“Dhe ai që rrinte ulur mbi fronin, tha:
‘Ja, po i bëj të gjitha të reja!’…” ZBULESA 21:5
Të gjithë njerëzit dëshirojnë të dinë se si përfundon historia. Libri i Zbulesës na jep mundësinë për të shkuar drejt e në faqen e fundit, që të mund të ecim drejt fundit të historisë me besim, siguri dhe gëzim edhe më të madh.
Shkrimi tregohet shumë i qartë se e gjithë historia po shkon drejt një synimi përfundimtar. Kjo është një çështje shumë domethënëse; Perëndia i ka krijuar burrat dhe gratë që të dinë se ka diçka pas vdekjes. Në të vërtetë, Ai ka vendosur përjetësinë në zemrat tona (Predikuesi 3:11).
Çdo fe dhe botëkuptim përpiqet ta kuptojë historinë. Për shembull, hinduizmi mëson se realiteti në të cilin e gjejmë veten, nuk po shkon drejt një destinacioni, por, në fakt, po përsëritet në cikle — pra, që historia është ciklike. Natyralizmi ateist argumenton se historia nuk ka as model, as qëllim dhe as synim; historia është thjesht rrëfenja e atomeve që riorganizohen (po kështu jemi edhe ne). Megjithatë, të krishterët e dallojnë që Bibla e tregon historinë si diçka lineare: ka pasur një pikë fillimi, do të ketë një pikë fundi dhe ka një qëllim në drejtimin e saj. Jeta, vdekja, ringjallja dhe kthimi i Krishtit janë tema qendrore e gjithë historisë. Prandaj, e gjithë historia e njerëzimit duhet të shikohet brenda këtij kuadri. Jezusi do të kthehet; Ai do ta përmbushë planin e përjetshëm të shpëtimit të Perëndisë dhe do të sjellë mbretërinë e Tij të përsosur. Ai do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja dhe të përsosura.
Çfarë është mbretëria e përsosur që sjell Jezusi? Kjo është një mbretëri që ka në qendër kryqin e Tij. Është një mbretëri që ndryshon zemra dhe jetë, dhe qytetarët e saj bien përmbys përpara Jezusit si Mbret. Kjo është një mbretëri dashurie dhe drejtësie, dhembshurie dhe paqeje. Kjo mbretëri po rritet dhe po arrin deri në skajet e dheut — dhe kur të vijë koha e caktuar, të cilën ne nuk e dimë, Perëndia Atë do t’i japë Birit të Tij kombet si trashëgimi (Psalmi 2:8).
Madje edhe tani, Perëndia po e përmbush planin e Tij sovran dhe misterin e vullnetit të Tij. Kur Gjoni shkruan në lidhje me kohët e fundit, ai na kujton që “shpëtimi i përket Perëndisë tonë” (Zbulesa 7:10). Nëse shpëtimi do t’i përkiste dikujt tjetër ose nëse do të ishte lënë në duart e fatit, plani i Perëndisë mund të mos përmbushej. Mirëpo Ai është autori i historisë dhe sundimtari i së ardhmes. Qëllimi i Tij është ta shpëtojë popullin e Tij dhe Ai do ta bëjë këtë. Një ditë do ta dëgjojmë Atë të thotë: “U bënë” (21:6).
Perëndia e ka nisur punën e shpëtimit tonë përmes vdekjes dhe ringalljes së Jezusit, dhe një ditë Ai do t’i sjellë të gjitha gjërat nën një Krye të vetëm, që është Jezusi. Prandaj, nëse jemi bashkuar me Krishtin, “ne stërfitojmë” (Romakëve 8:37), dhe kemi mundësi të mbretërojmë përgjithmonë me Birin. Si reagojmë ne ndaj kësaj? Me besim, siguri dhe gëzim! Edhe pse nuk e dimë se si do të shkojnë jetët tona, ne e dimë se si përfundon historia — dhe se si fillon përjetësia. Prandaj lutemi me pritshmëri të madhe: “Ati ynë që je në qiej… ardhtë mbretëria jote…” (Mateu 6:9-10).
