“Bukën tonë të përditshme na e jep çdo ditë.” LUKA 11:3
Nëse buka ka përfaqësuar diçka gjatë historisë, kjo ka qenë ushqimi i përditshëm. Sigurisht që ushqimet e tjera janë shtesa të këndshme për ekzistencën tonë, por kur mendojmë për bukën, shumica prej nesh mendojnë për të si përmbushja e një prej nevojave më themelore të jetës.
Ky lloj të menduari është në përputhje me furnizimin unik të Perëndisë për popullin e Tij. Në Besëlidhjen e Vjetër, përvoja e endjes së izraelitëve nëpër shkretëtirë kërkonte varësinë e tyre të plotë te Perëndia, që Ai t’ua përmbushte nevojat e përditshme. Një nga mënyrat më të prekshme se si ata e përvetësuan këtë mësim ishte nëpërmjet furnizimit nga Perëndia të manës prej qiellit.
Perëndia ia bëri të qartë popullit të Tij se, çdo ditë, Ai do t’u siguronte mana të mjaf tueshme për një ditë dhe vetëm një ditë. Ata nuk duhej të linin asnjë tepricë deri në mëngjes (Eksodi 16:19). Qëllimi i Tij në sigurimin e bukës së përditshme ishte që t’i mësonte popullit të Tij të besonte në furnizimin e Tij. Mjerisht, disa izraelitë e vunë në dyshim faktin që Ai do të bënte atë që kishte premtuar dhe nuk iu bindën Atij, duke mbaj tur pak mana për të nesërmen (sepse vënia në dyshim e premtimeve të Perëndisë të çon gjithmonë në mosbindje ndaj urdhrave të Tij). Ata u zgjuan në mëngjes dhe u përballën me një masë të manës së mbetur, e cila ishte qelbur dhe infektuar nga krimbat (v. 20). Perëndia po i mësonte ata që të mbështeteshin tek Ai dhe të ishin të bindur se Ai do të siguronte për ta. Ky ishte një mësim që do t’u duhej shumë kohë për ta mësuar.
Kur marrim këtë shembull të Besëlidhjes së Vjetër dhe mendojmë për fjalët “Bukën tonë të përditshme na e jep çdo ditë”, kuptojmë se, në këtë rresht të Lutjes së Zotit, Jezusi po thekson një realitet të përjetshëm: në çdo epokë, Perëndia i mëson popullit të Tij që të mos besojë në vetë furnizimin, i cili na lë të dëshirojmë më shumë, por në Furnizuesin, i cili plotëson çdo nevojë tonën.
Perëndia dëshiron që ne të zgjohemi dhe të zbulojmë sërish furnizimin e Tij të përditshëm. Ja pse Ai i udhëzoi izraelitët që të mbanin një masë të vogël nga mana për pasardhësit, duke thënë: “…Mbush me të një omer, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj, që ata të shohin bukën që ju bëra të hani në shkretëtirë…” (Eksodi 16:32). Duke ndjekur këtë udhëzim, një brez mund t’i fliste brezit tjetër për realitetin dhe mrekullinë e furnizimit të Tij të vazhdueshëm e të përditshëm.
Ati, të cilin ne e njohim nëpërmjet Jezusit, kujdeset për nevojat tona personale, praktike dhe materiale. Ndoshta sot në mëngjes u zgjove i rrethuar nga problemet e vazhdueshme dhe i shqetësuar për ngjarjet e ardhshme në jetën tënde. Mbaje mend këtë: ti je shqetësimi personal i Perëndisë dhe mund t’i afrohesh Atij me besim, duke i kërkuar që të të japë gjithçka që është e nevojshme për sot. Pastaj mund t’i besosh Atij që të të japë pikërisht atë që të nevojitet sot, dhe po kështu nesër dhe çdo ditë tjetër. Ti mund ta hedhësh mbi Të gjithë peshën e ankthit tënd, sepse Ai kujdeset për ty dhe siguron për ty (I e Pjetrit 5:7).
