3 Mars 2026

“Prandaj, ndërsa mbetet një premtim për të hyrë në pushimin e tij, le të kemi frikë se
mos ndokush prej jush të duket se nuk ia ka arritur që të hyjë. Sepse edhe neve na është
shpallur lajmi i mirë sikundërse edhe atyre, po për ata nuk pati dobi fjala që dëgjuan,
sepse nuk u bashkuan përmes besimit me ata që e dëgjuan.” HEBRENJVE 4:1-2

Shumë shpesh të krishterët janë të paparë për kohën e lirë, por për të ardhur keq kur bëhet fjalë për pushimin. Pse? Njëra nga arsyet mund të jetë fakti që kultura perëndimore i jep vlerë të madhe kërkimit të paepur të niveleve gjithnjë e më të larta të suksesit dhe të begatisë. Edhe koha jonë e lirë është e mbushur plot me “interesa” dhe me një dëshirë për t’u përmirësuar dhe për të arritur diçka. Poshtë kësaj fshihet pikëllimi i çdo kulture: tëhuajtja jonë nga Perëndia që na krijoi dhe na bëri si për të punuar, ashtu edhe për të pushuar.

Kur mëkati hyri në botë, pushimi u bë diçka e pakapshme për njerëzimin. Pavarësisht se çfarë gjëje tjetër mund të thoni për njerëzimin, është e pamohueshme që ne nuk karakterizohemi nga qetësia apo pushimi. Nëse jeni munduar aq shumë për të arritur vetëm pak çaste paqeje ose nëse e mbushni kohën e lirë me gjëra për të bërë, atëherë ajo nuk mund të quhet pushim. Sigurisht që Perëndia dëshiron diçka më shumë se kjo.

Perëndia na ofron një prehje që i qetëson shpirtrat tanë. Pushimi i shpirtit rrjedh nga një jetë që i është dorëzuar Atij me besim. Kur pluhuri i vdekjes, që u ngrit nga mëkati, zuri vend mbi njerëzimin, nuk mund ta shijonim dot më pushimin më të thellë që synonte Perëndia. Ne kemi nevojë për një krijim të ri — dhe kjo është pikërisht ajo që ka siguruar Perëndia! “Kështu që, nëse dikush është në Krishtin, ai është krijim i ri; të vjetrat kaluan; ja, janë bërë
gjëra të reja!” (II Korintasve 5:17). Në krijim, Perëndia themeloi parimin e prehjes fizike dhe në shpengim, Ai themeloi mundësinë e pushimit të përsosur frymëror. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, njerëzit e të gjitha shtresave — madje edhe disa nga ata që rrëfejnë se janë të krishterë — ngulmojnë që ta jetojnë jetën e tyre duke e shpërfillur Perëndinë. Ata e përçmojnë ftesën e Tij për të gjetur pushim për shpirtrat e tyre, duke mbetur vetëm dëgjues të fjalës, por jo bërës të saj (Jakobi 1:22), dhe pastaj shpresojnë që, kur të vdesin, të hyjnë në prehjen e tyre. Bibla nuk na ofron asnjë shpresë për një qasje të tillë ndaj jetës. Ashtu si izraelitët në shkretëtirë nuk patën asnjë dobi nga premtimet e Perëndisë sepse nuk i besuan ato, kështu edhe ne nuk mund të presim ta shijojmë dhuratën e Perëndisë për pushimin e shpirtit, në këtë jetë ose në atë që do të vijë, nëse vazhdojmë me përpjekjet tona pa besim.

Fatmirësisht, gjithçka zgjidhet në Jezusin. Ai e heq tej fasadën e shtirjeve të zbrazëta fetare dhe të përpjekjeve të dëshpëruara të kësaj bote, dhe na ofron një ftesë të hirshme: “Ejani tek unë, të gjithë ju të munduar dhe të ngarkuar, dhe unë do t’ju jap prehje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam i butë dhe i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaja” (Mateu 11:28-29). Kjo është një prehje të cilën e shijojmë edhe ndërsa punojmë, është një prehje që na mundëson të pushojmë me të vërtetë nga puna jonë dhe një prehje të cilën një ditë do ta shijojmë plotësisht, përfundimisht dhe përjetësisht në praninë e Tij.

A po pushon shpirti yt sot? Apo mos je i shqetësuar për atë që mund të sjellë e nesërmja ose
i lodhur nga ajo që mendon se duhet të arrish sot? Puna që e përmbush dëshirën tënde më të madhe dhe që e kënaq nevojën tënde më të madhe — puna e shpëtimit — u përfundua nga Jezusi në emrin tënd në Kalvar. Ai të fton të vish tek Ai: të mësosh se Ai është kujdesur për të ardhmen tënde të përjetshme dhe se detyrat që Ai synon që ti t’i plotësosh sot, do të kryhen të gjitha — as më shumë e as më pak. Prandaj, besoji Atij dhe lëre shpirtin tënd të pushojë me të vërtetë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

HEBRENJVE 4:1-10