29 Janar 2026

“Sepse, nëse duke qenë armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër duke qenë të pajtuar do të shpëtohemi me anë të jetës së tij.” ROMAKËVE 5:10

Perëndia nuk është një babagjysh i dashur ose një Santa Claus kozmik, i cili thjesht jep dhurata dhe që në të vërtetë nuk shqetësohet shumë për ndonjë gjë tjetër.

Jo — Ai është i shenjtë dhe Ai është i drejtë. Prandaj, ne njerëzit, për shkak të mëkatit tonë, jemi të tëhuajtur nga Perëndia. Ekziston një armiqësi mes ne njerëzve dhe Krijuesit tonë. Ky nuk është një mesazh të cilin e dëgjoni shumë shpesh, dhe sigurisht që nuk është shumë i këndshëm. Mirëpo Perëndia nuk e anashkalon këtë armiqësi. Ai nuk e ka anashkaluar kurrë, dhe kurrë nuk do ta bëjë këtë gjë. Shkrimi është shumë i qartë në lidhje me qëndrimin e Perëndisë ndaj mëkatit. Në të vërtetë, Pali i përshkruan qeniet njerëzore si armiq të Perëndisë, duke e bërë të qartë se mëkati na ndan nga Perëndia. Gjuha e Palit u bën jehonë edhe fjalëve të psalmistit, i cili thotë për Perëndinë: “…ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi” (Psalmi 5:5) — një mesazh ky që, në shikim të parë, nuk është as i këndshëm për t’u lexuar dhe as i lehtë për t’u kuptuar.

Atëherë, ku është shpresa jonë? Si mund të pajtohemi ndonjëherë me Perëndinë? Si mund ta dënojë Perëndia mëkatin ashtu siç e meriton, e megjithatë t’i falë mëkatarët?

Ç’urtësi plot dashuri, o Perëndi!

Mbuluar qemë me turp e mëkat të zi,

Adami i dytë erdhi të luftojë

Dhe ne të na shpëtojë.

Me vdekjen e Tij në kryq, Jezusi e përmbushi drejtësinë e Perëndisë. Ai mori mbi Vete detyri min tonë për t’iu bindur përsosurisht ligjit të Perëndisë, si dhe përgjegjësinë tonë për faktin që dështuam ta bënim këtë. Më pas, Ai e përmbushi detyrimin tonë nëpërmjet jetës së Tij të pamëkatë dhe e anuloi përgjegjësinë tonë me vdekjen e Tij flijuese në kryq. Kur tëhuajtja jonë nga Perëndia rezultoi në urrejtjen e Perëndisë ndaj ekzistencës sonë mëkatare, Ai nuk na braktisi. Përkundrazi, Perëndia erdhi dhe na pajtoi nëpërmjet Birit të Tij. Nëse ky nuk tingëllon si lajmi më i pabesueshëm nga të gjithë, ne nuk e kemi kuptuar siç duhet seriozitetin e mëkatit tonë, as realitetin e gjykimit të Tij, as madhësinë e shpëtimit tonë.

Për ne që kemi qenë të krishterë për njëfarë kohe, është e lehtë që familjariteti ynë, nëse nuk sjell përbuzje, të sjellë vetëkënaqësi. Por vdekja e Krishtit nuk është vetëm pika hyrëse e besimit tonë; ajo është besimi ynë. Prandaj sot, ndalo dhe shih Adamin e dytë, njeriun e përsosur, i cili korr sukses aty ku Adami i parë dështoi, dhe e mund djallin, duke i kthyer mbrapsht efektet e rënies. Ky është ungjilli. Mëkatet e tua janë falur. Ti je shpëtuar. Dikur ishe armik, ndërsa tani je mik. Tani Krishti është siguria, paqja dhe jeta jote.

Realiteti i të qenët në Krishtin nuk është çështje e parëndësishme; ajo është garanci e mahnitshme. Kur ishim të pafuqishëm përballë mëkatit, fuqia e Krishtit na liroi. Kur nuk mund ta shlyenim dot një borxh kaq të madh, Ai e mbajti atë mbi drurin e kryqit (I e Pjetrit 2:24). Tani je ulur me Të në qiej. Suksesi yt më i madh sot nuk do të të ngrejë më lart se të ka ngritur Ai tashmë; as përleshja apo dështimi yt më i madh nuk mund të të rrëzojë prej aty.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

KOLOSIANËVE 1:15-23