Një ftesë për te Romakëve 8

Vitin e kaluar, tetëmbëdhjetë persona vdiqën duke iu ngjitur malit Everest, duke shënuar kështu numrin më të madh të viktimave të shkaktuara prej këtij mali të lartë brenda një viti. Po t’ia shtosh këta të tetëmbëdhjetë numrit të përgjithshëm të të vdekurve gjatë këtij shekulli, ai numër shkon në plot 340 persona, dhe duhet thënë se numri i të vdekurve rritet nga viti në vit. Alpinistët vdesin nga rrëzimet, ortekët, ngrirja e pjesëve të trupit, probleme të tjera shëndetësore, si edhe nga shembjet e serakeve, të cilat janë blloqe akulli, ndonjëherë me përmasat e një shtëpie, që shkëputen nga një akullnajë. Rreziqet janë po aq të mëdha sa edhe majat e madhërishme që synohen të ngjiten.

Atëherë, pse po vdesin më shumë njerëz se kurrë më parë? E po, arsyeja është se gjithnjë e më shumë njerëz po i ngjiten këtij mali. Në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, më pak se njëqind shpirtra guximtarë e arrinin majën vit për vit. Sot ky numër është rritur gjashtëfish, ndonëse numri i vdekjeve është shumëfishuar. Pse ndodh kjo gjë? Përse vallë dikush do të paguante 100 000 dollarë dhe do të harxhonte plot dy muaj për t’iu ngjitur këtij mali të vdekjes? Kjo ndodh sepse shpirti njerëzor tërhiqet pashmangshmërisht prej madhështisë. Quajeni “aventurë”, “sfidë” a “triumf”, ndërsa unë e quaj lavdi, dhe Everesti na përball me mbi 8 848 metra lartësi të saj.

Njëherë J. I. Packer-i e quajti Romakëve 8 si “Everestin e Besëlidhjes së Re dhe majën e lartë të të gjitha shkrimeve biblike” (Atonement, f. 2). John Piper-i u ngjit bashkë me Packer-in dhe thotë:

Kapitulli 8 i Romakëve është kaq i pasur dhe i mbushur tej e tej me lajm të mirë, lajm i mirë i cili është kaq madhështor e i lavdishëm dhe pafundësisht më cilësor sesa të gjitha lajmet e mira të kësaj bote — qofshin këto lajme të mira, të lidhura me shëndetin a me familjen, a me kishën, a me punësimin, a me politikën, a me zhvillimet ndërkombëtare, a me financat — kaq pafundësisht më cilësor sesa të gjitha lajmet e mira të kësaj bote dhe kaq këmbëngulës, saqë zor se mund ta ndiesh forcën e tij të plotë derisa ta marrësh atë varg për varg dhe ta rishprehësh si lajmi i mirë që vërtet është.

Në këtë seri, ne do të luajmë rolin e udhërrëfyesve tuaj të lumtur që ju udhëheqin nëpër shkrepa dhe nëpër monopate, drejt pamjeve marramendëse të këtij kapitulli që është më i madhërishmi i kapitujve të Biblës. Udhëtimi do të zhvillohet përmes tetë artikujve që do të botohen gjatë javëve në vazhdim.

Alpinizëm me Desiring God

Në shërbesën “Desiring God”, të gjithë ne si ekip i mësuesve, ku përfshihemi unë, John Piper, David Mathis, Tony Reinke, Jon Bloom, Greg Morse dhe Scott Hubbard, mendojmë, lutemi dhe punojmë për të hartuar strategjinë tonë mësimore në mbarë kanalet tona. Gjithë ëndërrimi dhe planifikimi ynë formësohet prej misionit tonë:

Si një platformë botuese e përkushtuar ndaj hedonizmit të krishterë që jemi, duke qenë të bindur për të vërtetën e pazëvendësueshme biblike se Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër me Të, ne ekzistojmë për t’i nxitur njerëzit që të jetojnë për lavdinë e Perëndisë, duke i ndihmuar ata që të gjejnë kënaqësinë e tyre në Perëndinë, mbi gjithçka tjetër, veçanërisht në vuajtjet e tyre. Këtë e bëjmë duke u komunikuar atyre të vërtetën, bukurinë dhe vlerën e çdo gjëje që Perëndia është për ne në Krishtin, të themeluar, të drejtuar e të mbushur plot e përplot me të pagabueshmin Shkrim të Shenjtë të krishterë.

Kjo fjali (një prej fjalive më të parapëlqyera për mua në gjithë botën) është autostrada që udhëheq gjithçka themi dhe bëjmë si shërbesë, dhe dëshira ime e pashuar është që ta kaloj gjithë jetën time në atë autostradë.

“Vuajtjet tona, madje edhe ato më të rëndat, nuk do të na ndajnë dhe nuk mund të na ndajnë nga premtimet që gëzojmë.”

Në qendër të strategjisë sonë për artikujt, në veçanti, gjendet një temë mujore, e cila mund të jetë një çështje, një argument, një kapitull biblik apo një doktrinë që ne si ekip e marrim në shqyrtim, për ta trajtuar atë në mënyrë sa më të thelluar. Që disa muaj më herët, ne ia nisim të shkëmbejmë mendime rreth nevojave që shfaqen më së qarti dhe se si mund t’u përgjigjemi atyre. Gjatë këtij procesi përzgjedhjeje, ne mbështetemi me gëzim e forcë në Shpalljen e Besimit të shërbesës “Desiring God”. Pasi lutemi mirë e mirë, zgjedhim një temë për secilin muaj dhe më pas përvijojmë artikujt për ta mbuluar atë temë (ndodh rëndom që zhvillojmë rreth tridhjetë apo dyzet ide dhe më pas zgjedhim tetë apo dhjetë si më përparësoret prej atij grupi më të madh).

Sa u përket muajve në vijim, kemi përzgjedhur tema rreth kishës lokale, emrave të Krishtit (për periudhën e Adventit [muaji përpara Krishtlindjes]), si dhe ndihmave praktike për lutjen. Për këtë muaj, ne po i bëjmë gati pajisjet dhe po i shtrëngojmë fort ato, që t’i ngjitemi atij mali të lartë të hirit sovran që është Romakëve 8.

Vështrime brenda majës

Teksa filloni t’i ngjiteni këtij kapitulli, nuk keni pse shkoni shumë larg përpara se të ndeshni lavdi madhështore. Faktikisht, shtatë fjalët e para të tij shpërthejnë nga madhështia: “Si rrjedhim, tani nuk ka asnjë dënim” (Romakëve 8:1). Gjatë kësaj jave, etapa e parë e ngjitjes do të përqendrohet në mrekullitë e drejtësimit tonë në Krishtin. Besimtarët ende përjetojnë disiplinë të dhimbshme prej Atit në këtë anë të qiellit, por asnjëherë nuk shijojnë as edhe një pikë gjykimi hyjnor.

Kur muaji të ketë nisur si duhet, do të kujtohemi që vetë Krishti jeton në ne me anë të Frymës të Tij. Çfarë do të thotë ky brendabanim dhe si e transformon ai jetën tonë të zakonshme e të vështirë? Do të shohim gjithashtu se si të ecim përmes Frymës që banon në ne, duke i bërë  veprat e trupit të vdesin me fuqi dhe vendosmëri të mbinatyrshme. Jon Bloom-i do të shkruajë rreth psherëtimave të vargjeve 17–25, duke na treguar se si vuajtja jonë, në duart e hirshme të Perëndisë, çon në lartësimin tonë përfundimtar, një lavdi e ardhshme kjo që ne zor se mund ta përfytyrojmë. Në fund të muajit, ne do të botojmë një artikull që trajton mënyrat se si Romakëve 8 është keqkuptuar e keqzbatuar, duke përfshirë atë premtimin e famshëm: “…Perëndia i bën të bashkëveprojnë të gjitha për të mirë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28).

Krahas ekipit të mësuesve tanë, u kemi kërkuar Joni Eareckson Tada-s, Joshua Greever-it (professor i asociuar i Besëlidhjes së Re pranë Kolegjit dhe Seminarit Bethlehem), si dhe Clinton Manley-t (anëtari më i ri i redaksisë sonë) që të ngjiten bashkë me ne dhe të shërbejnë si bashkudhëheqës, kështu që do të shihni artikuj të shkruar prej tyre përgjatë ngjitjes për në majë.

Ngjitje e mundimshme

Lavditë e Romakëve 8 janë të dukshme kur i shihni ato, por nuk janë edhe aq të lehta për t’u parë e për t’u kuptuar. Askush nuk përpiqet t’i ngjitet Everestit pa pasur pajisjet e duhura dhe një udhërrëfyes të mirë, dhe kjo është ndihma që synojmë të ofrojmë me anë të kësaj serie artikujsh, pra, që t’ju ndihmojmë t’i shihni qartë të vërtetat gëzimndezëse, shpirtstabilizuese e jetëndryshuese që dalin prej këtyre 39 vargjeve.

Ngjitja nuk do të jetë aspak e lehtë, ashtu si edhe vetë jeta e krishterë. Për një çast, Pali shtron këtë pyetje: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mundimi apo ngushtica, apo përndjekja, apo zia e bukës, apo zhveshja, apo rreziku, apo shpata?” (Romakëve 8:35). Pse e shtron atë pyetje ai vallë? Ai e bën këtë sepse të krishterët ende vdesin prej këtyre mundimeve. Në qoftë se e ndjekim Krishtin, ne do të vuajmë prej sprovave të shumëllojshme. Mirëpo, vuajtja jonë, madje edhe vuajtja më e rëndë, nuk do të na ndajë dhe nuk mund të na ndajë nga premtimet që tashmë i gëzojmë.

Por në këto të gjitha ne stërfitojmë nëpërmjet atij që na deshi! Se jam i bindur që as vdekje, as jetë, as engjëj, as parí, as gjëra të tanishme, as gjëra që vijnë, as fuqi, as lartësi, as thellësi, as ndonjë gjë tjetër e krijuar, nuk do të mundet të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, ajo në Krishtin Jezus, Zotin tonë. (Romakëve 8:37–39)

Ejani me ne nëse keni guxim të mjaftueshëm dhe shikoni sërish se çfarë lavdie të madhe mbart ky Everest madhështor.

Marshall Segal (@marshallsegal) shërben si presidenti dhe drejtori ekzekutiv i shërbesës “Desiring God”. Ai është autori i librit “Not Yet Married: The Pursuit of Joy in Singleness & Dating”. Ai u diplomua pranë Kolegjit dhe Seminarit Bethlehem dhe shërben si plak pranë kishës “Cities Church”. Ai dhe gruaja e tij, Faye, kanë tre fëmijë dhe jetojnë në Minneapolis. Lexoni më shumë rreth Marshall-it.