“Asnjë, duke u tunduar, të mos thotë: ‘Nga Perëndia po tundohem!’, sepse Perëndia është i patundueshëm nga gjëra të këqija dhe ai vetë nuk tundon askënd.” JAKOBI 1:13
Kur kthehemi në besim në Jezu Krishtin dhe kur lidhjet e mëkatit këputen, një sërë gjërash bëhen menjëherë të vërteta për ne. Ne kalojmë nga vdekja në jetë dhe Fryma e Perëndisë nis të banojë brenda nesh. Ne bëhemi pjesë e familjes së Tij. Ne jemi shpenguar, jemi ndryshuar dhe kemi rilindur. Mëkati nuk mbretëron më në jetën tonë.
Megjithatë, ai vazhdon të jetë i pranishëm.
Kur i besojmë Krishtit, ne nuk nisim të jetojmë një jetë të lehtë, në të cilën përjashtohemi nga sulmet e të Ligut ose nga prirjet e fshehta të zemrave tona. Përkundrazi, nga çasti i kthimit në besim e deri në çastin kur ta shohë Krishtin ballë për ballë dhe të jetë bërë si Ai, i krishteri përfshihet në “një luftë të vazhdueshme dhe të papajtueshme” kundër tundimit.
Shkrimi është plot me paralajmërime rreth tundimit: atë joshje drejt mëkatit dhe së keqes të cilën e përjetojmë të gjithë ne. Tundimi nuk është thjesht joshja nga gjërat që janë të ndaluara dhe të paimagjinueshme, por shtysa për t’i marrë gjërat e mira që na ka dhënë Perëndia dhe për t’i përdorur (ose për t’i keqpërdorur) ato në një mënyrë të tillë që është mëkat kundër Perëndisë. Në librin Letrat e Hirziut, C. S. Lewis-i aludon për këtë lloj fshehtësie të mëkatit kur Hirziu e nxit djallin e tij në trajnim që t’i “inkurajojë njerëzit për t’i marrë kënaqësitë që Armiku ynë [domethënë, Perëndia] ka krijuar, në kohë, në mënyra ose në shkallë, të cilat Ai i ka ndaluar”.
Në Shkrim thuhet qartë se Perëndia nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë burimi i tundimit. Kur Jakobi thotë se “Perëndia… nuk tundon askënd”, ai e ka mbështetur deklaratën e vet mbi karakterin e Perëndisë. Perëndia nuk është i aftë për t’i tunduar të tjerët drejt së keqes, sepse Ai vetë është i patundueshëm prej saj. Tundimi i të tjerëve drejt së keqes do të kërkonte që të ndieje kënaqësi kur bën të keqen, gjë që Perëndia nuk e zotëron.
Fjala e përkthyer “tundim” mund të përkthehet edhe si “sprovë”. Pra, diçka që natyra jonë e rënë mund ta kthejë në një tundim për të mëkatuar, është gjithashtu një sprovë që mund ta forcojë besimin tonë. Kur përballemi me një kohë sprove, gjë të cilën Perëndia e lejon, duhet të kujtojmë se qëllimi i Tij nuk është dështimi ynë, por përfitimi ynë. Djalli dëshiron që ne të dështojmë, por Perëndia dëshiron që të kemi sukses. Ai është në anën tonë dhe po bën që të gjitha gjërat, madje edhe sprovat dhe tundimet, të bashkëveprojnë për të mirën tonë.
Atëherë, me cilat tundime po luftoni rregullisht (ose po u dorëzoheni)? Mësoni t’i shihni ato si tundime, por edhe si mundësi — si çaste për të zgjedhur bindjen, për t’i pëlqyer Atit tuaj, për t’u bërë më të ngjashëm me Krishtin — për të korrur një fitore në luftën tuaj të vazhdueshme. “…bëjini qëndresë djallit, dhe ai do të ikë nga ju” (Jakobi 4:7).
