4 Mars 2026

“…a nuk duhej edhe ti ta mëshiroje shokun tënd skllav, ashtu si edhe unë të mëshirova ty?” MATEU 18:33

Një person i falur duhet të jetë një person falës — dhe, meqenëse falja nuk na vjen natyrshëm, kemi nevojë që këtë ta dëgjojmë vazhdimisht.

Me fjalë të tjera, ne falim sepse Perëndia, nëpërmjet Jezusit, na fal ne. Bibla e bën plotësisht të qartë se falja nuk buron nga ndonjë meritë njerëzore dhe nuk është rezultat i përpjekjeve tona për të qenë të hirshëm dhe falës ndaj të tjerëve; përkundrazi, falja vjen nga hiri i Perëndisë.

Prandaj, shpirti falës është një nga provat kryesore që dikush është penduar vërtet për mëkatet e tij. Në mënyrë të ngjashme, nëse ushqejmë vazhdimisht armiqësi, mëri dhe hidhësi në zemrat tona, jo vetëm që dëmtojmë jetën tonë dhe rrezikojmë marrëdhëniet tona, por sinqerisht vëmë në pikëpyetje nëse e kemi zbuluar ndonjëherë me të vërtetë
natyrën e faljes së Perëndisë.

Është e pamundur të ofrojmë falje të vërtetë nëse nuk e kemi përjetuar vetë dhe është e pamundur të mos falim nëse e kemi përjetuar faljen. Ajo do të rrjedhë nga zemrat tona vetëm pasi të jemi ndryshuar me anë të hirit të Perëndisë dhe të kemi marrë parasysh ofendimin tonë të stërmadh kundër Tij. Kur ndodh një transformim i tillë, mëkati i të tjerëve kundër nesh do të ketë më pak rëndësi, pasi Perëndia na aftëson që të falim ashtu siç jemi falur.

Ky është parimi pas shëmbëlltyrës së Jezusit për shërbëtorin te Mateu 18, i cili, pasi i ishte falur një borxh aq i madh në shekullin e parë, sot i barasvlershëm me tetë miliardë dollarë, refuzoi të falte një borxh prej njëzet mijë dollarësh. Jezusi dëshiron që ta shohim paarsyeshmërinë e shërbëtorit, të cilit i ishte falur një borxh kaq i madh, në refuzimin për t’ia falur borxhin shokut të vet. Nëse shohim borxhin e shokut të vet, ai ishte i konsiderueshëm, por kur e krahasojmë me borxhin e madh që iu fal shërbëtorit, ajo ishte një shumë e vogël. Po kështu, është e paimagjinueshme që ne të cilëve na është falur një borxh kaq i madh ofendimi kundër Perëndisë, të mos i falim të tjerët.

Po ta kemi përjetuar mëshirën e Perëndisë, atëherë sigurisht që nuk duhet ta shpërfillim dhënien e faljes. Duke falur të tjerët, ne gëzojmë plotësinë e faljes së Perëndisë. Hiq dorë nga tundimi për t’i mbajtur shënim mëkatet, gjë që je i prirë ta bësh. Kur kjo është e vështirë, për shkak se gabimi që të kërkohet të falësh ishte serioz, shih borxhin që të ka falur Perëndia dhe shiko se nga çfarë hoqi dorë Ai për ta bërë këtë — dhe kjo do të të japë mundësi që edhe ti të tregosh mëshirë. Sigurisht, nëse Perëndia të ka falur, Ai do ta derdhë hirin dhe mëshirën e Tij për të të ndihmuar që të ecësh në harmoni me të tjerët.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

MARKU 11:20-25