4 Gusht 2026

“Por do të vij te ju, kur të kaloj nëpër Maqedoni (sepse kaloj nëpër Maqedoni), dhe ndoshta do të rri me ju, ose edhe do të dimëroj, që ju të më përcillni kudo që të shkoj… Por do të rri në Efes deri për Rrëshajë, sepse më është hapur një derë e madhe dhe vepruese, dhe kundërshtarë ka shumë.” I KORINTASVE 16:5-6, 8-9

Ka shumë arsye për ta admiruar apostullin Pal, mirëpo ja ku është një që përmendet fare pak: ai gjithmonë planifikonte për të ardhmen. Ai nuk linte asgjë pa konsideruar. Ai ishte si një gjeneral që e studionte hartën në komandën e betejës dhe thoshte: “Ku mund të përparojmë tani? Ku mund t’i dërgojmë trupat e tjerë? Ku mund të shkojmë dhe ta gjejmë armikun?”. Për shkak të ambicies së tij të drejtë, ai nuk rehatohej në një vend për shumë kohë.

Ja se çfarë mund të mësojmë nga Pali: nuk ka asnjë vend ideal ku mund t’i shërbejmë Perën­disë, por gjithmonë mund t’i shërbejmë Atij aty ku ndodhemi. Në letrat e tij, Pali shkruan për shërbesën në vende kaq të largëta si Efesi, Maqedonia, Korinti — mirëpo, pava­rësisht nga gjeografia, ai kuptoi se gjithë sa duhej të bënte, ishte të ungjillëzonte jobesimtarët dhe të inkurajonte të krishterët. Kur shërbesa e tij përmbushej në një vend të caktuar, ai e dinte se ishte thirrur të shkonte diku tjetër.

Pali nuk shqetësohej për rehatinë ose volinë. Ëndrra e tij nuk ishte të banonte në një kasolle të vogël buzë detit Adriatik, ku të kalonte vitet e pensionit të tij. Edhe kur ai mund të thoshte: “…më është hapur një derë e madhe dhe vepruese…”, ende “kundërshtarë [kishte] shumë”. Ai i pranoi sfidat ndërsa ato vinin dhe e konsideroi kundërshtimin si një privilegj të madh dhe jo si një pengesë.

Shumë prej nesh janë kushtëzuar për të besuar se, po të jemi në përbashkësi me Perën­dinë dhe po të jemi me të vërtetë në vendin ku duhet të jemi, jeta do të shkojë vaj. Ky mund të jetë një nocion mbizotërues, por është gjithashtu jobiblik. A mendojmë me të vërtetë se mund t’i bëjmë ballë Satanit dhe të mos bëhemi shënjestër e shigjetave të tij të zjarrta? A mendojmë se mund ta pushtojmë territorin e armikut dhe të mos përballemi me kundërshtim? Nuk jemi thirrur për të qenë njerëz që jetojnë plot vetëkënaqësi në komu­nitete të këndshme dhe të rehatshme të krishtera, të cilat nuk e njohin kundërshtimin. Është e mundur që ta ftohim zellin e dëshmisë sonë aq shumë, sa të bëhemi të paefektshëm për Krishtin, mirëpo nuk ka pse të ndodhë kështu dhe as nuk duhet të ndodhë.

Të njëjtat kushte me të cilat u përball Pali, na rrethojnë edhe sot: idhujtaria, imoraliteti seksual, racizmi, urrejtja fetare dhe shumë ligësi të tjera. Pavarësisht se ku ju vendos Perëndia, ju keni mundësi për t’i shërbyer mbretërisë së Tij edhe në mes të kundërshtimit. Siç tha dikur edhe miku im i dashur Eric Alexander: “Nuk ka asnjë vend ideal ku mund t’i shërbesh Perëndisë — përveç vendit ku të ka vendosur Ai!”.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17