3 Janar 2026

“Libri i breznive të Jezu Krishtit, bir i Davidit, bir i Abrahamit.” MATEU 1:1


Fillimi i Besëlidhjes së Re mund të mos na duket menjëherë si tepër frymëzues. Në fakt, nëse dikush do ta lexonte gjithë Biblën për herë të parë dhe do të arrinte në fund të Librit të Malakias, i cili mbyllet me pritje, ngazëllimi i tij mund të lëkundej kur të zbulonte që libri tjetër nis me një gjenealogji. Ai (dhe ne!) mund të tundohej që ta kalonte Mateun dhe të fillonte një Ungjill tjetër. 

Megjithatë, mos harroni që, të gjitha premtimet që Perëndia i bëri popullit të Tij në Besëlidhjen e Vjetër, prisnin përmbushjen e tyre. Ndërsa lexojmë Besëlidhjen e Re, kuptojmë se, në fakt, ajo nuk mund të hapej dot në ndonjë mënyrë tjetër më të përshtatshme se kjo, përderisa gjenealogjia te Mateu heq një vijë të drejtë nga Abrahami te Davidi dhe në fund deri te Jezusi, si Ai që i përmbush të gjitha këto premtime.

Në mënyrë të ngjashme edhe Marku, përmes Ungjillit të tij, duket sikur u kthehet profetëve që tregonin drejt së ardhmes, nga Ai që pritej të vinte. Marku e përdor Besëlidhjen e Vjetër për të përgatitur skenën për këtë realitet marramendës dhe në fjalinë e tij të dytë thuhet: “Ashtu siç është shkruar në profetin Isaia…” (Marku 1:2). Fjalët e para të Jezusit që regjistrohen nga Marku janë: “Është plotësuar koha dhe është afruar Mbretëria e Perëndisë” (v. 15). Dishepujt e Jezusit kishin privilegjin për t’i dëshmuar ato që profetët dhe mbretërit kishin dëshiruar fort që t’i shihnin (shih Luka 10:24) — një privilegj që vazhdon edhe tani përmes punës ndriçuese të fjalës së Perëndisë.

Besëlidhja e Re na tregon se mjeti me anë të të cilit janë përmbushur premtimet e Perëndisë mund të përmblidhet me dy fjalë: Jezu Krishti. Perëndia ia bëri premtimet e Tij Izraelit duke përdorur terminologjinë dhe kategoritë që ata i kuptonin — me fjalë si kombi dhe tempulli. Ardhja e Krishtit i përkufizoi sërish konceptet e Besëlidhjes së Vjetër nën dritën e ungjillit: ne zbulojmë që profecitë e Besëlidhjes së Vjetër janë përmbushur të gjitha në mënyrë kristologjike — me anë të dhe në personin e Krishtit. Prandaj, në vend që të presim për një tempull të ri në shtetin e Izraelit, ne takohemi me Perëndinë përmes Birit të Tij, Zotit Jezus; e përjetojmë praninë e Tij te secili prej nesh me anë të Frymës së Tij; dhe shohim drejt realitetit të mbretërimit të Krishtit, që t’i transformojë jetët tona tani dhe përgjithmonë.

Ardhja e Birit të Perëndisë shkon përtej caqeve të kategorive të Besëlidhjes së Vjetër. Kjo nuk ka për qëllim ta shqetësojë popullin e Perëndisë; përkundrazi, qëllimi është që ta ngazëllojë atë! Krishti është përmbushja e përsosur e të gjitha premtimeve të Perëndisë.

Ai është realiteti i të gjitha garancive të mëdha të Perëndisë.

Prandaj, mos prit më gjatë për të parë se si do ta përmbushë Perëndia çdo premtim të Tij. Tani e dimë se çdo premtim u përmbush, përmbushet dhe do të përmbushet përmes Krishtit. Ai ka premtuar që do të jetë me ju, që do të veprojë për ju dhe përmes jush, dhe që do t’ju sjellë në një mbretëri të përjetshme përsosmërie. Ka raste kur e kemi të vështirë të mbahemi pas atyre premtimeve. Kur vijnë kohë të tilla, ne hedhim vështrimin pas te një burrë që lindi si pasardhës i Abrahamit dhe i Davidit, një burrë që u ngjiz nga Fryma dhe që ishte në gjendje për të shpallur: “Është plotësuar koha dhe është afruar Mbretëria e Perëndisë”, i cili u var në kryq dhe u ringjall së vdekurish, që të gjitha premtimet e Perëndisë të bëheshin “po” në Të.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?