“Prej së njëjtës gojë del bekim dhe mallkim. Vëllezërit e mi, nuk duhet të jenë kështu
këto gjëra. A mos nxjerr burimi prej së njëjtës vrimë ujë të ëmbël dhe të hidhur?! Mos
mundet vallë, vëllezërit e mi, që fiku të bëjë ullinj apo hardhia fiq?! As burimi i
kripur nuk mund të japë ujë të ëmbël.” JAKOBI 3:10-12
Gjatë jetës sonë, ne përballemi me padrejtësi, me keqdashje, me rrethana të pakëndshme dhe shpesh me njerëz të pakëndshëm. Përpara se të ofrojmë një përgjigje verbale në situata të tilla, do të bënim mirë të kujtonim këtë të vërtetë që na mëson Zoti ynë: fjalët tona pasqyrojnë zemrat tona (Mateu 12:34). Nëse fjalët tona nuk u ngjajnë fjalëve të Krishtit, nuk duhet të shohim së pari gojën, por zemrën. Po kështu, tregues i punës së Zotit tonë brenda nesh është reagimi ynë ndaj konfliktit dhe sfidës me fjalë që ndihmojnë dhe jo me fjalë që dëmtojnë.
Gjuhët tona ushtrojnë fuqi të pamasë dhe ne mund t’i përdorim ato për të ndihmuar, për të inkurajuar, për të miratuar, për të pasuruar, për të pajtuar, për të falur, për të bashkuar, për të qetësuar dhe për të bekuar. Nuk është rastësi që kaq shumë nga fjalët e urta të Besëlidhjes së Vjetër merren me fjalët që themi. Sipas Solomonit, “Goja e të drejtit është një burim jete” (Fjalët e Urta 10:11). Ai e krahason këtë përdorim të fjalëve me vathët e mrekullueshëm që hijeshojnë bukurinë e gruas që i mban, dhe me zbukurimet që ia shtojnë bukurinë një shtëpie (25:12). Ndoshta thënia e tij më klasike për fuqinë e të folurit është vëzhgimi i tij se “Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollë të arta mbi një enë argjendi” (v. 11).
Si mund të kesh një të folur të tillë jetëdhënës? Si mund t’i përdorim gojët tona për të bekuar të tjerët? Fjalët e bekimit karakterizohen nga ndershmëria, duke e “thënë të vërtetën në dashuri” (Efesianëve 4:15). Ato janë të menduara mirë, të folura nga dikush që “mendon thellë si duhet të përgjigjet” (Fjalët e Urta 15:28). Ato shpesh janë fjalë të pakta dhe të arsyeshme: “Kush i mat fjalët e veta, ka dije dhe kush ka një frymë të qetë, është njeri
i matur” (17:27).
Dhe, sigurisht, fjalët e dobishme do të jenë fjalë të buta. Ndonëse mund të jetë e vështirë që ta mbajmë mend nën trysninë e rrethanave të vështira, prapëseprapë mbetet e vërtetë që “Përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin…” (Fjalët e Urta 15:1). Në të vërtetë, një përgjigje e butë buron nga forca morale. Kërkohet shumë më tepër vetëkontroll për t’u përgjigjur me butësi, sesa për t’i lënë vend pasionit dhe zemërimit të shfrenuar.
Çfarë do t’i karakterizojë fjalët tuaja? A do të përkushtohesh që ta përdorësh gjuhën tënde — atë gjymtyrë të vogël, por jashtëzakonisht të fuqishme të trupit tënd — për të bekuar në vend që të mallkosh, për të dhënë jetë në vend që ta shkatërrosh atë dhe për të ndihmuar në vend që të dëmtosh?
Vendos sot që t’i përdorësh fjalët e tua për të mirën e atyre me të cilët ndërvepron, duke e nderuar Krishtin në zemrën tënde dhe duke e lejuar aromën e Tij të ëmbël t’i mbushë fjalët e tua. Atëherë, pranoje me përulësi që nuk mund ta bësh dot vetë këtë gjë (Jakobi 3:8) dhe kërkoji Atij që të të mbushë me Frymën e Tij — me Frymën që bën të rritet paqja, butësia dhe vetëpërmbajtja, si në zemrën tënde, ashtu edhe në të folurit tënd (Galatasve 5:22-23).
