“Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim, por mbushuni në Frymë,
duke i folur njëri-tjetrit me psalme dhe himne, dhe këngë frymërore;
duke i kënduar e duke i psalur në zemrën tuaj Zotit.” EFESIANËVE 5:18-19
Në çaste të caktuara gjatë jetës, si në rastin e lindjes së një fëmije ose kur zhvendosesh në një vend tjetër, duket sikur ndodhin shumë gjëra njëherësh. Fillimi i një jete te re në Krishtin ka të ngjarë të jetë shembulli më i mirë për këtë. Ka disa ndryshime të cilat ndodhin njëkohësisht kur besojmë në Jezusin; ne drejtësohemi me anë të besimit, birësohemi në familjen e Perëndisë, na jepet një status i ri si bij dhe bija të Tij dhe — siç e thekson edhe ky varg — Fryma e Shenjtë nis të banojë brenda nesh.
Kur dikush beson në Jezusin, Fryma e Shenjtë fillon të banojë brenda tij, duke i dhënë dëshira dhe fuqi për të bërë atë që i pëlqen Perëndisë. Kjo plotësi e Frymës është thelbësore për realitetin e përjetimit të krishterë. Kjo është e drejta e të gjithë atyre që kanë besuar në Krishtin. Megjithatë, e vërteta është që, edhe si besimtarë, ne nuk jetojmë gjithmonë në plotësinë e Frymës së Perëndisë. Ende vazhdon të jetë e mundur që, përmes mosbindjes sonë, ta trishtojmë Frymën që jeton në ne (Efesianëve 4:30). Vazhdon të jetë e mundur që të ndikohemi më shumë nga diçka tjetër dhe jo nga Ai — prandaj, Pali e thekson faktin që ne s’mund të jemi njëkohësisht nën ndikimin e alkoolit dhe të Frymës.
Duhet të kuptojmë që, nëse jemi fëmijë të Perëndisë, ne nuk mund të shkëputemi dot kurrë nga atësia e Tij; megjithatë, të jetuarit në mosbindje mund të na largojë nga përjetimi i bekimit dhe i pranisë së Tij atërore, si dhe i kënaqësisë që Ai ka në ne. Fëmija që tregon mosbindje të hapur ndaj mamit dhe babit të vet, ende mund të ulet në tryezë për të ngrënë mëngjes, duke e ditur se ata janë ende prindërit e tij dhe se ai është ende djali i tyre, mirëpo kënaqësia në këtë marrëdhënie do të jetë e pakësuar. Kështu ndodh edhe me ne: nuk mund të jetojmë në mosbindje — nuk mund të lejojmë që të drejtohemi nga ndonjë mendim, përparësi apo substancë tjetër — dhe njëkohësisht të jetojmë në plotësinë e Frymës.
Ky nuk është një problem të cilin mund ta zgjidhim vetë. Ne nuk e mbushim veten tonë me Frymën e Shenjtë. Jo vetëm që plotësinë e Frymës e marrim nga Perëndia, por edhe shijimi i plotësisë së Tij është për shkak të Perëndisë. Nuk mund ta mbushim dot veten tonë, por ne mundemi dhe duhet ta hapim veten që të mbushemi. Pritshmëria për çdo jetë të krishterë është që kjo provë e të qenët i mbushur — ajo të cilën Pali e quan “fryti i Frymës” (Galatasve 5:22) — do të bëhet gradualisht edhe më e dukshme.
Nevoja më e madhe e jetës sate dhe e çdo kishe që mblidhet bashkë, është që të mbusheni me Frymën — të drejtoheni prej Atij dhe jo nga ndonjë gjë tjetër. Pikërisht kjo sjell transformim, gëzim, paqe dhe dashuri të vërtetë. Kjo derdhet në këngë që e lavdërojnë Krishtin në zemrat tona, si dhe me buzët tona kur mblidhemi bashkë. Prandaj, lutu që Fryma të të mbushë sërish:
Frymë e Perëndisë, zbrit mbi zemrën time;
Nga bota më zvirdh, vepro Ti në çdo rrahje;
Në dobësinë time i plotfuqishëm Ti vepro,
Bëmë të të dua ashtu si Ti më do.
