“Prandaj, të mos kesh turp për dëshminë e Zotit tonë, dhe as për mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë; të atij që na shpëtoi dhe që na thirri me një thirrje të shenjtë…” II TIMOTEUT 1:8-9
Është shumë e lehtë të kesh turp — të kesh turp për Mjeshtrin, për shërbëtorët e Mjeshtrit dhe për mesazhin e Mjeshtrit. Prandaj, është një sfidë e madhe të dëgjosh se si Pali e nxit Timoteun dhe ne me fjalët “të mos kesh turp”.
Të folurit e paqartë për fenë, Perëndinë dhe përshpirtshmërinë tolerohet gjerësisht në kulturën perëndimore; ne shpesh dëgjojmë ose lexojmë lloj-lloj deklaratash të paqarta, të cilat duket se janë disi të lidhura me ungjillin. Megjithatë, ajo që është e papranueshme për standardin e shoqërisë, është një deklaratë e qartë se nuk ka shpëtim në askënd tjetër, përveçse në Jezu Krishtin. Nëse je gati të shpallësh bashkë me Pjetrin se “në asnjë tjetër nuk është shpëtimi, sepse nuk ka as edhe një emër tjetër nën qiell, që është dhënë ndër njerëz, në të cilin ne duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12), atëherë fjala që Pali i drejton Timoteut do të jetë një fjalë që vlen edhe për ne: “…hiq keq bashkë me mua për ungjillin…”
Në njëfarë kuptimi, ftesa e Palit për t’u bashkuar në privilegjin e vuajtjes për ungjillin është shqetësuese për ne. Ajo qëndron në kontrast të plotë me triumfalizmin e krishterë të ditëve tona, i cili gjithmonë kërkon ta paraqesë jetën e krishterë me ngjyra të ndezura. Të shumtë janë ata që duan thjesht të pranojnë dhe të pohojnë fuqinë e Perëndisë për të shëruar, për të kryer mrekulli dhe për ta udhëhequr popullin e Tij drejt fitores. Sidoqoftë, Bibla dhe përvoja njerëzore na tregojnë se në shumicën dërrmuese të rasteve — duke lënë mënjanë vdekjen si shërimin përfundimtar — ata për të cilët jemi lutur, do të vazhdojnë të vuajnë dhe të jetojnë në mes të ditëve të vështira. Ne duhet të themi të vërtetën: sipas fjalëve të John Newton-it, i krishteri duhet të kalojë në çdo “vështirësi, rrezik edhe mundim”15 — dhe gjithmonë ka më shumë sprova tej horizontit, sidomos nëse duam t’i rrimë besnikë thirrjes për ta predikuar ungjillin deri në fund të dheut (Veprat e Apostujve 1:8).
Prandaj, si duhet të ngulmojmë kur vuajmë për ungjillin? Është fuqia e Perëndisë, nëpërmjet hirit të Perëndisë, ajo që na mban deri në fund. Tekstet e Newton-it flasin për këtë realitet: “Ish’ veç ky hir që m’ka shpëtu’ e m’çon drejt vendit tim.” Një e vërtetë e mrekullueshme!
Perëndia të ka shpëtuar dhe Ai mund të të mbajë fort në mes të vuajtjes. Perëndia të ka dërguar dhe Ai mund të të japë kurajë kur të të bëhet thirrje për të dëshmuar të vërtetën rreth Tij. E vërteta e fuqisë së Tij mbështetëse është në gjendje për të ta trazuar zemrën dhe për të ta transformuar jetën. Në mes të ditëve të vështira dhe plot dyshime, ti mund të kapesh pas këtij realiteti si një fortesë për shpirtin tënd. Dhe kur tundohesh të tërhiqesh dhe të mos qëndrosh për Mjeshtrin tënd, për shërbëtorët e Tij ose për mesazhin e Tij, mund të shikosh drejt fuqisë së Tij, duke bërë një lutje të heshtur që, ndërsa e hap gojën për të folur, dëshmia jote të jetë e efektshme. “Mos ki turp!”
