“…Kurdo që të luteni thoni: ‘O Atë, u shenjtëroftë emri yt…’” LUKA 11:2
Në çastin që një fëmijë birësohet, e gjithë jeta e tij ndryshon; ai merr një emër të ri, një familje të re dhe shpesh një mënyrë jetese krejtësisht të re. Megjithatë, ai realitet ligjor mund të ekzistojë edhe nëse fëmija nuk e përjeton vërtet përkatësinë në familje. Është një gjë që një fëmijë të vijë dhe të jetojë në një shtëpi, por është një realitet tjetër edhe më i thellë që ai ta përjetojë dhe ta shprehë plotësisht bashkimin me këtë familje — që t’i quajë prindërit e rinj “mami” dhe “babi”.
E njëjta gjë është e vërtetë për birësimin tonë frymëror kur rrëfejmë besimin në Jezu Kri sh tin. Birësimi ynë e ndryshon krejtësisht, përjetësisht dhe në mënyrë të pakundërshtu eshme statusin tonë. Megjithatë, Perëndia nuk kënaqet thjesht me një ndryshim të emrit, nëse mund ta themi kështu. Ai dëshiron që ne të dimë se ç’do të thotë të jemi bijtë dhe bijat e Tij. Ai dëshiron me zjarr që ne të përjetojmë mrekullinë e të menduarit për Të si Atin tonë qiellor. Për ta bërë këtë, Ai na jep Frymën e Tij, që të na e formësojë karakterin dhe të na ndihmojë ta shohim marrëdhënien tonë me Të si marrëdhënia mes fëmijës dhe Atit. “Dhe ngaqë jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tona, që thërret: ‘Abba, o Atë!’” (Galatasve 4:6).
Përvoja e krishterë nuk duhet të jetë thjesht si një veprim ligjor. Jeta e krishterë është shumë më tepër se dogmat ose doktrinat. Shpëtimi nuk është vetëm falja e mëkateve; është gjithashtu përjetimi i transformimit të fuqizuar nga Fryma. Krishterimi nuk është mekanik, por ka të bëjë me marrëdhëniet. Atë që Jezusi e realizoi objektivisht dhe ligjërisht në kryq, Fryma e vazhdon subjektivisht dhe në mënyrë përjetimore në zemrat tona. Ne jemi shpëtuar, jemi pranuar dhe na është treguar dashuri. Me këtë ndryshim, ne mund të presim të përjetojmë përkushtim, pasion, lot, ndriçim, përfshirje dhe, në fund të fundit, lavdërim.
Kur tundohemi të harrojmë statusin tonë të ri si fëmijë të Perëndisë, Fryma është gati për të na dëshmuar: Jo, ju jeni vërtet të Tijtë! Ju jeni blerë me çmimin më të lartë. Juve ju është treguar dashuri dhe jeni të çmuar. Kur nuk kemi vepruar ashtu siç do të donte Perëndia dhe kur ndihemi të plagosur, të thyer dhe të shkurajuar, Fryma na ndihmon të thërrasim: “O Atë, Atë, a mund të më ndihmosh, të lutem?”. Lutje të tilla duhet të shërbejnë si përkujtues për mrekullinë e veprës së përfunduar të Jezusit — flijimit të Tij shpengues dhe dërgimit të Frymës për të banuar në zemrat tona. Pa këto, nuk do të kishim asnjë marrëdhënie tjetër me Perëndinë, përveçse si me Krijuesin dhe Gjykatësin tonë. Për rrjedhojë nuk do të kishte asnjë mundësi që zemrat tona të thërrisnin: “Abba! Atë!”.
Perëndia e vulos birësimin tonë si bij dhe bija jo me ndonjë shenjë apo dhuratë të veçantë, por me dëshminë bindëse të Frymës së Tij. Ndërsa flasim me Të në lutje, dëgjojmë prej Tij nëpërmjet fjalës së Tij dhe ecim me Të, ne rritemi në vetëdije për fuqinë e Tij dhe punën e Tij brenda nesh. Për shkak se jemi çliruar nga mallkimi i mëkatit dhe na është dhënë bekimi i birësimit, ne mund t’i thërrasim Perëndisë si Ati ynë, duke e admiruar dhe duke e adhuruar Atë në frymë dhe në të vërtetë.
I krishterë, sot, pavarësisht se ç’gjë tjetër është e vërtetë për ty, ja se cili është realiteti më i madh: ti je fëmijë i birësuar i Perëndisë. Asgjë dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë. Kështu që sot, pavarësisht se çfarë mund të jesh duke ndier, le të jetë kjo e vërtetë ajo që të ngushëllon, të forcon, të siguron dhe të nxit më shumë: ti je fëmijë i Perëndisë.
