5 Prill 2026

“Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.” EKSODI 19:5

Bindja ka dalë nga moda. Por ajo është thelbësore për jetën e krishterë.

Nuk është e pazakontë të dëgjojmë, madje edhe nga njerëzit më të mirë, qëndrime negative ndaj autoritetit, sepse jetojmë në një epokë antiautoritare. Brenda kishës, ajo që dikur konsiderohej si një pikëpamje e shenjtë për autoritetin e Shkrimit, tani nuk është e pëlqyeshme në mendjet e disave. Megjithatë, atëherë kur përpiqemi ta gjejmë lirinë sipas kushteve tona dhe larg autoritetit të Perëndisë, ne largohemi edhe nga bekimi i Tij.

Kur Adami dhe Eva nuk iu bindën sundimit të Perëndisë në Kopshtin e Edenit, ata u ndanë prej Tij; ata humbën bekimin e pranisë së Tij. Refuzimi i ligjit të Perëndisë gjithmonë ka sjellë dhe do të sjellë ndarje nga Krijuesi ynë dhe tërheqje të bekimeve të Tij. Në kontrast me këtë, rivendosja e sundimit të Perëndisë sjell gjithmonë bekimin e bashkimit dhe të miqësisë që Ai projektoi për popullin e Tij.

Ky premtim i sundimit dhe i bekimit të Perëndisë u përmbush gjatë historisë së Izraelit në dhënien e ligjit të Perëndisë. Bindja e izraelitëve ndaj ligjit nuk kishte për qëllim të ishte një përpjekje e dëshpëruar për të arritur shpëtimin; përkundrazi, ajo ishte një reagim ndaj shpëtimit që tashmë ishte arritur për ta. Perëndia fillimisht zbriti dhe mori popullin e Tij, duke e shpenguar dhe duke e çliruar nga skllavëria në Egjipt — dhe pastaj u dha atyre ligjin.

Me fjalë të tjera, Perëndia nuk e dha ligjin si një mekanizëm për shpengim, as nuk e ofroi si një shteg për t’u bërë një nga njerëzit e Tij. Përkundrazi, pasi i kishte shpenguar izraelitët, Ai ua dha ligjin si një përcjellës të hirit të Tij, në mënyrë që ata të dinin se si të jetonin nën sundimin e Tij dhe ta shijonin me të vërtetë bekimin e Tij. Nëse ky parim përmbyset, gjithçka shkon keq, dhe ne do ta jetojmë jetën nën kontrollin e ashpër të legalizmit, duke menduar gjatë gjithë kohës se përpjekjet tona mund të na vendosin në një pozitë të drejtë përpara Perëndisë. E njëjta gjë mund të thuhet nëse harrojmë se Perëndia na shpëtoi që të mund ta shijojmë jetën nën sundimin e Tij dhe vazhdojmë t’i shpërfillim ligjet e Tij sa herë që ato nuk përshtaten me qëllimet tona, atëherë ne do ta jetojmë jetën tonë duke pyetur veten pse bekimi duket i pakapshëm.

Ligji i Perëndisë nuk na shpëton, por ai është “ligji i përsosur, ligji i lirisë”. Kushdo që i bindet atij, “do të jetë i lum në atë që ai bën” (Jakobi 1:25). Duke qenë se Perëndia na shpëtoi nga mëkati, ne duhet të reagojmë ndaj shpëtimit që na ofron Ai, duke zgjedhur të ecim me bindje të gëzueshme.

Kur me Zotin ne shkojm’
Fjal’ e Tij drita jon’
Çfar’ lavdie ndriçon rrugën ton’!
Kur bëjm’ të Tijin vullnet,
Gjithmon’ pran’ na mbetet,
Dhe m’atë që ka bes’ e bindje.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 119:49-64