“Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun, do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.” EKSODI 12:13
Çfarë ndodh në Darkën e Zotit? Pse të krishterët hanë bukën dhe pinë nga kupa? Ndërsa përpiqemi t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, jo shumë prej nesh mendojnë të shohin pas te Moisiu. Nëse qëndrojmë shumë afër historisë së tij, do të shohim vetëm një pamje të cunguar të kallamishteve, të shkurreve që digjen dhe të plagëve. Mirëpo, nëse tërhiqemi mjaftueshëm prapa, do të shohim dhe do të jemi në gjendje që të shijojmë lavdinë e tablosë së madhe të Perëndisë.
Për të vënë në lëvizje eksodin e popullit të tij, Izraelit, Perëndia, duke kaluar përmes vendit me gjykim, dërgoi në Egjipt plagën e dhjetë dhe të fundit, dhe çdo egjiptian i parëlindur u vra. Edhe të parëlindurit izraelitë do të kishin vdekur, sepse ata ishin fajtorë për mëkat dhe mëkati të çon në vdekje (Romakëve 6:23). Por Perëndia u siguroi atyre një rrugë shpëtimi përmes Pashkës. Kur Zoti pa gjakun e një qengji të flijuar, në shtalkat dhe arkitraun e derës, lyer me anë të një tufëze hisopi (Eksodi 12:22), Ai kaloi sipër asaj shtëpie.
Në Besëlidhjen e Vjetër, ky kalim sipër ishte vepra e madhe shpëtuese e Perëndisë. Në të dhe nëpërmjet tij, Perëndia i mësoi popullit të Vet një parim jetësor: Perëndia na shpëton me anë të zëvendësimit. Ai i shpëtoi këta njerëz, sepse në vend të tyre flijoheshin kafshë. Siç shkruan Moisiu, atë natë në Egjipt “nuk kishte shtëpi ku të mos kishte një të vdekur” (Eksodi 12:30). Ose kishte vdekur një bir, ose ishte flijuar një qengj. Populli i Perëndisë meritonte vdekjen për mëkatet e tij, por meqë ata besuan në flijimin e një tjetri, siç kishte urdhëruar Perëndia dhe kishte siguruar Perëndia, ata u çliruan. Çdo vit gjatë historisë së Besëlidhjes së Vjetër, populli i Perëndisë e kthente kokën pas te kjo ngjarje dhe kujtonte të vërtetën e madhe: Perëndia na shpëton me anë të zëvendësimit.
Të gjitha ato vite dhe të gjitha ato festa theksojnë domethënien e çastit kur, teksa Gjon Pagëzori pa Jezusin që po vinte, ai tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, ai që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Këtu ishte dikush që ishte siguruar nga Perëndia, për ta shpëtuar popullin e Tij nga mëkati dhe për ta liruar atë, ashtu siç ishte siguruar edhe qengji i Pashkës.
Eksodi i Izraelit është një paratregim i eksodit të madh të njerëzimit: kur burrat ose gratë, që meritojnë gjykimin e Perëndisë, besojnë në gjakun që u derdh në vend të tyre në kryq, ata gjejnë liri nga mëkati. Çdo prangë thyhet, ashtu siç ranë edhe zinxhirët e izraelitëve kur u liruan nga skllavëria.
Herën tjetër që do të mendosh për Darkën e Zotit, sill në mendje historinë e Moisiut, ferrishten që digjej dhe plagët. Pastaj lidhi pikat dhe kujto që arsyeja pse e marrim Darkën e Zotit është sepse Jezusi është flijimi ynë. Ai është Qengji i Perëndisë. Ai është zëvendësuesi yt. Ti nuk ke pse t’i trembesh asnjë gjykimi, sepse ai qëndron pas teje, u pagua dhe u trajtua në kryq. Ti je në rrugë e sipër drejt Tokës së Premtuar.
