“Perëndia i tha Moisiut: ‘UNË JAM AI QË JAM’. Pastaj tha: ‘Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: ‘UNË JAM-i më ka dërguar tek ju.’” EKSODI 3:14
Në disa kultura, kuptimi i emrave nuk ka shumë rëndësi. Ne zgjedhim një emër ngaqë na pëlqen se si tingëllon ose ngaqë është i dashur për familjen tonë. Megjithatë, në kultura të tjera, një emër mund të ketë rëndësi të madhe në vetvete. Kuptimi i tij mund të përcaktojë diçka në lidhje me personin që e mbart atë ose në lidhje me shpresat e njerëzve që ia vendosën.
Kur Moisiu takoi Perëndinë në ferrishten që flakëronte, ai e pyeti: “…Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: ‘Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju’, po të jetë se ata më thonë: ‘Cili është emri i tij’?, ç’përgjigje duhet t’u jap?” (Eksodi 3:13). Emri që Perëndia i tregon Moisiut — YHWH (i përkthyer në shqip si “UNË JAM AI QË JAM”) — ka katër bashkëtingëllore pa zanore. Provoni të shqiptoni YHWH dhe do të zbuloni se është pothuajse e pamundur. Nëse mund ta themi kështu, ai është një emër i pashqiptueshëm.
Ç’po bënte Perëndia kur iu përgjigj Moisiut kështu? Moisiu po kërkonte një emër që shprehte autoritet, për t’ia dhënë popullit të Izraelit dhe Faraonit, dhe Perëndia i dha atij këtë emër të pashqiptueshëm. Duket sikur Perëndia po i thoshte: Nuk ka asnjë emër që mund ta përmbledhë në mënyrë të kënaqshme tërësinë e asaj që jam. Prandaj, thuaju atyre se të ka dërguar UNË JAM AI QË JAM. Thuaji Faraonit të shikojë se çfarë bëj unë për llogari të popullit tim. Atëherë ai do ta dijë se kush JAM UNË.
Bibla nuk është vetëm historia e veprës shpëtuese të Perëndisë, por është edhe historia e shpalosjes së karakterit të Perëndisë. Shumë prej nesh janë bërë ekspertë për ta lexuar Biblën dhe për të bërë pyetje të rëndësishme zbatimi: “Ç’lidhje ka me mua dhe si zbatohet në jetën time? Ç’do të thotë kjo për mua?”. Këto çështje nuk janë të parëndësishme apo të gabuara, por ato nuk janë pyetjet kryesore që duhen bërë. Perëndia është heroi i tregimit dhe tema e librit. Prandaj, pyetja e parë që bëjmë për çdo pasazh, duhet të jetë kjo: “Çfarë më tregon kjo për Perëndinë?”. Bibla u shkrua për të dëshmuar veprimet, karakterin dhe lavdinë e Perëndisë.
Shumë prej nesh besojnë se ajo që na nevojitet nga kisha çdo të diel, janë historitë e shkurtra ose listat frymëzuese që kanë të bëjnë me financat, marrëdhëniet tona dhe me çdo çështje tjetër me të cilën mund të përballemi. Nuk ka pasur kurrë një kohë tjetër në historinë e krishterimit kur janë shkruar më shumë libra “Si të…” për besimtarët. Megjithatë, si po ia dalim në të vërtetë? Duket sikur dimë të bëjmë gjithçka, por nuk dimë se kush është Perëndia!
Në mënyrë që Moisiu të bënte atë për të cilën e kishte thirrur Perëndia, ai duhej të kuptonte se kush ishte (dhe është) Perëndia. Sikurse edhe ne, ai kishte nevojë që të dinte se Perëndia është më shumë se thjesht një emër.
Jetët transformohen kur e lexojmë Biblën dhe ngremë pyetjen: “Çfarë mund të zbuloj për Perëndinë?”. Ndërsa shohim se çfarë ka bërë Perëndia dhe e kuptojmë më mirë se kush është Ai, mahnitja dhe dashuria jonë për Të rriten — dhe atëherë do të mund të jetojmë siç dëshiron Ai, duke e përmbushur thirrjen e Tij në jetën tonë. Nuk do t’i zbulojmë dot kurrë thellësitë e lavdisë së Perëndisë tonë patregueshmërisht të mahnitshëm, por do ta kalojmë tërë përjetësinë duke parë gjithnjë e më shumë prej Tij. Dhe ndërsa e lexojmë fjalën e Tij, kjo gjë mund të fillojë që sot.
