4 Shtator 2026

“Për këtë arsye burri do të lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe do të jenë një mish i vetëm. Dhe njeriu e gruaja e vet ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj.” ZANAFILLA 2:24-25

Martesa është një dhuratë e dhënë Perëndia, të cilën ne e kemi njollosur me mëkatin tonë. Këto vargje përshkruajnë një partneritet dashurie me besim të plotë, pa kurrfarë turpi dhe në unitet të përsosur. Fatkeqësisht, një nga efektet e prekshme të jetës sonë në një botë të rënë është që, askund tjetër përveçse nëpër filma, nuk gjejmë një martesë që të karakterizohet plotësisht nga këto tipare. Tragjedia e mëkatit njerëzor është që, prej natyre, ne kemi prirjen për t’i prishur ato gjëra që Perëndia i ka krijuar për të mirën tonë dhe për lavdinë e Tij, duke e humbur kështu bukurinë dhe kënaqësinë e martesës siç e projektoi Perëndia. Mirëpo ka ende shpresë! Ne që jemi besimtarë, Fryma e Perëndisë na aftëson që ta shohim martesën sipas planit të Tij.

Së pari, ne duhet të pranojmë që, jashtë Krishtit, burrat dhe gratë janë në rebelim të hapur kundër qëllimeve të Perëndisë. Nuk është se thjesht jemi të pështjelluar në lidhje me natyrën e martesës; por dëshirat tona mëkatare janë krejtësisht në kundërshtim madje edhe me atë që kuptojmë. Martesa, sikurse na është dhënë në Bibël, shpesh perceptohet si një kafaz, si një kufizim ose si një shpikje njerëzore e sajuar kohë më parë — si një lloj mbetjeje e padobishme nga brezat e shkuar. Nëse e shohim planin e Perëndisë për martesë nën këtë dritë, kjo ndodh për shkak se jemi të prirur që të themi: “Nuk më pëlqejnë planet e Perëndisë. Do ta bëj këtë gjë ashtu si di vetë.”

Megjithatë, kur ne bashkohemi me Krishtin, Perëndia na aftëson që ta shohim martesën sipas planit të Tij. Pavarësisht se çfarë ligjesh miraton një qeveri, Shkrimi është absolutisht i qartë se çdo marrëdhënie tjetër, përveç marrëdhënies monogame dhe heteroseksuale, nuk mund të jetë dhe nuk është martesë përpara Perëndisë, sepse kështu vendosi Ai që duhet të jetë martesa, që në fillim. Fakti që Jezusi e miraton përshkrimin e Zanafillës 2 për martesën, demonstron se në planin e Perëndisë nuk ka ndryshuar asgjë, që nga fillimi e deri tani (Mateu 19:4-6). Ne nuk duhet ta ndryshojmë ose ta përshtatim Biblën, në mënyrë që ajo të përputhet me rrymat shoqërore që e përkufizojnë ndryshe martesën. Edhe pse modeli i Perëndisë për martesën mund të shihet me përçmim nga bota jonë e rënë, nëse besojmë se Bibla është vetë fjala e Perëndisë, atëherë do ta mbajmë lart mësimin e saj — në mënyrën se si zgjedhim ta qeverisim jetën tonë, si flasim dhe si lutemi për marrëdhëniet e njerëzve të tjerë.

Si besimtarë, ne duhet të dallojmë që interesimi i Perëndisë për martesat në të gjitha kulturat tona dhe në çdo kohë, është që ato të reflektojnë dashurinë e Krishtit për popullin e Tij dhe përkushtimin e Tij ndaj tyre (Efesianëve 5:22-25). Ne duhet të mbajmë mend që Jezusi erdhi të ripërtërijë dhe të riparojë çdo gjë që është e thyer dhe e shtrembëruar si rezultat i rënies në mëkat. Vetëm në Krishtin dhe përmes Tij është e mundur që ta shohim martesën sipas modelit dhe planit të Perëndisë. Në vend që të jetojmë sipas mënyrës sonë, në hirin e Tij, Perëndia na ka ftuar që t’i nënshtrohemi me zemër planit të Tij, i cili nuk krahasohet me asnjë tjetër. Për disa, bindja ndaj urdhërimit të Perëndisë në këtë fushë do të kërkojë një sakrificë të madhe personale. Për të gjithë ne që jetojmë në shekullin e njëzetenjëtë, do të duhet guxim që të qëndrojmë të patundur për udhët e Perëndisë përpara njerëzve të tjerë. Në kontekstin dhe rrethanat e tua të veçanta, çfarë do të thotë të mendosh, të flasësh dhe të veprosh në një mënyrë që reflekton planin e Perëndisë për dhuratën e Tij madhështore, martesën?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17