“Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin,
por smira është kalbja e kockave.” FJALËT E URTA 14:30
Smira është një kancer frymëror që e shkatërron personin nga brenda.
Pasojat e xhelozisë janë shumë të rënda. Mbreti Solomon nuk i kursen fjalët teksa na paralajmëron për këtë diagnozë me imazhe shumë të gjalla dhe pastaj na drejton te një jetë shëndeti dhe paqeje.
Smira na lëndon. Edhe nëse nuk i bën asgjë askujt tjetër, ajo prapë do ta shkatërrojë atë që e ruan këtë ndjenjë. Smira ndikon perceptimin tonë për të tjerët. Ajo ngjall një frymë kritikuese dhe shkatërrimtare, e cila na bën që t’i shohim të afërmit tanë me një dyshim dhe zemërim të pajustifikuar. Ajo na bën të paaftë për të qenë të lumtur për të tjerët dhe e minon çdo mundësi për të qenë të kënaqur, sepse gjithmonë ekziston dikush që ka më tepër, për të cilin të ndiejmë smirë. Smira na i kalb kockat.
Xhelozia mund të na pushtojë shpejt dhe pa e kuptuar. Shihni, për shembull, apostullin Pjetër. Përpara kryqëzimit, ai i katranosi gjërat duke e mohuar Krishtin tri herë. Gjoni shkruan se, pas ringjalljes së Tij, Jezusi gatoi mëngjesin për Pjetrin dhe disa dishepuj të tjerë në breg të detit, dhe Ai foli me Pjetrin, duke e ripërtërirë marrëdhënien, duke i kujtuar atij thirrjen e Tij për ta ndjekur dhe duke i caktuar si detyrë që të kujdesej për delet e Tij dhe t’i ushqente ato. Nëse do ta kishit pyetur Pjetrin një ditë më parë se ç’dëshironte më shumë zemra e tij, do të kishte qenë pikërisht kjo. Mirëpo si reagoi Pjetri kur Jezusi shtoi se një ditë atij do t’i bëhej thirrje për të dhënë jetën e tij për Zotin? Duke parë nga Gjoni, Pjetri tha: “Zot, po me këtë çfarë do të bëhet?”.
Edhe pse Jezusi ishte plotësisht i vetëdijshëm për rrezikun e xhelozisë, i tha: “Po të dua që ai të rrijë derisa të vij, ç’të duhet ty?! Ti më ndiq!” (Gjoni 21:22)
Sa e lehtë është që, edhe në çastet e sukseseve të mëdha, xhelozia të na infektojë dhe të na bëjë të harrojmë gjithçka që Jezusi ka bërë për ne dhe na ka dhënë neve! Prandaj, si mund të gjejmë ndonjë kurë për këtë kalbje frymërore?
Gjëja e fundit që duam të bëjmë, është gjëja e parë që duhet të bëjmë: shikoje smirën ashtu siç është realisht — mëkat — dhe sille atë nën dritën e pranisë së Perëndisë me anë të rrëfimit. Pastaj duhet ta refuzojmë xhelozinë me lutje, çast pas çasti, ndërkohë që i kërkojmë Frymës së Shenjtë që të na aftësojë për të reflektuar për gjithçka që kemi në Krishtin, derisa të pushtohemi jo nga xhelozia, por nga gëzimi. Ata që i numërojnë bekimet e tyre, janë më të aftë për ta lavdëruar Perëndinë për bekimet që Ai u jep të tjerëve. Një zemër e shëndoshë jep jetë.
Mos lejo që smira jote të të konsumojë përbrenda. Në ç’mënyrë të ka kapur smira? Rrëfeje, lutu për këtë dhe luftoje me të vërtetën e ungjillit.
