithatë, edhe pse kujtesa të tilla praktike janë shumë të dobishme, standardi përfundimtar dhe motivi për të dashur është dashuria në trajtë kryqi që Krishti ka për nusen e Tij. Pa një pamje të qartë të mënyrës se si Jezusi e do kishën e Tij, qëllimet tona më të mira do të luhaten dhe dështimet tona do të na shkatërrojnë. Prandaj, duhet të shohim drejt Krishtit, i cili, edhe pse nuk kishte nevojë për asgjë dhe për askënd, erdhi dhe e dha Veten e Tij për ne që, në nevojën, rebelimin dhe zbrazëtinë tonë, të na rrëmbejë në përqafimin e Tij, të na mirëpresë në zemrën e Tij, të na sjellë në familjen e Tij dhe të na konsiderojë pjesë të nuses së Tij.
A mos thua me vete: “Pse vallë do të më donte Ai mua kështu?”. Nëse po, atëherë ti e dallon se sa e lartë është thirrja që burrat t’i duan gratë e tyre “ashtu si edhe Krishti e deshi kishën”. Prandaj, nëse je bashkëshort ose shpreson të jesh një ditë, kjo duhet të fillojë me lutje: lutje që Fryma e Shenjtë të të aftësojë të mendosh në mënyrë biblike, të jetosh me bindje dhe të duash me të vërtetë pa egoizëm. Nëse je bashkëshorte ose shpreson të jesh një ditë, kjo duhet të jetë gjithashtu lutja jote për bashkëshortin tënd, për hir të gëzimit tënd dhe gëzimit të tij, por mbi të gjitha për lavdinë e Perëndisë.
