“…As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as të zhburrëruar seksualisht, as ata që shkojnë me meshkuj, as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as grabitqarë, nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emrin e Zotit Jezu Krisht dhe në Frymën e Perëndisë tonë.” I KORINTASVE 6:9-11

Prova që e vërteton krishterimin qëndron në fuqinë e tij. Vetëm fuqia e Krishtit mund t’i marrë burrat dhe gratë, që janë të humbur në turp, dhe t’i bëjë bij dhe bija të Perëndisë. Nuk ka asnjë thellësi faji ku mund të zhytet dikush dhe asnjë shkallë poshtërimi që mund të ndiejë dikush, që t’i vendosë ata përtej hirit falës të Perëndisë.

Ndërsa Pali përmbyll një listë të gjatë e të shëmtuar, ai deklaron: “…të tillë ishit disa.” Kjo deklaratë është një klithmë triumfi, jo keqardhjeje. Ajo është në kohën e shkuar, jo në të tashmen. Pse? Për shkak të fuqisë transformuese të Jezusit. Asnjë burrë nuk mund ta ndryshojë dot veten e tij; asnjë grua nuk mund ta ndryshojë dot veten e saj — mirëpo Jezusi mund t’i ndryshojë ata!

A besojmë me të vërtetë se mund të ndodhë një transformim i plotë personal? Ne tundohemi që t’u ofrojmë njerëzve rregullime kozmetike, por u themi atyre se tani u duhet të çalojnë gjithë jetën për shkak të mëkateve të tyre të shkuara, ose t’i sigurojmë ata se janë të shpëtuar me anë të hirit, por tani duhet të mundohen fort që ta ndryshojnë veten e tyre. Ku i gjetëm mesazhe të tilla? A u tha Jezusi njerëzve: Do ta prek jetën tënde dhe do të të ndryshoj, mirëpo dua që ta dish se do të ndryshohesh vetëm pak — tani gjërat janë në dorën tënde! Jo! Ai tha: Do t’ju bëj njerëz krejt të rinj nga brenda jashtë. Do t’ju transformoj, do t’ju çliroj, do t’ju ndryshoj. Ky është mesazhi i Jezusit. Kjo është gjithashtu dëshmia e atyre të krishterëve në Korint. Ata ishin një lloj personi — mëkatarë dhe përballë gjykimit. Mirëpo pastaj ata u transformuan. Tani ata ishin ndryshe nga më parë. Prandaj, si fillon ky transformim? Me një pamje të qartë për mëkatin tonë. Nëse nuk e njoh veten për mëkatar, si mund ta njoh veten për të shpëtuar? Secili prej nesh duhet të ballafaqohet me thellësinë e shthurjes sonë, në mënyrë që kur fjala e Perëndisë të na thotë se Jezusi erdhi për t’i shpëtuar njerëzit nga çdo sprovë dhe pleksje e jetës dhe për t’u dhënë atyre Frymën e Tij që t’i ndryshojë nga brenda jashtë, ne ta kapim Krishtin fort me të dyja duart. Ky është shpëtimi! Ky është transformimi!

Çdo i krishterë është dëshmi e gjallë e faktit që Perëndia i ndryshon jetët. Kudo ka burra dhe gra që janë dëshmi të gjalla të fuqisë rikrijuese dhe jetëtransformuese të Krishtit. Prandaj, a jemi gati për të pasur një kishë plot me njerëz të cilët dikur ishin imoralë, kurorëshkelës, pijanecë dhe mashtrues? A jemi gati për të pranuar se të tillë ishim edhe ne dikur, por nuk jemi më, dhe e gjithë kjo ndodhi falë hirit të Perëndisë? Apo mos vallë duam kisha me njerëz që janë të rregullt në dukje — individë mjaft të pranueshëm, të cilët, në fakt, besojnë se nuk kanë fare nevojë për Jezusin?

Jezusi shpëton dhe Ai transformon. Nëpërmjet besimit, ti nuk je më ai që ishe dhe do të jesh në gjendje që këtë ta thuash sërish muajin dhe vitin që vjen. Kush është ai person që të duket sikur është zhytur aq shumë në mëkat, saqë mendon se s’mund të vijë dot kurrë te Krishti? Lutu për transformim hyjnor. Cila pjesë e jetës sate të duket e vështirë për t’u ndryshuar, në mënyrë që t’i pëlqejë Krishtit? Lutu për transformim hyjnor. Ti nuk mund të ndryshosh dot asnjeri, përfshirë edhe veten tënde. Mirëpo Krishti është i pushtetshëm për të bërë atë që ti nuk mund ta bësh dot.