“Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim.
Sa më shumë i thërrisnin profetët, aq më tepër janë larguar prej tyre, u kanë bërë
flijime Baalëve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura.” OSEA 11:1-2
Kur Jezusi lindi, Maria dhe Jozefi e çuan në Egjipt për ta mbrojtur nga përndjekja e mbretit Herod. Kur Mateu e regjistron atë ngjarje, ai përfshin këto fjalë nga Osea, të cilat u shqiptuan më shumë se shtatë shekuj më parë, dhe shpjegon se, në të vërtetë, ato ishin një profeci të cilën Jezusi e përmbushi (Mateu 2:13-15). Por fjalët e Oseas nuk
i referoheshin një individi, por, përkundrazi, një kombi (“i thërrisnin… janë larguar… u kanë bërë flijime”). Prandaj, mund të mendojmë se ky është një përdorim mjaft i shkujdesur i Shkrimit nga Mateu.
Mirëpo, në të vërtetë, Mateu e di saktësisht se çfarë po bën. Ai po e identifikon qëllimisht Jezusin me Izraelin. Ashtu si Perëndia e kishte thirrur popullin e Tij të dashur — “birin” e Tij — nga Egjipti për ta adhuruar Atë në Tokën e Premtuar, kështu edhe tani, siç thotë Mateu, Perëndia po thërriste Birin e Tij të vetëmlindur, Zotin Jezus, nga Egjipti sërish në Tokën e Premtuar. Por Jezusi ishte ndryshe. Ashtu si izraelitët, Ai u tundua në shkretëtirë, por ndryshe
nga ata, Ai nuk mëkatoi (Mateu 4:1-11; shih gjithashtu Eksodi 32:1-6). Jezusi është Izraeli i vërtetë, Biri i vërtetë.
Në fillim të shërbesës së Tij, Jezusi zgjodhi dymbëdhjetë dishepuj (Mateu 10:1-4). Ky ishte një numër domethënës. Duke zgjedhur dymbëdhjetë, Jezusi bëri një deklaratë. Ai, Izraeli i vërtetë, po i thërriste njerëzit te Vetja, për të qenë pjesë e një Izraeli të ri. Në vend të dymbëdhjetë fiseve të Izraelit, themeli i tij tani ishin dymbëdhjetë dishepujt e Tij. Në atë zgjedhje, u riorientua dhe vazhdon të riorientohet fokusi i popullit të Perëndisë. Që atëherë, Izraeli i vërtetë nuk gjendet në atë që tani quhet Lindja e Mesme, as nuk përbëhet vetëm nga pasardhësit biologjikë të Abrahamit. Përkundrazi, ai përfshin pasardhësit frymërorë të Abrahamit, si hebrenjtë, ashtu dhe johebrenjtë. Fëmijë të Perëndisë janë ata që ndjekin shembullin e Abrahamit, duke e vendosur besimin e tyre në premtimet e Perëndisë, të cilat përmbushen në Jezusin.
Pali thotë se premtimi “është prej besimit” dhe gjithmonë “do të jetë sipas hirit” (Romakëve 4:16). Nuk ka rëndësi nëse je hebre apo johebre, i pasur apo i varfër, mashkull apo femër. Nuk ka rëndësi se kush je apo çfarë ke bërë. I njëjti parim vlen gjithmonë: “Dhe nëse ju jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhje e Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit” Galatasve 3:29). Ne jemi “të gjithë një në Krishtin Jezus” (v. 28). Ungjilli është i njëjtë për të gjithë, sepse të gjithë jemi njëlloj te këmbët e kryqit. Njerëzit fetarë dhe të moralshëm kanë nevojë për të njëjtin shpëtim si kushdo tjetër që nuk ka shkuar kurrë në kishë dhe që ka jetuar pa marrë parasysh asnjë standard apo kredo. Ne kemi vetëm një histori për të treguar, por ajo është historia e vetme që na duhet neve ose kujtdo tjetër.
Sigurisht që jemi të papërsosur. Ne, ashtu si Izraeli i parë, jemi të prirur për t’u larguar nga Ati ynë dhe për të adhuruar idhuj. Mirëpo Jezusi, i drejti dhe i përsosuri, Izraeli më i mirë dhe i vërtetë, vdiq për të mbajtur mëkatet tona, që ne të mund të shkojmë dhe t’i dorëzohemi mëshirës së Tij. Ne jemi mbledhur në shoqërinë e Tij të madhe, në kuadrin e mbretërisë së vërtetë të Izraelit, jo për shkak të asaj se kush jemi apo çfarë kemi bërë ne, por për shkak të asaj se kush është Ai dhe çfarë ka bërë Ai. Sot, përmes besimit në Krishtin Jezus, ti je fëmijë i Perëndisë, po aq i dashur sa ishte dhe është Ai (Galatasve 3:26).
