5 Gusht 2026

“…Çfarë është kjo që bëre?…” ZANAFILLA 3:13 (Bibla PRO, 2025)

Malësia e Skocisë është e mbushur plot me kështjella të cilat tani janë të pabanuara. Nën dritën e muzgut, nuk është e vështirë të dallosh që dikur këto duhet të kenë qenë vende madhështore. Edhe pse ato nuk kanë më dritare ose perde, e aq më pak banorë, shkëlqimi i këtyre strukturave të lashta flet për lavdinë e tyre të dikurshme, madje edhe tani në gjendjen e tyre të rrënuar.

Kjo botë është e mbushur plot me lavdi të rrënuar, sepse kjo botë është plot me njerëz. Adami dhe Eva ishin kulmi i veprës krijuese të Perëndisë dhe Ai ishte plotësisht i kënaqur me ta. Ata u krijuan me prirjen për të bërë të mirën. Mirëpo kur lakmuan një fron mbi të cilin nuk mund të uleshin dot kurrë — vetë fronin e Perëndisë — panë që u degraduan, e humbën vendin dhe privilegjet për të cilat ishin krijuar që t’i shijonin.

Kur e tundoi Evën, strategjia e parë e gjarprit ishte që të hidhte dyshim mbi atë që kishte thënë Perëndia, duke e sfiduar fshehtazi besueshmërinë e fjalës së Tij — dhe ajo iu dorëzua. Ajo e besoi gënjeshtrën se Perëndisë nuk mund t’i zije besë që Ai do të bënte të mirën. Pasi e kishte mbjellë farën e dyshimit, gjarpri e ujiti atë me ambicie. Sapo u shfaq një thërrime pasigurie në mendjen e Evës, ftesa e krenarisë ishte diçka së cilës ajo nuk mund t’i rezistonte dot.

Ngrënia e frutës ishte e gabuar thjesht sepse Perëndia u kishte thënë të mos e hanin. Me­gjithatë, mundësia për kënaqësi të menjëhershme dukej sikur i kishte bërë Adamin dhe Evën të pandjeshëm ndaj pasojave të dhimbshme të veprimeve të tyre të ardhshme, si dhe ndaj rrëni­mit që do të mbulonte shkëlqimin e tyre të dikurshëm. Pastaj, sikur mosbindja të mos mjaftonte, mes mashtrimit dhe mosbindjes, ata u përpoqën ta hidhnin tej përgjegjësinë.

Edhe ne, ashtu si Adami dhe Eva, kemi prirjen për të hamendësuar se ne, dhe jo Perëndia, jemi gjykatësit finalë për të vërtetën. Sapo të kemi vendosur që duam ta heqim nga froni Perën­dinë Krijues, i cili flet një fjalë të vërtetë dhe autoritare, ne ia mohojmë Atij të drejtën për të kërkuar bindjen tonë. Por kur e refuzojmë sundimin e Perëndisë, ne nuk bëhemi zotëruesit e vetes sonë; ne thjesht e vendosim veten poshtë sundimit të një sëre zotërinjsh më të vegjël: mashtrimit, errësirës, dëshpërimit dhe vdekjes.

“Çfarë është kjo që bëre?” Të gjithë ne e kemi besuar gënjeshtrën se udha jonë është më e mirë se ajo e Perëndisë. Mirëpo Ai ka shkuar deri aty sa ka dërguar Birin e Tij, në mënyrë që ngurtësia e rebelimit tonë të mund të mposhtet nga dashamirësia e Tij, e cila “vlen më tepër se jeta” (Psalmi 63:3). Ai e ka shkëlqyer fjalën e Tij në zemrat tona, që ne të mund ta shohim shkëlqimin e Tij tani dhe përjetë, dhe që të mund të rikrijohemi në shëmbëllimin e Tij dhe të ripërtërihemi në lavdinë që Perëndia ka synuar gjithmonë që ta gëzojnë shëmbëllim­bartësit e Tij. Të parët e mirësisë së Tij dhe hyrja nën sundimin e Tij janë mënyrat se si çlirohemi nga zotërimi i mashtrimit, errësirës, dëshpërimit, madje edhe nga sundimi i vetë vdekjes.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17