“…jeni bërë të ngathët nga veshët. …keni nevojë që t’ju mësojë ndokush elementet e fillimit të thënieve të Perëndisë dhe jeni në atë gjendje sa të keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë. Sepse kushdo që merr qumësht, është i papërvojë në fjalë drejtësie, sepse është foshnjë. Ndërsa ushqimi i fortë është për të pjekurit…” HEBRENJVE 5:11-14
Imagjinoni sikur po vizitoni restorantin tuaj të parapëlqyer dhe vini re se të gjithë klientët janë ulur në tavolinat e tyre dhe po pinë qumësht nga shishe të mëdha për foshnja. Çfarë skene e çuditshme që do të ishte kjo!
Megjithatë, kjo është tabloja që pikturoi shkrimtari i Hebrenjve, kur i nxiti të krishterët hebrenj të kohës së tij që të vazhdonin të kishin uri për një ngjashmëri gjithnjë e më të madhe me Krishtin. Ai e dinte se shumë prej tyre po bëheshin të vetëkënaqur në besimin e tyre. Ata tashmë duhej të ishin mësues, por, përkundrazi, kishin nevojë që të përsëritnin ABC-në.
Vështirësia që kishin këta besimtarë në të kuptuarit e parimeve biblike nuk rridhte as nga ndonjë temë e ndërlikuar dhe as nga paaftësia e shkrimtarit për të shpjeguar qartë. Përkundrazi, ata ishin qëllimisht të ngadaltë për të mësuar. Kur autori shkruan se ata ishin “të ngathët nga veshët”, fjala për “të ngathët” është e njëjta fjalë që ai përdor më vonë kur i paralajmëron ata që të mos jenë “të ngathët” (Hebrenjve 6:12). Atje, ai i nxit lexuesit e vet që, në vend që
ta tolerojnë një qëndrim të tillë përtac, të jenë “imitues të atyre që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet”.
Sikur këta të krishterë të hershëm të kishin qenë shpirtra të përgjegjshëm që po dëgjonin me kujdes dhe po përpiqeshin fort për të kuptuar konceptet biblike, dhe thjesht kishin vështirësi për ta bërë këtë, shkrimtari ka të ngjarë të mos kishte qenë aq i ashpër me ta. Por gjërat nuk ishin kështu. Ai po i qortonte anëtarët e kishës të cilët duhej ta kishin marrë me gatishmëri të vërtetën, por ishin bërë të plogët. Entuziazmi i tyre ishte zbehur. Ata nuk po
tregoheshin më të vëmendshëm. Si rezultat, ata nuk arritën të kuptonin, dhe kjo i pengoi që të transformoheshin më tej nga e vërteta e Perëndisë.
Nëse nuk jemi vigjilentë, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ne. Nuk mund ta mbajmë veten të shëndetshëm me një dietë me patatina, bukë të thekur dhe qumësht. Nuk është gabim ta pëlqesh qumështin. Është mirë ta kemi atë si pjesë të dietës sonë. Por nuk është mirë që qumështi të përbëjë tërësinë e dietës sonë. Kjo është për foshnjat, dhe ne nuk duhet të mbetemi të tillë. Ne duhet të mësojmë të hamë ushqim që ka më tepër vlera ushqyese dhe të zgjerojmë shijen tonë.
Bëjeni synimin tuaj që të rriteni vazhdimisht “në hir dhe në njohje të Zotit tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht” (II e Pjetrit 3:18), që të mund të përballeni me rrjedhojat e përvojës së vërtetë të krishterë. Mos jini dikush i cili e dëgjon lajmin e mirë të ungjillit që shpallet dhe thotë me vete: “Oh, unë e di këtë. Tani nuk kam nevojë që të dëgjoj.” Mos jini dikush që e konsideron predikimin e mëngjesit të së dielës si ushqim frymëror të mjaftueshëm për gjithë javën. Mos jini dikush që llokoçitet në cekëtinë dhe nuk përpiqet kurrë për t’u zhytur thellë në pasuritë e fjalës së Perëndisë. Jini dikush që e do ungjillin dhe që, me hirin e Perëndisë, nuk lodhet kurrë duke e dëgjuar atë; dikush që e do fjalën e Perëndisë — që i pëlqen ta pijë dhe ta përtypë atë, dhe që trazohet vazhdimisht nga e vërteta e saj, ndërsa bëheni gjithnjë e më shumë si personazhi i saj madhështor, Zoti dhe Shpëtimtari ynë.
