“…unë ndoqa plotësisht ZOTIN, Perëndinë tim. Atë ditë Moisiu bëri këtë betim:
‘Toka që ke shkelur me këmbë do të jetë trashëgimia jote dhe e bijve të tu përgjithnjë,
sepse ke ndjekur plotësisht ZOTIN, Perëndinë tim.’” JOZUEU 14:8-9
Shumë njerëz e fillojnë shumë mbarë jetën dhe më vonë e humbasin atë që dikur i bëri të suksesshëm. Ndoshta ishin shumë të njohur si të rinj apo të reja. Në moshën 40-vjeçare, jeta e tyre karakterizohej nga rëndësia, ndikimi dhe pozita. Është e vërtetë që individë të tillë mund t’i shohim edhe në kishë — po, mund të shohim veten tonë — si jashtëzakonisht të dobishëm për Perëndinë. Mirëpo, shumë shpesh, ne tundohemi të bëhemi mjeshtra të së
djeshmes, duke e kthyer kokën pas te “vitet e mira” dhe duke u ankuar për mënyrën se si kanë ndryshuar gjërat.
Edhe pse kjo është e vërtetë për shumë njerëz, kjo nuk ishte aspak e vërtetë për Kalebin, i cili i qëndroi larg apatisë së mundshme dhe vazhdoi të ecte në besim. Ai e kaloi moshën e mesme të jetës së tij në një mjedis aspak të dëshirueshëm. Që në moshën 40-vjeçare, ai ishte i detyruar të endej nëpër shkretëtirë për katër dekada, sepse njerëzit përreth tij nuk treguan besim në Perëndinë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe zhgënjimi dhe endjesh, Kalebi
nuk u prek nga hidhërimi dhe pakënaqësia.
Në fakt, në fund gjërat u bënë aq keq, sa njerëzit filluan të kërkonin një udhëheqës që t’i kthente në ditët e mira të së shkuarës (Numrat 14:4). Megjithatë, askush nuk ka nevojë për një udhëheqës për t’u kthyer pas; thjesht mund të kthehesh vetë! Ne kemi nevojë për udhëheqës që të na shtyjnë përpara. Ka një të nesërme. Ka ende breza që do të vijnë. Ka ende qëllime për t’u shpalosur në planin e Perëndisë për botën tonë.
Kalebi shfaq këtë lloj fryme. Angazhimi i dukshëm i jetës së tij të hershme u përputh me qëndrueshmërinë që ai tregoi në moshën e tij të mesme. Ai ishte i përkushtuar dhe i qëndrueshëm jo vetëm në të 40-at, por edhe në të 50-at, të 60-at dhe të 70-at. Gjatë dekadave, ai “e ndoqi plotësisht ZOTIN”.
Për shumë njerëz, martesa, krijimi i një familjeje, shqetësimet për punën, çështjet shëndetësore, e kështu me radhë, shoqërohen shpesh me humbje të zellit dhe të efektshmërisë frymërore. Të shumtë janë ata që kanë plot burime, energji dhe mençuri për të ofruar, por që vendosin ta marrin shtruar, duke ia lënë veprën e shërbimit brezit të ardhshëm. Ashtu si izraelitët në shkretëtirë, ata mjaftohen me mosinteresimin, kritikën dhe cinizmin, duke
mos arritur ta shohin shpërbërjen që po ndodh në jetën e tyre frymërore.
Ç’mund të thuhet në lidhje me përkushtimin tënd, bisedat e tua dhe përparimin tënd frymëror? A janë ata njësoj si dikur? Sot ka një nevojë të madhe në kishë, ashtu siç kishte edhe në brezin e Izraelit në shkretëtirë, për burra dhe gra me përvojë në besim, të cilët jetojnë jetë të karakterizuara nga përkushtimi i vazhdueshëm, në kohë të mira dhe të
këqija, me kohë dhe pa kohë, ndërkohë që, gjatë viteve, ata ecin drejt trashëgimisë që Zoti u ka premtuar ndjekësve të Tij besnikë. Si do të duket kjo ecje për ty sot — po pas dhjetë vjetësh?
