31 Mars 2026

“Kur Izraeli mbaronte së mbjelli, midianitët bashkë me amalekitët dhe bijtë e lindjes
niseshin kundër tij… Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të
Midianit dhe bijtë e Izraelit i klithën ZOTIT.” GJYQTARËT 6:3, 6

Kur jemi të pafuqishëm, jemi në vendin më të mirë për të mësuar se ç’është besimi i vërtetë. Në fillim të kapitullit 6 te Gjyqtarët, populli i Izraelit sërish bëri “atë që është e keqe në sytë e ZOTIT” (v. 1). Ata ishin vetëngujuar në një cikël të përsëritur rebelimi dhe pendimi, duke qenë të ngadaltë për të mësuar dhe të shpejtë për të harruar se rrethanat e tyre të vështira shpesh lidheshin me mosbindjen e tyre. Në fund të fundit, izraelitët e kishin të vështirë ta kuptonin se Perëndia do t’i lejonte ata të vinin në një pikë ku reagimi i tyre i vetëm do të ishte të këlthisnin për ndihmë, që Ai të mund t’i sillte në përbashkësi me Veten, për lavdinë e Tij dhe për të mirën e tyre. Ai e bën këtë edhe për ne sot, duke i përmbushur qëllimet e Tij në jetën e atyre që e dinë se janë të pafuqishëm. Ata që e dinë se
janë “të varfër në frymë”, dhe jo ata që mendojnë se janë të vetëmjaftueshëm, janë njerëzit të cilëve Jezusi ua premton mbretërinë (Mateu 5:3).

Disa prej nesh besojnë gabimisht se, nëse thjesht e ndjekim Jezusin, gjithçka do të shkojë vaj. Thellë brenda vetes, ne mendojmë se Perëndia do të ndërhyjë gjithmonë dhe menjëherë për t’i hequr tej vështirësitë. Kur Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve tona si dhe kur duam ne, pyesim veten nëse mund të vazhdojmë të besojmë se Ai e di ç’është më e mira. Ndoshta këtë po përjetoni sot.

Në mënyrë të përsëritur nëpër faqet e Shkrimit, Perëndia premton të na vijë në ndihmë kur ne ia kërkojmë: “Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën. ZOTI do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde. ZOTI do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë” (Psalmi 121:6-8). Këto janë garancitë që na jep fjala e Perëndisë. Megjithatë, mënyra se si Ai i përmbush këto premtime shpesh ndodh përgjatë një terreni shkëmbor, mes luginave të errëta dhe në dhomat e parehatshme të pritjes.

Kur Perëndia ndërveproi me njerëzit e Tij te Gjyqtarët, Ai i ktheu ata përsëri te fjala e Tij, duke i bindur. Profeti, duke folur vetë fjalët e Perëndisë, u kujtoi izraelitëve atë që duhej të dinin: “…Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë… dhe ju thashë: ‘Unë jam ZOTI, Perëndia juaj…’” (Gjyqtarët 6:8, 10). Por më pas, tregimi merr një kthesë, pikërisht atëherë kur presim gjykimin e Perëndisë, lexojmë se “Engjëlli i ZOTIT iu shfaq” me këto fjalë mëshire: “ZOTI është me ty” (v. 12).

Ku do të ishim nëse Perëndia do të na jepte gjykimin që meritojmë, në vend që ditë pas dite të na shfaqte mëshirën e Tij? Ai nuk i dha popullit të Izraelit atë që ata meritonin, dhe as nuk e ka bërë këtë me ju dhe mua. Mëshira dhe hiri i Perëndisë nuk kanë fund. Por në mirësinë e Tij, Ai shpesh i përdor gjërat e vështira në jetën tonë, për të na mësuar
se Ai është gjithçka që na nevojitet. Heqja e diçkaje të mirë na shkakton dhimbje, por, gjithashtu, mund të na bëjë që t’i këlthasim Perëndisë dhe të gjejmë tek Ai forcën, paqen dhe shpresën tonë. Klithi Atij për ndihmë, duke qenë i mbushur me shpresën se Perëndia që të dëgjon, e di me të vërtetë se ç’është më e mira. Zoti është me ty!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ROMAKËVE 5:1-11