1 Gusht 2026

“Më e lehtë është që një deve të kalojë përmes një vrime gjilpëre,
sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.”
MARKU 10:25

Në përgjithësi është e vërtetë që gjërat janë më të lehta për të pasurit. Paraja hap shumë dyer. Në shumicën e sferave të jetës — arsim, kujdes shëndetësor, udhëtim, kohë e lirë — zbulojmë se ingranazhet vajosen kur ke shumë para. Prandaj nuk është habi që shpesh paraja konsiderohet si pasaporta universale!

Mirëpo ekziston një derë e rëndësishme të cilën pasuria nuk do ta hapë automatikisht. Pasaniku i ri zbuloi se, në kërkimin e jetës së përjetshme, pasuria e tij nuk ishte një dobi, përkundrazi, ishte pengesë që ai të hynte në mbretërinë e Perëndisë. Udha e tij drejt shpëtimit ishte bllokuar nga mosgatishmëria për të hequr dorë nga zotërimet e tij dhe për të ndjekur Jezusin, prandaj u largua i trishtuar nga biseda me Mesian, me pasuri të pacënuar, por me shpirtin e tij në rrezik (Marku 10:22).

Trishtimi i këtij burri u tejkalua nga trishtimi i Jezusit. Ai e dalloi se sa e lehtë është që të mbështetesh te zotërimet dhe të humbasësh atë që vërtet ka rëndësi. Mënyra se si Jezusi e pa këtë sundimtar të ri dhe të pasur përputhej me mësimet e Tij në pjesë të tjera të Un­gjijve. Për shembull, në një rast të caktuar, Ai tregoi historinë e bujkut që i prishi hambarët e vjetër, për të ndërtuar hambarë edhe më të mëdhenj (Luka 12:13-21). Kjo ishte zgjedhje me vend, por ky burrë, në marrëzinë e tij, u mbështet te pasuria e vet për të përcaktuar gjendjen e tij frymërore, duke thënë: “…O shpirt, ti ke shumë të mira të vëna mënjanë për shumë vite; çlodhu, ha, pi, festo!” (v. 19) — dhe Jezusi tha se ai ishte i pamend, sepse nuk ishte gati për vdekjen dhe nuk mund ta shmangte dot atë me para (v. 20). Në fund të fundit, “Sepse çfarë do t’i leverdisë njeriut po të fitojë tërë botën dhe ta bjerrë jetën e vet? Ose çfarë do të japë njeriu në këmbim të jetës së vet? (Mateu 16:26).

Shumë shpesh, edhe ne jemi fajtorë, sepse e gjejmë sigurinë tonë te “gjërat”. Këtë mund ta bëjmë duke mbledhur burime për veten tonë ose edhe përmes dhurimit filantropik për hir të reputacionit tonë. Megjithatë, sido që të jetë, në kërkimet tona ndodh shumë lehtë (nëse parafrazojmë këngën “Zoti Biznesmen”) që t’u japim vlerë gjërave të pavlera, ndërsa i shpërfillim ato që realisht janë të paçmueshme.

Asnjë nga gjërat që ju dhe unë kemi ose bëjmë, nuk mjafton që të paguajmë çmimin për t’i shpëtuar vdekjes dhe për të hyrë në jetën e përjetshme. Pas largimit të pasanikut të ri, Zoti Jezus u tha dishepujve të Tij: “…Për njerëzit është e pamundshme, por jo për Perën­dinë, sepse të gjitha janë të mundshme për Perëndinë” (Marku 10:27). Rreziku i pasurisë është që na bën krenarë dhe të mbështetemi te vetja, duke harruar se Perëndia dhe vetëm Perëndia na shpëton.

A do të jesh i gatshëm për të hequr dorë nga pasuria jote (çfarëdo qoftë ajo), nëse Jezusi do të të kërkonte që ta bëje këtë për kauzën e Tij? Apo do të hezitoje për shkak se kërkesa do të ishte shumë e madhe dhe çmimi shumë i lartë për t’u paguar? Pendohu për çdo mënyrë që je mbështetur në pasuritë e tua dhe ngazëllohu në shpëtimin që vjen për hir të mëshirës së Perëndisë. Ne e dimë se çfarë mund të bëjë Perëndia. Ai nuk do ta përzërë kurrë cilindo që vjen tek Ai.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17