“Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.” ISAIA 42:3
Udhëheqësit e mëdhenj politikë të kohëve të lashta mbështeteshin në pushtetin e tyre për të sunduar. (Shumë e bëjnë ende sot.) Kiri i Madh, mbreti i Persisë, u përshkrua si dikush që i shtypte njerëzit deri në shkatërrim dhe shkelte mbi ta, ashtu si një poçar mund të ngjeshte argjilën (shih Isaia 41:25). Megjithatë, në të njëjtën kohë, Isaia profetizoi për Shërbëtorin që do të vinte — dikush që do të ishte në kontrast të drejtpërdrejtë me sundimtarët e kohës.
Jezusi, Shërbëtori, është zemërbutë, i dhembshur dhe dashamirës. Ata që njerëzit e tjerë tundohen t’i refuzojnë dhe t’i flakin, Ai është i gatshëm dhe në gjendje për t’i përdorur. Çfarë fjale inkurajuese!
Në imazhin e një kallami të thyer, ne shohim domethënien e butësisë së Jezusit ndaj nesh. Nuk mund të mbështetesh në një kallam të thyer dhe as të bësh muzikë me të. Megjith atë, Jezusi i merr ata që janë lënë mënjanë prej të tjerëve, dhe bën një melodi të bukur në jetën e tyre dhe përmes saj. Sot, mund të ndiheni tmerrësisht të shtypur, të dëmtuar nga ajo që ju kanë bërë të tjerët ose të lënduar nga gabimet e së shkuarës. Ndoshta jeni tunduar të besoni se jeni të thyer dhe të padobishëm. Mirëpo ka një lajm të lavdishëm për ju: Shërbëtori i merr kallamat e thyer dhe këtë e bën me kujdes.
Jezusi i përdor edhe kandilat që bëjnë tym. Ai nuk i shuan ata; përkundrazi, Ai e merr fitilin që regëtin dhe e kthen atë në një dritë ndriçuese. Ndoshta tani besoni se ditët tuaja më të mira janë pas jush; ndoshta ju duket vetja si një qiri i vjetër që po shuhet, si një flakë e dobët që po fiket. Nëse nuk e keni kuptuar deri tani, i thoni vetes se ndoshta nuk ka fare shpresë për ju. Por sërish ka një lajm të mirë: kandilat që bëjnë tym, gjejnë shpresë te ky Shërbëtor, i cili ka ardhur të na rigjallërojë.
Jezusi është jashtëzakonisht i interesuar për të panjohurit — kallamat e thyer dhe kandilat që bëjnë tym. Ai i shpengon dhe i përdor ata për të sjellë dritë në botë dhe lavdërim për emrin e Tij. Në të vërtetë, në një mënyrë apo në një tjetër, ne të gjithë jemi kallama të thyer dhe kandila që bëjnë tym. A jemi të gatshëm për ta pranuar situatën tonë të përulur, në mënyrë që të mund të njohim butësinë dhe mirësinë e Shërbëtorit? Në fund të fundit…
Ai s’e shuan kurrë kandilin që bën tym,
Por në flakë do ta gjallojë;
Kallamin e thyer kurrë nuk e copëton,
As të panjohurin jo nuk e përçmon.
