3 Prill 2026

“Atëherë, në po atë ditë të parë të javës, ndërsa ishte mbrëmje dhe ndërsa dyert e vendit ku ishin dishepujt ishin mbyllur për shkak të frikës së judenjve, erdhi Jezusi dhe qëndroi në mes; dhe u tha: ‘Paqja me ju!’.” GJONI 20:19

Kur Jezusi iu shfaq për herë të parë dishepujve pas ringjalljes së Tij, ata ishin strukur pas dyerve të kyçura, nga frika se çfarë mund të bënin më pas autoritetet që kishin kryqëzuar udhëheqësin e tyre. Mirëpo dyert e kyçura nuk mund ta ndalonin Jezusin! Asgjë nuk e ndaloi Atë të hynte në shtëpi dhe të rihynte në jetën e tyre, duke ua vërtetuar se Ai
ishte Shpëtimtari i tyre dhe shpresa e tyre e gjallë. Ata mund ta shihnin, ta dëgjonin, ta preknin dhe ta njihnin Atë — në të njëjtën mënyrë i qaset Ai edhe jetës sonë. Pavarësisht se ku jemi apo çfarë kemi bërë, Krishti mund të hyjë në jetën tonë — në trishtimin tonë, në errësirën tonë, në frikën tonë, në dyshimet tona — dhe ta bëjë Veten të dukshëm dhe të njohur, duke shpallur: “Paqja me ju!”.

Ndoshta jeni një “Thoma dyshues”, i shpejtë për të vënë në dyshim çështjet e besimit. Deri në njëfarë mase, pyetjet janë të mira dhe të shëndetshme. Thomai u tregua i drejtpërdrejtë me Jezusin, duke thënë në thelb: Unë nuk do të besoj në Ty nëse nuk mund ta vendos gishtin tim mbi plagët e Tua. Jezusi iu përgjigj Thomait:Në rregull, nëse kjo është ajo që të nevojitet, atë do të bëj (Gjoni 20:24-29). Jezusi mund të na takojë në dyshimet tona. Ose ndoshta je një Pjetër mohues, i shpejtë për të hequr dorë nga identiteti yt në Krishtin dhe i shpejtë për t’u ndier i dënuar për mënyrën se si i ke katranosur gjërat. Jezusi e mori Pjetrin — i cili kishte dyshuar shumë herë tek Ai, por që u rrëzua plotësisht nga pyetja e një shërbëtoreje — dhe e rimëkëmbi atë, duke i besuar kujdesin për qengjat dhe delet e Tij
(Gjoni 21:15-17). Jezusi na pranon pavarësisht nga dështimet tona dhe e përdor jetën tonë në mënyra transformuese. Ose ndoshta je një Mari Magdalenë e turpëruar, me një të kaluar që nuk të lë rehat dhe të bën të ndihesh i padenjë për dashurinë dhe pranimin e Jezusit. Megjithatë, Perëndia nuk caktoi që takimi i parë i regjistruar i Jezusit pas ringjalljes së Tij të ishte me një mësuese të shkollës të së dielës, por me një grua që kishte një të kaluar të ndyrë, të mbushur me mëkat dhe që, madje, kishte qenë e pushtuar nga demonët. Nuk ishte rastësi që përqafimin e parë, nëse mund ta themi kështu, Krishti i ringjallur ia dha një personi të tillë. Të njëjtin përqafim shpengues, Ai na e ofron edhe neve.

Jezusi mund të kalojë përtej dyerve të kyçura; Ai mund të depërtojë në zemrat e ngurtësuara. Nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Ai ishte në gjendje për ta mbyllur hendekun që mëkati kishte hapur mes njerëzimit rebel dhe një Perëndie të drejtë. Ne duhet ta pranojmë shpëtimin që Ai e ofron falas. Ky shpëtim duhet të jetë i freskët në mendjet tona çdo ditë.

A e keni bërë këtë? A e keni pranuar Jezusin pa kushte dhe pa rezerva? A e përqafoni Atë çdo ditë? A ia përsëritni vetes ungjillin e Tij çdo mëngjes? Të besosh kështu, do të thotë t’ia japësh veten Perëndisë në shërbim. Ne i nënshtrohemi Atij si Zoti dhe Shpëtimtari ynë. Ne i marrim në zemër premtimet e Perëndisë dhe e pranojmë shpëtimin që Ai na e ofron falas. Me këtë besim, do të shihni se Ai qëndron përkrah jush, duke ju ofruar paqe të përjetshme dhe intime, e cila triumfon mbi trishtimin dhe transformon errësirën, frikën dhe dyshimet tuaja. Dëgjojeni Krishtin e ringjallur teksa ju thotë: “Paqja me ju!”.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 20:24-29