4 Prill 2026

“O burra izraelitë, dëgjoni këto fjalë: Jezus nazaretasin…” VEPRAT E APOSTUJVE 2:22

Me kalimin e viteve, kam zhvilluar një prirje edhe më të madhe për t’u zgjuar në mes të natës. Kur më del gjumi, shpesh më përfshin shqetësimi — dhe, siç ndodh me pastorët, një nga shqetësimet e mia është ky: A po e shoh Krishtin në çdo pjesë të Shkrimit dhe a po e jap mësim Krishtin nga çdo pjesë e Shkrimit?

Është e mundur që ta studiojmë Biblën pa e pasur Krishtin si fokusin tonë. Ne mund të krenohemi që e kuptojmë Biblën në një mënyrë shumë sistematike, mirëpo kur veprojmë kështu, rrezikojmë të dashurohemi aq shumë pas metodës sonë, saqë nuk arrijmë të shohim Krishtin.

Te Veprat e Apostujve 2, kur i drejtohet turmës, Pjetri thotë: “O burra izraelitë, dëgjoni këto fjalë…” (Toni i tij tingëllon si autoritar, apo jo?) Pastaj vëreni se çfarë vjen më pas: “Jezus nazaretasin…” Pjetri nuk fillon duke iu drejtuar nevojave të çastshme të njerëzve ose duke u paraqitur atyre të gjitha përfitimet praktike të ungjillit dhe as nuk fillon duke parashtruar një sërë doktrinash ose një sërë propozimesh. Përkundrazi, ai vazhdon të tregojë se kush është Jezusi, pse erdhi Jezusi dhe çfarë bëri Jezusi.

Mësimi i Pjetrit i drejtohej zemrës, ishte i rrënjosur në hir dhe i përqendruar në Krishtin. Një mësim i tillë vjen me një çmim — një çmim që jo të gjithë janë të gati për ta paguar. Është shumë më e lehtë të flasësh për çështjet e ditës, sesa ta njohësh dhe të flasësh me të vërtetë për Krishtin. Ndonjëherë, në kishat që kanë respekt të thellë për Biblën, ne ndihemi më rehat të flasim për doktrinat tona të parapëlqyera sesa për Krishtin, i cili shpesh na shqetëson dhe e sfidon stilin tonë të jetesës. Megjithatë, gjëja më e vështirë për t’u bërë është edhe gjëja e duhur për t’u bërë. Ç’humbje e tmerrshme energjie që të fitosh njohuri ose të japësh udhëzime për pothuajse gjithçka, përveçse jo për historinë shpëtuese të Jezusit!

Shkrimi e gjen fokusin dhe përmbushjen e vet në Krishtin. Prova e vërtetë se sa thellë po banon fjala e Perëndisë brenda nesh nuk është aftësia jonë për të shprehur qartë një rrjedhë historie, por për ta parë Jezusin në të gjitha Shkrimet. Ai nuk është vetëm fillimi i besimit të krishterë, por edhe tërësia e tij. Syno të shkosh më thellë në Krishtin dhe jo të shkosh përtej Tij.

Ndoshta kjo duhet të jetë lutja jonë sa herë që i shfletojmë faqet e Biblës sonë:

Më shumë për Jezusin dëshiroj të di,
T’u tregoj të tjerëve më shumë nga hiri i Tij;
Më shumë plotësinë e Tij shpëtuese ta shoh,
Më shumë nga dashuria e Atij që për mua vdiq, të njoh.
Më shumë për Jezusin të mësoj,
Më shumë vullnetin e Tij të shenjtë ta dalloj;
Frymë e Perëndisë, eja më mëso,
Gjërat e Krishtit m’i trego.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

LUKA 24:13-35