“Me anë të besimit, me t’u thirrur Abrahami, u bind për të dalë drejt një vendi
që kishte për të marrë si trashëgimi; dhe doli duke mos e ditur
se ku po shkonte.” HEBRENJVE 11:8
Nëse kërkojmë ta kuptojmë më mirë se ç’do të thotë ta vësh besimin në veprim dhe të kapesh pas fjalës së Perëndisë, atëherë nuk ka nevojë që të shohim më larg se jeta e Abrahamit. Në Librin e Romakëve, Ai përshkruhet si atë i të gjithë atyre që kanë besim (Romakëve 4:16). Ai ishte “plotësisht i sigurt se çfarë Perëndia ka premtuar, është i fuqishëm edhe për ta bërë” (v. 21), dhe ky ishte besimi i patundur që e nxiti të bindej dhe të vepronte.
Thirrja e Perëndisë drejtuar Abrahamit ishte e kushtueshme dhe radikale: “Por ZOTI i tha Abramit: ‘Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj’” (Zanafilla 12:1). Abrahamit iu kërkua të linte vendin, miqtë dhe farefisin e tij — në thelb, gjithçka që njihte dhe e kishte të shtrenjtë. Megjithatë, Perëndia nuk u ndal vetëm me urdhrin. Ai premtoi ta bekonte Abrahamin në tokën e re, ta bënte atë “një komb të madh” dhe ta bënte të madh emrin e tij (v. 2).
Dhe Abrahami iu bind dhe shkoi.
Pse do të zgjidhte ndokush që ta bënte këtë? Abrahami nuk kishte asgjë tjetër përveç urdhrit të Perëndisë dhe premtimeve që e shoqëronin. Por kjo i mjaftoi! Ky është besimi në veprim. Ky është besimi në çdo ditë dhe në çdo brez: të kapesh pas fjalës së Perëndisë dhe të ecësh me bindje.
Mbaj mend që dikur e dëgjova predikuesin skocez Graham Scroggie të thoshte: “Rrallëherë ndodh që një burrë apo një grua të mbetet aty ku e gjen thirrja e Perëndisë. Në të vërtetë, nëse nuk arrijmë të shkojmë përpara kur Perëndia thotë “Shko”, ne nuk mund të qëndrojmë të palëvizshëm.” Refuzimi për të dalë dhe për të vepruar me besim rezulton në lëvizje prapa, edhe nëse nuk bëjmë asnjë hap.
Megjithatë, Abrahami eci përpara. Ai u largua me bindje, “duke mos e ditur se ku po shkonte”. Atij i mjaftoi që Perëndia i kishte thënë të shkonte, prandaj nuk kishte nevojë që t’i tregohej se ku do të përfundonte. Dhe duke dalë me besim, Abrahami hyri në zemër të planit të Perëndisë për të shpëtuar popullin e Tij dhe për të sjellë bekim në botën e Tij. Abrahami do të zbulonte se i vetmi vend ku duhet të jesh, është aty ku të do Perëndia, dhe se i vetmi qëllim që duhet të kërkosh të përmbushësh ndonjëherë, është ai që Perëndia të ka bërë të njohur.
A ju ka folur Perëndia nëpërmjet fjalës së Tij se si të hidhni hapa me besim dhe bindje ndaj udhëheqjes së Tij? Atëherë, sot “po të dëgjoni zërin e tij, të mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në rebelim” (Hebrenjve 3:15). Urdhri i Perëndisë mund të jetë krejtësisht në kundërshtim me gjithçka që keni planifikuar dhe menduar, dhe mund t’ju kërkojë të lini pas gjithçka që përfaqëson siguri për ju — por nëse Ai po ju thërret, ju duhet të shkoni.
