“Evodisë i bëj thirrje, edhe Sintikës i bëj thirrje, që të mendojnë të njëjtën gjë në Zotin. Po, të kërkoj edhe ty, shok i vërtetë, ndihmoji ato të cilat u përpoqën bashkë me mua në ungjillin, edhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në libër të jetës.” FILIPIANËVE 4:2-3

Ndasitë i gërryejnë kishat nga brenda. Ja pse Pali i mori seriozisht raportimet që dy gra në bashkësinë e Filipisë kishin mosmarrëveshje. Ai la hapësirë në letrën e tij që t’u “[bënte] thirrje” këtyre grave që të “[mendonin] të njëjtën gjë”. Në qasjen e tij për të trajtuar mosmarrëveshjen mes Evodisë dhe Sintikës, apostulli na jep një model të dobishëm pajtimi. Ai e bën të qartë se duhet të kujtojmë që jemi të lidhur bashkë me vëllezërit dhe motrat tona “në Zotin”. Kjo frazë shpjegon se kush jemi në thelb të qenies sonë: ne nuk i përkasim vetes; ne i përkasim Krishtit.

Prandaj, Pali u bën thirrje Evodisë dhe Sintikës që të kujtojnë unitetin e tyre “në Zotin” dhe t’i nënshtrohen udhëzimit të Perëndisë ashtu siç iu përcoll përmes apostujve, në po atë mënyrë që edhe ne i nënshtrohemi fjalës së Perëndisë, të cilën tani e kemi në Shkrime. Bibla tregohet e qartë se, si të krishterë, ne duhet që së pari ta duam Perëndinë dhe t’i shërbejmë Atij. Ndërkohë që përpiqemi t’i pëlqejmë Perëndisë, Ai do të punojë në një mënyrë të tillë në zemrat tona, që ne të dëshirojmë t’u shërbejmë të afërmve tanë për të mirën dhe për ndërtimin e tyre (Romakëve 15:2).

Kur e harrojmë se i përkasim ekskluzivisht Krishtit, shumë shpejt ne do të fillojmë të ndjekim agjendat tona, do t’u biem pas kauzave tona, do të luftojmë për të drejtat tona dhe do të mbahemi me të madh për të debatuar me këdo që nuk bie dakord me ne. Përçarjet mes nesh si besimtarë mund të bëjnë që të shpërqendrohemi nga shqetësimet e parëndësishme dhe periferike, duke ua shterur energjinë atyre që debatojnë, si dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në mosmarrëveshje. Në vend që të shkojë te të jashtmit, kisha përqendrohet përbrenda vetes. Është krejtësisht e papërshtatshme që ne të këmbëngulim në mendimin tonë, kur i përkasim një Shpëtimtari që nuk e bëri kurrë këtë gjë. Nëse Jezusi do të kishte menduar për Veten ashtu siç bëjmë kaq shpesh dhe aq lehtë ne, atëherë nuk do të kishte pasur mishërim, nuk do të kishte pasur kryq, nuk do të kishte pasur falje dhe nuk do të kishte shpresë për në qiell për ne.

Nuk duhet të shtiremi sikur mes besimtarëve nuk ekzistojnë mosmarrëveshje. Por si shoqëri e të shpenguarve, ne duhet t’i trajtojmë mosmarrëveshjet tona me forcën dhe mbi themelin e unitetit tonë në Zotin. Përqendrimi ynë nuk mund të vazhdojë të jetë te vetja jonë. Në shërimin dhe ripërtëritjen e marrëdhënieve të thyera, ne duhet të imitojmë Krishtin duke qenë nismëtarë të pajtimit.

Kjo thirrje vlen për të gjithë ne. Nëse sot gjendesh në pozitën e Evodisë dhe të Sintikës, atëherë thirrja për ty është e qartë, edhe pse sfiduese: “[Mendoni] të njëjtën gjë në Zotin.” Pavarësisht se ç’gjë tjetër ju ndan, uniteti yt me të krishterët e tjerë është edhe më i fortë. Dhe nëse sot gjendesh në një kishë me “Evodinë dhe Sintikën”, atëherë je thirrur për të vepruar ashtu siç e urdhëroi Pali “shokun e vërtetë” që të vepronte: t’i ndihmosh ata që janë të ndarë, që të pajtohen. Dashuria e vërtetë e merr iniciativën. Dashuria e vërtetë përfshihet. Dashuria e vërtetë nuk i lejon ndasitë që ta gërryejnë bashkësinë; përkundrazi, ajo ndjek unitetin që ndërton.