“ZOTI qe me Jozefin dhe ky kishte mbarësi…” ZANAFILLA 39:2
Nuk ka vend më të mirë për t’i shërbyer Perëndisë sesa vendi në të cilin të vendos Ai.
Nuk ka punë pa të meta, familje pa të meta dhe as rrethana pa telashe. Ata prej nesh që janë vazhdimisht në kërkim të jetës ideale, duke harruar se përsosuria është ruajtur për qiellin, po i futen një udhëtimi që do të karakterizohet nga zhgënjime të shpeshta.
Do të ishte një e vërtetë gjysmake nëse do të thoshim se kushtet që përjetoi Jozefi, ishin më pak se ideale. Pasi e filloi jetën e vet si objekt i dashurisë së veçantë të të atit, ai përfundoi si objekt në tregtinë e skllevërve. Siguria që përjetonte në shtëpinë e tij, u zëvendësua me prangat e skllavërisë.
Ashtu si Jozefi, edhe ne të gjithë shohim se rrethanat tona ndryshojnë me kalimin e kohës. Ne mund të largohemi nga shtëpia ku kemi jetuar për një kohë të gjatë, të dashurit tanë mund të përballen me trazira në jetën e tyre, ose vështirësitë financiare dhe problemet shëndetësore mund të vijnë krejt papritur. Megjithatë, pak prej nesh mund të kenë përjetuar një rrënim kaq të shpejtë sa Jozefi. (Dhe nëse e keni përjetuar, mendoni se sa inkurajuese është të dini se Shkrimi përfshin historitë e ndërhyrjes së Perëndisë në jetën e njerëzve si ju!) Mund të mendojmë se Jozefi kishte çdo arsye për t’ia mbathur, për t’u fshehur, për t’u dorëzuar, për t’u bërë antagonist — e megjithatë, prania e Perëndisë e kaloi atë përmes çdo lugine.
Jozefi nuk u mbrojt nga rrethanat e tij; ai u mbrojt në rrethanat e tij. Atë e mbrojti prania e Perëndisë. Këtu ka një mësim për ne. Nuk është kurrë qëndrueshmëria, njohuria apo mençuria e besimtarit ajo që e ruan atë. Përkundrazi, shërbëtorin e Perëndisë e mbron vetë prania e Perëndisë. Është e natyrshme që t’i kërkojmë Perëndisë t’i ndryshojë situatat tona, t’i largojë vështirësitë e mëdha ose të na largojë nga sprovat. Ne shohim rrethanat tona dhe mendojmë: “Nuk rashë kurrë dakord për këtë!”. Kështu fillojmë të besojmë gënjeshtrën se gjithçka do të jetë në rregull, nëse mund të largohemi nga kjo situatë ose nëse problemet tona thjesht hiqen. Por fakti është se, kudo që të shkojmë, problemet do të vijnë dhe përsosuria do të jetë e pakapshme në këtë anë të qiellit. Streha jonë e vetme dhe e vërtetë, siç thotë edhe psalmisti, është te ZOTI (Psalmi 11:1).
Perëndia mund ta kishte qeverisur ndryshe jetën e Jozefit. Por Ai zgjodhi të lejonte që ngjarjet të shpaloseshin ashtu siç ndodhën. Ai kishte si qëllim ta kalonte shërbëtorin e Tij në çdo “vështirësi, rrezik edhe mundim”14. Zoti ishte me Jozefin, edhe kur ai ecte në vargun e skllevërve dhe në tregun e skllevërve, sikurse ishte me të edhe kur u ngrit në pozitë respekti dhe lavdie në shtëpinë e zotërisë së tij. Prania e Zotit është edhe me ne. Në të vërtetë, Ai na ka premtuar: “…unë jam me ju të gjitha ditët, deri në përfundimin e epokës” (Mateu 28:20) — përmes luginave, si dhe në majat e maleve. Në çfarë situate të ka vendosur Perëndia sot? Si do ta ndryshojë pikëpamjen tënde për rrethanat që do të kishe zgjedhur, si dhe për ato që sigurisht nuk do t’i kishe zgjedhur, të diturit që Ai është aty me ty dhe që Ai ka një një punë të mirë që ti ta bësh pikërisht aty?
