5 Janar 2026

“Se çdo kryeprift që merret prej mesit të njerëzve, caktohet për njerëzit lidhur me ato gjëra që kanë të bëjnë me Perëndinë, me qëllim që të ofrojë dhurata dhe flijime për mëkatet; … Dhe nuk e merr kush nga vetvetja këtë nder, por e merr duke u thirrur nga Perëndia, sikundërse edhe Aroni. Kështu edhe Krishti nuk e përlëvdoi vetveten për t’u bërë kryeprift, por ia dha ai që i foli atij: ‘Biri im je ti! Unë sot të kam lindur’; ashtu si thotë edhe në një vend tjetër: ‘Ti je prift përjetë  sipas rendit të Melkisedekut.’” HEBRENJVE 5:1, 4-6

Koncepti i priftërisë dhe i sistemit të flijimeve është shumë larg botës sonë perëndimore bashkëkohore, por kuptimi i tij është thelbësor për jetën e krishterë. Praktika e flijimit të kafshëve në Izraelin e Besëlidhjes së Vjetër nuk ishte një sistem i krijuar nga njeriu si një përpjekje e kotë për të arritur te Perëndia dhe për t’i bërë njerëzit të pranueshëm para Tij. Përkundrazi, ai kishte për qëllim ta ndihmonte popullin e besëlidhjes së Perëndisë për të kuptuar karakterin e Tij, pritshmëritë e Tij, si dhe mrekullinë e planit të Tij të shpengimit (dhe në këtë mënyrë mund të na ndihmojë edhe ne sot). Në të gjitha nuancat e atij sistemi, Perëndia po e drejtonte popullin e Tij te vepra e përfunduar dhe e përsosur e Zotit Jezu Krisht, i cili do të vinte si Kryeprifti i Madh i popullit të Tij dhe si flijimi i vetëm i përsosur, i ofruar në vend të tyre.

Historikisht, kryeprifti i Izraelit vinte nga familja e Aronit, vëllait të Moisiut, dhe konsiderohej “kryeprift midis vëllezërve të tij” (Levitiku 21:10). Ky individ duhej të kishte përjetuar të njëjtat kushte shoqërore, presione dhe sprova si burrat dhe gratë që përfaqësonte, gjë që do ta ndihmonte për të qenë një avokat edhe më i dhembshur për llogari të tyre.

Megjithatë, shumë kohë përpara ardhjes së Jezusit, modeli historik i emërimit të kryepriftërinjve ishte korruptuar nga Herodi i Madh dhe nga sundimtarë të tjerë, të cilët e zgjo dhën kryepriftin për veten e tyre. Ata nuk e kuptuan se roli i kryepriftit nuk ishte një nder që jepej nga njeriu, por në fund të fundit ishte një thirrje nga Perëndia, siç kishte qenë për Aronin. Kryepriftërinjtë nuk duhej të përfaqësonin pushtetin politik; ata duhej të përfaqësonin popullin e Perëndisë te Vetë Perëndia.


Ky është një nga faktorët që e bën Jezusin kryepriftin më të mirë: Ai nuk e mori mbi Vete lavdinë e të qenët kryeprift; përkundrazi, Ai u caktua nga Ati. Ai pranoi dhe tha: “Po ta përlëvdoj unë veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Është Ati im ai që më përlëvdon, ai për të cilin ju thoni: ‘Është Perëndia ynë!’” (Gjoni 8:54). Ai duroi përsosurisht të njëjtat vështirësi si edhe ne. Ai ka shkuar para Perëndisë të Gjithëpushtetshëm për mëkatet tona, edhe pse Ai ishte pa mëkat. Me frymë butësie, Jezusi na nxit të ndjekim drejtësinë. Për shkak se Ai ofroi flijimin e përsosur — në të vërtetë, për shkak se Ai ishte flijimi i përsosur — ju dhe unë mund ta shijojmë praninë e Perëndisë tani dhe përgjithmonë. Asnjë mëkat ose vuajtje, asnjë zhgënjim ose dëshpërim, nuk e bën më pak të vërtetë këtë realitet të lavdishëm: ti ke një prift, përgjithmonë, dhe prandaj ke një vend me Të, përgjithmonë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?