“Sepse cilido që të dojë për ta shpëtuar jetën e vet, do ta humbë; por cilido që ta
humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë. Sepse çfarë do t’i leverdisë njeriut
po të fitojë tërë botën dhe ta bjerrë jetën e vet?…” MATEU 16:25-26
Jezusi ishte ekspert në bërjen e pyetjeve — veçanërisht ato lloj pyetjesh që i bënin njerëzit të ndalonin në vend dhe t’i kushtonin vëmendje. Kur ballafaqohemi me pyetjet e Jezusit, siç u ndodhi dishepujve këtu, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e anashkaluar efektin e tyre të synuar.
Në shikim të parë, pyetja e Jezusit në lidhje me përfitimet materiale në kurriz të shpirtrave tanë mund të kuptohet kryesisht si paralajmërim për një ndëshkim që po u afrohet personave egoistë. Ne tundohemi që ta lexojmë pyetjen e Jezusit në një mënyrë që e krahason Atë me një nënë që i thotë fëmijës së vet: “Tani, nëse nuk ia jep gjërat edhe motrës sate, e di se çfarë do të ndodhë!”. Mirëpo kjo pyetje e veçantë i afrohet më tepër një vëzhgimi. Jezusi po tregon se çfarë ndodh atëherë kur jetën dhe vendimet tona i orientojmë rreth dëshirave tona mëkatare — rreth zotërimeve dhe arritjeve tona, rreth identitetit që dëshirojmë të kemi. Ai shprehet se të jetosh në mënyrë të tillë, do të thotë të humbasësh vetë jetën tënde.
Humbja e jetës, për të cilën Jezusi po flet këtu, është pasojë e menjëhershme dhe e përjetshme. Nëse e trajtojmë jetën thjesht me qasjen se çfarë mund të marrim prej saj për veten tonë, neve, në fakt, na shpëtojnë gëzimet e saj më të mëdha; ne përfundojmë thjesht duke ekzistuar, jo duke jetuar realisht. Për më tepër, kur e vendosim veten në fronin e jetës sonë, ne e heqim Jezusin nga vendi që i takon dhe pohojmë realitetin se, nga natyra, ne parapëlqejmë të ndjekim botën, në vend që të braktisim dëshirat tona për të ndjekur Krishtin. Nëse vazhdojmë kështu, ne do ta humbasim jetën e përjetshme, dhuratën që Atij i pëlqen t’ua japë nënshtetasve të Tij.
Atëherë, si duhet t’i luftojmë dëshirat e kësaj bote në kohën e tanishme? Së pari, ne duhet të pranojmë që, siç tha matematikani dhe teologu i shekullit të 17-të, Blaise Pascal-i, ne kemi një boshllëk në trajtën e Perëndisë në thellësitë e qenies sonë dhe, përveç Vetë Perëndisë, asgjë tjetër nuk mund ta mbushë këtë boshllëk. Ne nuk ekzistojmë për të ndjekur kënaqësitë kalimtare, por për të shijuar një marrëdhënie me Perëndinë e gjallë. Së dyti, ne duhet të reflektojmë vazhdimisht për vlerën e shpirtrave tanë, siç dëshmohet në skenën mizore jashtë Jerusalemit ku Krishti i pamëkatë u var në një kryq — i përbuzur, i refuzuar, i tejshpuar, i plagosur dhe i përçmuar — që ne të mund të vijmë në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë dhe të marrim lirisht jetën e përjetshme. Flijimi i Jezusit zbulon se sa shumë rëndësi ka për Perëndinë fati i përjetshëm i shpirtrave tanë.
Ta ndjekësh Jezusin si Shpëtimtarin dhe Mbretin tënd, dhe ta pranosh vlerën e Tij mbi çdo thesar tokësor, nuk është një vendim i çastit; ky është një përkushtim i përjetshëm që jetohet çdo ditë. Nëse je gati të shkosh çdo ditë te kryqi i Tij, të rrëfesh me përulësi se kush është Ai dhe të heqësh dorë nga jeta jote — nga parapëlqimet e tua, rehatia jote, pasuria jote — atëherë fitimi yt nuk do të ketë fund, tani dhe në përjetësi. Mendoj se është ide e mirë që çdo mëngjes t’i bëjmë vetes pyetjen që Jezusi ua bëri dishepujve të Tij atë ditë gjatë rrugës: Çfarë do të më leverdisë mua po të fitoj tërë botën dhe ta bjerr jetën time?
